Pas plot 22 vitesh, nga hera e parë kur para pasqyrës provoi atë ndjesinë paksa narciste, që të dhuron pamja e një trupi të bukur që nis e formohet bukur pak nga pak e spikat me muskuj, Marin Meksi nuk është dorëzuar për asnjë çast. Puna mes shkresurinash pas skrivanisë si diplomat, nuk i ka ndalur zgjimet e hershme të mëngjesit për të respektuar rutinën e fituar disa vjeçare. Prej vitesh, Marini, një nga djemtë me trupin më të bukur – skalitur mes djemve të Tiranës, sado që e ka fshehur volumin e muskujve në staturën xhaketë e kravatë, nuk ndihet aspak në siklet kur shkon në market për të blerë fileto pule dhe oriz, si pjesë e menusë së tij ushqimore apo duke u stërvitur në palestër me çunat e lagjes. Gjithë ky dedikim prej dy dekadash, përpos dhjetëra çmimeve, u shpërblye së fundmi me medalje ari në dy evente të rëndësishme ndërkombëtare dhe mbarëkombëtare, ku Marini nuk e fsheh se është përlotur nën emocionin e ngritjes së flamurit tonë kuqezi.
Marin faleminderit për kontributin tuaj të çmuar në sportin e bodybuilding, si keni arritur për dy dekada të ruani jo vetëm formën trupore, por edhe disiplinën?
Të them të drejtën nuk është aspak e lehtë, pasi trupi ka nevojë për gjithçka. Jam munduar të mbaj një linjë gjeneraliste të një regjimi, duke ruajtur balancat ushqimore, orët e gjumit dhe një stërvitje rutinë, por kjo nuk do të thotë që jo rrallëherë nuk e kam lëshuar dorën, në kuptimin e një regjimi të moderuar, duke shijuar dhe një ushqim kalorik, apo një çlirim festiv në raste të veçanta, pasi trupi dhe organizmi kanë nevojë për gjithçka. Pa u bërë ekstremist, por duke shijuar dhe jetën dhe duke mos abuzuar gjithashtu. Kur ke një motiv që është më i madh se ty, disiplina bëhet rutinë dhe bëhet pjesë e jetës tënde dhe ti atë e quan normale.
Së fundmi u shpallët kampion absolut në kampionatin mbarëkombëtar të bodybuilding & fitness, pas shumë trofesh, çfarë ndjesish ju dhuron ky çmim?
Çmimi Mbarëkombëtar Absolut, aq më tepër për mua që jetoj pjesën më të madhe jashtë vendit, është i një rëndësie të veçantë. Është kënaqësi e madhe kur vlerësohesh në vendin tënd dhe për më tepër kur ndjen gjithë respektin e bashkëkombësve dhe solidaritetin në çdo hap të jetës së përditshme.
Kjo medalje ju kualifikoi si përfaqësues të vendit tonë në kampionatin botëror të Bodybuilding & Fitness, si ishte për ju kjo përballje titanësh?
Të përfaqësosh vendin dhe mbarë kombin në arenën ndërkombëtare, përtej nderit dhe kënaqësisë është përgjegjësi e madhe dhe shumë emocion. Aq më tepër kur përballesh me 400 apo 500 kampionët më të mëdhenj të botës dhe shtete shumë të mëdha dhe të fuqishme me një traditë të kahershme. Por kur motivi është më i madh se ty, kur ke kombin dhe Zotin me vete, kur gjithë solidariteti mbarëkombëtar është me ty, Shteti, MEPJ, Federata gjithashtu janë me ty, pa dyshim që ti ja del, si në rastin tim që pata kaq shumë fat të kem këto mbështetje, përveç formës time sportive absolute me një investim prej 22 vitesh.
Fitues i Diamond Cup me një medalje ari për Shqipërinë, si do ta përshkruaje momentin e ngritjes se flamurit kuqezi në amfiteatrot botërore?
