Evi Reçi ka intervistuar për herë të parë Denisa Dokun, vajzën e cila muaj më parë u përfshi në një aksident ku dhe humbi shoqen e saj të ngushtë. Deni teksa kujtoi ngjarjen e asaj dite u përlot dhe shtoi se ka qenë një ditë e frikshme, por kurajën që vazhdon sot e kësaj dite e ka gjetur duke menduar se shoqja e saj është ende me të.
“Njerëzit mund të flasin, por atë çfarë ndjej unë në shpirt vetëm unë e di dhe familjarët e mi që janë të vetmit që e shikojnë. Ajo ka qenë gjithmonë me mua, madje edhe kur kam ardhur këtu herën tjetër, ajo ka qenë mbrapa skene. Ajo më jepte kurajë gjithmonë dhe ndoshta unë vazhdoj dhe gjej kurajën duke menduar se është aty me mua”, u shpreh Denisa.
Si një përdorëse e zjarrtë e TikTok-ut, ku numëron me mijëra ndjekës, Denisa është akuzuar si fajtore e aksidentit tragjik, ku fatkeqësisht 22-vjeçarja Alida humbi jetën. Gjatë intervistës Deni u dha për herë të parë një përgjigje të gjithë atyre që kanë hedhur akuza mbi të dhe teksa u pyet për shkaqet e aksidentit ajo theksoi se çdo gjë ishte e shkruar dhe ndodhi për një arsye, “Zoti ishte me të vërtet shumë i madh, në atë moment ndoshta mbaj mend gjithë pjesën pas aksidentit, por para se të ndodhte nuk mbaj mend asgjë. Çdo gjë ishte e shkruar dhe ndodhi për një arsye, sado që e kemi të vështirë ta pranojmë”, tha ajo.



















