Aksidenti tragjik me 45 viktima, flet hetuesi: Gabimi njerëzor shkaktari kryesor

Në Bullgari vijojnë hetimet për aksidentin tragjik, ku fatkeqësisht humbën jetën 45 persona. Së fundmi për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar zëvendëskryeprokurori dhe drejtori i Shërbimit Hetimor Kombëtar në Bullgari, Borislav Sarafov, i cili ka deklaruar se një gabim njerëzor është dyshimi kryesor që mendohet si shkaktar i aksidentit.

Ai ka deklaruar se në vendin e ngjarjes janë gjetur 44 trupa ndërsa 1 rezulton i zhdukur. “Për momentin pista më e besueshme është ajo e faktorit njeri, për të cilin po shqyrtohen kushtet e seksionit ku ka ndodhur aksidenti, si sinjalistika dhe ndriçimi rrugor.

Trotuari në të cilin ka goditur shoferi i autobusit është jo vetëm i panevojshëm në vend, por edhe i rrezikshëm. Në vendngjarje nuk pati asnjë shpërthim, por zhurma e fortë që u dëgjua ishte ajo e autobusit që u përplas në trotuar, ndoshta kjo është arsyeja pse autobusi mori flakë.

 

Nga autopsitë rezulton se të gjithë pasagjerët kanë vdekur nga ngufatja prej tymit, jo nga goditja. Kjo do të thotë se ata ishin gjallë në momentin e zjarrit. Vlerësimi përfundimtar i shkaqeve të aksidentit do të duhet të jepet nga analiza përfundimtare, por versioni kryesor për momentin është gabim njerëzor, si shkak i aksidentit.

 

Gjatë marrjes në pyetje, njëri prej të mbijetuarve ka thënë se janë shpëtuar tetë persona, jo shtatë. Njëkohësisht në vendin e tragjedisë janë gjetur 44 trupa. Hetuesit po kontrollojnë versionin për të parë nëse ka një tjetër të mbijetuar dhe ku ndodhet. Mund të ketë dalë nga kufiri me një mjet tjetër, një autobus tjetër, që duhet kontrolluar,” tha Sarafov.

 

 

Previous ArticleNext Article