Jam i trajnuar për profesionin e Diplomatit që ushtroj, të kontrolloj emocionet, por më besoni kur sheh flamurin më të bukur në botë tek valëvitet aq krenar, siç ka bërë në betejat epike për liri, si dhe kur ekzekutohet himni, ti kupton që dhe një gur tjetër krenarie ju shtua lavdisë Arbnore dhe zemra të bëhet mal e emocionet lotojnë.
Që 14 vjeç jeni përfshirë në këtë sport duke ju dhuruar emocione unike, cili ka qenë për ju momenti që ju ka bërë të ndiheni krenar për veten?
Mendoj se Botërori është momenti më krenar që jam ndjerë, të sjell për herë të parë në historinë e sportit në Shqipëri një Kupë Bote. Por nuk është çështja vetëm si kupë në mënyrë literale, por simbolika që përpiqem të përçoj nëpërmjet një mesazhi shumë të fortë që unë dëshiroj. Kampioni i Botës nuk është ai hyjnori, por është dhe Marini që shkon çdo mëngjes në punë në MEPJ dhe bën shkresa pafund gjithë ditën, që shkon tek marketi i lagjes dhe blen fileto dhe oriz e gatuan pas pune. Që stërvitet pranë palestrës së lagjes apo bën vrap tek liqeni artificial që në 5 të mëngjesit. Sikurse nuk është as njeriu perfekt, por me një muskul pektoral të këputur, jo adoleshent, por plot 35 vjeç, dhe gati 17 vite pa bërë gara. Ndaj dhe ti mund të bëhesh kampion bote, duke punuar fort, stërvitur fort dhe duke bashkëpunuar me Federatën tonë, atë të Kosovës, me njëri – tjetrin dhe solidaritet më të madh për kolegët. Bashkimi bën fuqi.
Një trup-skulpturë në kostumin e një diplomati, si arrini të menaxhoni kohën për t’u marrë me të dyja!
Nuk është e thjeshtë më besoni, por kur motivi dhe qëllimi është më i madh se ty, ti duket sikur ja del, duke i marrë kohë gjumit, apo kënaqësive të tjera. Kam ndjerë shumë solidaritet dhe mbështetje nga të gjithë dhe ja kam dalë. Gjithë ideja është të mos lësh gjë mangut, jo të shkëlqesh diku dhe të çalosh diku tjetër. Në fund të ditës, unë jam sërish brenda misionit të diplomatit, kur valëvis flamurin tonë kombëtar në majat e botës sportive dhe bëj krenar çdo shqiptar si dhe promovoj kulturën, artin, sportin dhe vlerat më të mira të vendit tonë.
A ka rëndësi më shumë regjimi ushqimor apo ai fizik për trupin e sportistit bodybuilding?
Në fakt të dyja të kombinuara sjellin rezultatin, janë në një simbiozë të veçantë, por do të theksoja që për mendimin tim prevalon regjimi ushqimor.
Pas 22 vitesh dedikimi, çfarë mesazhi keni për ata që e kanë nisur këtë rrugëtim dhe një motivim për ata që janë në mëdyshje?
Ata që janë në mëdyshje mos të shqetësohen. Thjesht nuk i ka ardhur momenti, i cili do të vijë shumë shpejt, sapo të piqen disa kushte, apo të gjendet një motiv. Nuk ka moshë për stërvitje, sikurse nuk ka justifikim për të kundërtën. Jeto shëndetshëm, stërvitu fort, mendo pozitivisht, respekto protokollet e Covid-19.


Horoskopi ditor, e diel 12 dhjetor 2021

Horoskopi ditor, e shtunë 11 dhjetor 2021



Sezon Dekor, mendo pozitivisht për festa!




Palltot që po bëjnë namin këtë sezon!



Ndahet nga jeta aktorja Edi Luarasi!



6 libra që duhet t’i lexoni këtë fundvit!



