Nga: Olsi Kolami
Pianistja dhe zëvendësdekania e Fakultetit të Muzikës Merita Rexha Tërshana – zbulon kalendarin dy mujor të aktiviteteve që celebrojnë 60 vjetorin me një stinë koncertore intesive
Ndërtesa e përhirtë e Akademisë së Arteve, tempulli i madh i muzikës shqiptare, prej së largu ka një fasadë të ftohtë, por sapo çel portën e madhe e hijerëndë, tinguj e muzikës të ledhatojnë dëgjimin. Të rinjtë, vrapojnë të kapin orën e mësimit: më ngjan sikur jam pjesë e një skene nga filmi “Në çdo stinë”! Muzika e harqeve e Aleksandër Peçit përzihet me një piano diku në fund të korridorit, pastaj një violonçel i shkujdesur, një violinë e harlisur, një zë sopranoje, e një kor – gjithë tingujt bëhen një orkestër, e cila nis e luan në këtë jubile të artë të muzikës shqiptare. Pianisja Merita Rexha Tërshana, njëkohësisht zv.dekane e Fakultetit të Muzikës tregon për Bordo stinën e sapo çelur koncertore me rastin e 60 vjetorit të themelimit të institucionit prestigjioz të muzikës, ku mbi 3500 të diplomuar në këtë auditor janë ngjitur në skenat shqiptare dhe botërore, duke na bërë krenarë me gjuhën universale të artit.
Sapo keni nisur stinën më të gjatë koncertore të Fakultetit të Muzikës, cila do të jetë agjenda?
Ky është 60 vjetori i themelimit të Fakultetit të Muzikës dhe ne si dekanat menduam që mënyra më e mirë për ta sjellë në vëmendje të publikut këtë ngjarje të rëndësishme është ta festojmë me muzikë, sepse kjo është edhe mënyra që dimë të bëjmë më mirë. Para 60 vitesh zonja dhe zotërinj të nderuar në këtë vend, ku nuk kishte pasur kurrë më parë një shkollë të lartë muzike, vendosën me idealizëm, që të themelonin Konservatorin e Muzikës, dhe ne sot kemi mirënjohjen dhe respektin ndaj atyre që nga hiçi ja arritën ta realizonin. Përtej modestisë, ky është fakulteti më i suksesshëm, sepse të gjithë muzikantët që kanë mbaruar këtu, kanë pasur jetëgjatësi dhe sukses në profesionin e tyre, janë prezent në skenat e njohura të botës dhe për fat të mirë niveli i muzikantëve tanë është i lartë, duke qenë pjesë e skenave të njohurave botërore edhe ne krenohemi sot me ta. Nga ky fakultet kanë dalë këngëtarë të njohur si Inva Mula apo Ermonela Jaho.
Si u ideua kjo stinë jubilare koncertore?
Duke qenë që vijmë dhe pas dy vitesh pandemie, dëshira për të dalë në skenë, malli për publikun dhe duartrokitjet ishte i madh. Idesë së Dekanatit për të organizuar një stinë koncertore ju bashkuan me shumë dëshirë pjesa më e madhe e studentëve dhe Pedagogëve të shkollës, duke i shtuar jetës kulturore të Tiranës një kalendar koncertor që zgjat dy muaj. Për vetë studentët mënyra më e mirë për të punuar është dalja në skenë, ky është finalizimi i punës së tyre. Kalendari koncertor nisi në 4 prill me koncerte të studentëve, profesorëve, por jo vetëm, dhe përfundon në 8 qershor.
Përtej etiketimit si shkollë Lindore, muzika e ka identifikuar Shqipërinë dhe shkollën e saj…
Natyrisht që shkolla jonë do të bazohej diku dhe pjesa më e madhe e atyre kishin mbaruar shkolla Lindore, si konservatori Çajkovski si Çesk Zadeja apo Albert Paparisto, i cili ka qenë drejtori i parë i Konservatorit të Tiranës, pra pedagogët e parë erdhën nga Praga apo Hungaria. Gjithsesi, shkolla shqiptare e muzikës kishte një identitet të vetin dhe sot studentët që kanë mbaruar Fakultetin e Muzikës janë pjesë e orkestrave më të njohura të botës, këngëtarët shqiptarë po ashtu. Sot në fakultetin tonë vijnë studentë nga e gjithë bota që studiojnë, pa harruar që koreografia shqiptare ka ecur dhe ka patur sukses jashtë. Përderisa me artin dhe kulturën krenohen shumë vende të njohura si Austria apo Gjermania, edhe ne e kemi artin, muzikën tonë dhe pse të mos i njohim vlerat tona.
Pra këto dy muaj janë një lloj krenarie, një festë e muzikës shqiptare?
