Pas rritjes së ndjeshme të numrit të të infektuarve me variantin Delta, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që edhe muaji shtator të jetë muaj i hapur për vaksinimin masiv të popullsisë.
“Shtatori do të jetë një muaj vendimtar për të rritur mbulesën vaksinale, ndaj kemi vendosur që sërish të jetë një muaj i hapur për vaksinimet e çdo qytetari mbi 18 vjeç. Le t’i shfrytëzojmë këto ditë për të mbrojtur jetën dhe shëndetin, duke u vaksinuar sa më parë, për të garantuar mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor që po afron, të aktiviteteve të biznesit dhe jetës sonë të përditshme”, ka thënë Manastirliu.
Duke folur për situatën epidemiologjike në vend, Manastirliu shtoi se të dhënat epidemiologjike të dy javëve të fundit tregojnë një rritje me rreth 5 herë të rasteve të infektimeve krahasuar me periudhën e mëparshme.



















