E kanë quajtur mumja më e bukur në botë; mënyra e konservimit të saj është aq perfekte saqë Rosalia Lombardo, një prej 160 fëmijëve të vdekur nga pneumonia në vitin 1920 në Siçili, duket si e gjallë me qerpikët, flokët dhe veshjen sic i kishte në ditën që u shua. Vdekja e saj e parakohshme e la zemërthyer të atin e saj, i cili nuk donte të ndahej prej vogëlushes së tij, ndaj i kërkoi një balsamuesit të njohur, Alfredo Salafia që të bënte të pamundurën për ta ruajtur sa më mirë trupin e Rosalias.
Salafia e tregoi të gjithë talentin e tij dhe tani, një shekull pas vdekjes, vogëlushja duket ende sikur po dremit në kutinë e xhamit në katakombet e kapuçinëve të Palermos në Itali.
Skanimet me rreze X tregojnë po kështu se dhe organet e saj të brendshme janë të paprekura, dhe ajo është praktikisht një nga mumiet e ruajtura më mirë në botë.
Alfredo Salafia kishte përdorur një formulë sekrete në rastin e Rosalias: ndryshe nga balsamimi tipik, ku hiqen organet e brendshme dhe zgavrat e zbrazëta mbushen me kripëra natroni për të tharë plotësisht trupin, aibëri një shpim të vogël në trup dhe injektoi një përzierje të formalinës, kripërave të zinkut, alkoolit, acidit salicilik dhe glicerinë. Çdo përbërës në përzierje kryente një punë unike. Formalina vrau të gjitha bakteret, glicerina siguroi që trupi i saj të mos thahej dhe acidi salicilik fshiu çdo kërpudhë në mish. Përbërësi magjik ishin kripërat e zinkut që ngurtësuan trupin e Rosalia-s duke i dhënë atij ngurtësi dhe penguan zgavrat e faqeve dhe hundës.