Regjisori i “No Time to Die”, filmi i 25 -të i James Bond, befasoi me deklaratën e tij kur tha se varianti i agjentit më të famshëm në botë, të interpretuar nga Sean Connery i cili dhe e ktheu 007-tën në një simbol jo vetëm të aftësisë, por edhe joshjes mashkullore, ishte “në thelb” një përdhunues. Cary Fukunaga iu referua një skene në filmin “Thunderball” të vitit 1965, ku Bondi i Connery-t puth me forcë një infermiere të interpretuar nga Molly Peters.
Paskësaj, Bond i thotë infermieres se ai do të heshtë në lidhje me një informacion që mund t`i kushtojë asaj punën nëse ajo përfundon në shtratin e tij. “Nuk do të thuash … oh, jo”, shprehet ajo ndërsa agjenti i përgjigjet “Oh, po”, dhe i heq rrobat. “No Time to Die” sakaq me Daniel Craig në rolin e 007, konsiderohet si filmi Bond me barazinë më të madhe mes personazheve femërore e mashkullore.



