Po, është celebrim i arritjeve, por edhe kujtim i atyre që e kanë themeluar fakultetin, pra një moment respekti, do të organizojmë simpoziume për t’i thënë faleminderit për idealizmin që kanë pasur, por edhe për përkushtimin e tyre ndër vite. Do të jenë dy muaj akivitete koncertore, thuajse të përditshme. Në 8 qershor do të jetë koncerti i fundit me krijimtarinë e babait të muzikës shqiptare Çesk Zadeja i cili ka edhe 95 vjetorin e lindjes, ndaj edhe ky është shpallur si viti i Çesk Zadesë. Doja të theksoja edhe dy koncerte të tjera: me 30 maj do të kemi një koncert ku e gjithë shkolla, me korin, orkestrën dhe të gjithë studentët që kanë mbaruar ndër vite edhe pedagogët do të marrin pjesë. Një tjetër koncert që do të veçoja është ai i datës 22 maj, ku unë do të luaj me violinistin shqiptaro-gjerman Rubens Turku, një virtuoz i njohur në Gjermani, i cili luan për herë të parë nëShqipëri. Ai vjen edhe për t’i bërë shkollës një dhuratë, pasi bashkë me shtëpinë botuese Henle Verlag, pronari i saj Herr Henle dhe CEO Dr. Wolf-Dieter Seiffert, do të vijnë në Tiranë për t’i dhuruar mbi 2 mijë libra muzikorë Fakultetit të Muzikës, një thesar i vërtetë i cili do të rifreskojë bibliotekën me tituj të rinj dhe modernë.
A do të ketë edhe emra të njohur që vijnë nga jashtë?
Nga jashtë vjen Rubens Turku, por do të jenë pjesë edhe emra të njohur si: Josif Gjipali, Suzana Frashëri, Kastriot Tusha, emrat më të njohur të artit, që janë pedagogë në shkollën tonë dhe do të kenë koncerte recitale. Po ashtu edhe të gjithë pedagogët dhe studentët nga instrumentet deri tek koret do jenë të përfshirë. Numri i shfaqjeve gjatë stinës koncertore do të jetë 50 që do të mbahen në Akademi, në vende si: Kisha katolike apo Teatri i Metropolit, por do të ketë koncerte që do të shtrihen nga Kosova deri në Vjenë.
Ju sot jeni zëvendësdekane, por kur e ktheni kohën pas si studente çfarë kujtoni?
Kur kam ardhur në fakultet, kujtoj që hyrja ka qenë shumë e vështirë sepse pranimi ka qenë me konkurs, pra ishte për mua ëndrra më e madhe, sepse aty kishte emra si: Margarita (Bebi) Kristidhi, Anita Tartari, Nora Çashku, një katedër ikonë, jo vetëm për nivelin, por edhe sepse ishin zonja shumë të bukura në atë kohë, ndaj e shikoja me një ndjenjë adhurimi. Përtej viteve kjo shkollë ka pasur shumë prurje të mira dhe çdo vit kemi pasur studentë shumë të mirë dhe arritje shumë të larta, edhe ata që nuk e kanë gjetur veten këtu, kanë shkuar në shkolla jashtë ku kanë shkëlqyer. Thuajse të gjitha katedrat e Fakultetit të Muzikës falë traditës kanë pasur prurje shumë të mira që na bëjnë krenarë sot.
Si e shihni ju sot muzikën shqiptare, a kemi një brez të mirë, a ka një shije të rafinuar?
Unë di që shqiptarët janë të talentuar në muzikë, dhe kjo duket edhe në festa, shqiptarët luajnë instrumente apo kërcejnë, di që shumë fëmijë luajnë në piano dhe kjo është kthyer në modë, por sesa do ta vazhdojnë nuk di ta them. Ka shumë punë për t’u bërë në Liceun Artistik për të tërhequr fëmijë të talentuar që i dedikohen vetëm muzikës. Jemi në kohë për t’i rregulluar gjërat dhe ata që janë futur që në klasë të parë për violinë apo violonçel duhet t’i dedikohen më shumë muzikës dhe jo lëndëve të tjera. Mendoj që duhet t’i jepet më shumë prioritet lëndevë muzikore në mënyrë që edhe nxënësit të nxiten më shumë për të bërë zgjedhjet e tyre. Unë di që shumë fëmijë ndjekin kurse muzike, sigurisht që jo të gjithë do të bëhen muzikante, por mendoj që kjo është një aftësi shumë e mirë që të zhvillon së pari disiplinën dhe së dyti shijet, sepse është shumë edukative tek brezi i ri. Më pëlqen sepse në këtë mënyrë do të bëhemi një popull i edukuar dhe një popull i kultivuar dhe me shije, është një e ardhme më e mirë…!
Botuar ne BORDO maj 2022



















