KreuCelebrity

Si e nxitën ndryshimet klimatike valën e të nxehtit në Europë?

Si e nxitën ndryshimet klimatike valën e të nxehtit në

Evropa është përfshirë nga një valë rekorde e të nxehtit dhe zjarret janë duke shpërthyer në të gjithë Mesdheun.

Ndryshimet klimatike i bëjnë valët e të nxehtit edhe më të rënda, edhe më të shpeshta. Kjo ka ndodhur në shumicën e rajoneve tokësore dhe është konfirmuar nga paneli global i shkencëtarëve të klimës (IPCC) i OKB-së. Emetimet e gazrave serrë nga aktivitetet njerëzore e kanë ngrohur planetin për rreth 1.2 gradë Celsius qe nga kohërat para-industriale. Kjo do të thotë se, gjatë ngjarjeve ekstreme të nxehtësisë, mund të shënohen temperatura më të larta. “Çdo valë e të nxehtit që po përjetojmë sot, është bërë më e nxehtë dhe më e shpeshtë për shkak të ndryshimeve klimatike”, thotë Friederike Otto, shkencëtare për klimën në Kolegjin Imperial në Londër, i cituar nga REL.
Por, në valët e të nxehtit ndikojnë edhe kushte të tjera. Në Evropë, për shembull, qarkullimi atmosferik është një faktor i rëndësishëm.

Një studim i publikuar në revistën Nature këtë muaj ka zbuluar se valët e të nxehtit në Evropë janë rritur për tri-katër herë më shpejt se në pjesë të tjera të hemisferës veriore. Autorët e studimit e kanë lidhur këtë ndodhi me ndryshimet në rrymat e ajrit.

Për të zbuluar saktësisht se sa ndikojnë ndryshimet klimatike në një valë specifike të të nxehtit, shkencëtarët bëjnë “studime të atributeve”.
Nga viti 2004 janë bërë më shumë se 400 studime të tilla për ngjarje ekstreme të motit – përfshirë: nxehtësinë, përmbytjet dhe thatësirën – dhe është llogaritur se sa rol kanë luajtur ndryshimet e klimës në secilën prej tyre. Këto kanë përfshirë simulimin e klimës moderne dhe krahasimin e saj me simulimin e një klime pa emetime të gazrave serrë, të shkaktuara nga njerëzit. Për shembull, shkencëtarët në organizatën “World Weather Attribution” kanë konstatuar se vala rekorde e të nxehtit në Evropën Perëndimore, në qershor të vitit 2019, ka 100 herë më shumë gjasa të ndodhë tani në Francë dhe Holandë, për shkak të ndryshimeve klimatike që kanë shkaktuar njerëzit.

Temperatura mesatare globale është rreth 1.2 gradë Celsius më e lartë se në kohërat para-industriale. Kjo është duke shkaktuar tashmë ngjarje ekstreme të të nxehtit. “Mesatarisht në tokë, ekstremet e nxehtësisë që do të kishin ndodhur një herë në dhjetë vjet pa ndikimin e njeriut në klimë, tani janë tri herë më të shpeshta”, thotë Sonia Seneviratne, shkencëtare për klimën në organizatën ETH në Cyrih.
Temperaturat do të ndalojnë së rrituri vetëm nëse njerëzit ndalojnë së shtuari gazra serrë në atmosferë. Deri atëherë, valët e të nxehtit pritet të përkeqësohen.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF