Grasse, kryeqyteti i parfumeve!

Udhëtim në vendin me panoramën më mahnitëse, ku mund të deheni nga aromat më të rralla të botës, mes fushave me trëndafila dhe jaseminë, ku mblidhen esencat e parfumeve më të njohura.

 

Teksa shëtit me biçikletë përmes një korsie të butë dheu, aromat e forta, ajri i pastër, ngjyrat të pikturohen në sy, mes të gjelbërtëss së fushave, e herë mes të jargavantës së jaseminit dhe të gjitha koloreve të trëndafilit. Pikërisht këtu në një vend kaq magjik si Grasse, Chanel zbuloi tre shekuj më parë vendin prej nga do të vinin esencat e parfumeve të famshme dhe kaq të dashura sot.

I vendosur në veri të rivierës Franceze, qyteza Grasse është e famshme vetëm për një gjë: parfumet. I njohur si kryeqyteti botëror i parfumeve, kjo industri për qytetin u bë e njohur në shekullin e 18-të. Grasse ndodhet në jug të Francës, 22 kilometra në veri të Kanës dhe 46 kilometra në jugperëndim të Nicës. Aty mund të shkoni me makinë ose tren, por edhe me ture ditore të organizuara në grup. Parfumi është arsyeja kryesore që shumë vizitorë shkojnë në qytet, aty ka shumë gjëra të tjera për të zbuluar.

Tregtia me maurët në shekullin e 16-të i dha qytetit jasemin, si vend i përkryer për rritjen e kësaj luleje aromatike. Zona ka klimë të ngrohtë, me ajrin e detit dhe kodra pjellore, ku kultivoheshin lule si: livando, trëndafil, lule portokalli, mimoza e egër e shumë të tjera. Në vitin 1747, aty u themelua parfumeria më e vjetër në Francë dhe e treta më e vjetër në Evropë, e cila pati ndikim në të gjithë elitën evropiane. Në Grasse ende ekzistojnë tre parfumeri historike: Galimard, Molinard dhe Fragonard, të cilat mund të vizitohen nga publiku dhe ku mund të shihni se si lulet nga natyra bëhen parfume dhe produkte kozmetike. Galimard, është parfumeria e tretë më e vjetër në Evropë. Molinard, u themelua në vitin 1849 dhe tërhoqi vëmendje që në fillim për flakonët e qelqit Lalique dhe kristalet Baccarat. Parfumeria Fragonard, mori emrin e piktorit të famshëm francez Jean-Honoré Fragonard, një vendas nga Grasse dhe është po kaq e rëndësishme sa dy të parat. Qyteti ka dhe Muzeun e Parfumit, i cili u hap në vitin 1989 dhe konsiderohet një udhëtim 5000 vjeçar në historinë e parfumit.

 

Rëndësia e luleve në Grasse është e pdiskutueshme. Jasemini dhe trëndafilat e majit që rriten këtu, janë ato që e bënë Chanel No. 5 të famshëm në botë. Jasemini është një lule shumë e njohur e qytetit, ndaj çdo vit, për tre ditë në verë, organizohet La Jasminade, festivali dedikuar simbolit të qytetit. Nëse shkoni në gusht, paradat, tezgat me lule, vallëzimi dhe më shumë aktivitete, përbëjnë festivalin e jaseminit.

Qyteti i vjetër është zona historike, ndaj filloni vizitën nëpër rrugët me ndërtesa të vjetra dhe kafene në katet e para, ku mund të shijoni ngrohtësinë e diellit dhe një gotë proseko. Place des Herbes, është sheshi famoz i qytetit me një treg publik dhe po aty gjendet edhe Hôtel de Ville, ndërtesa e bashkisë me një portë hyrëse të mrekullueshme, një oborr shatërvan dhe disa skulptura. Duke qenë një qytet me një histori të pasur në një fushë kaq specifike dhe me famë botërore, shumë nga gjërat që mund të bëni në Grasse sillen rreth statusit  si kryeqytet botëror për parfumet, por nga ana tjetër, kjo nuk e zbeh madhështinë e tij në epoka të ndryshme. Vizitoni muzeun e Artit dhe Historisë së Provencës, në Bulevardin du Jeu de Ballon, një zonë me ndërtesa të bukura historike të shekullit të 18-të. Muzeu ka objekte të fisnikërisë mesjetare, nga sendet e luksit tek instrumentet muzikore qe ilustrojnë historinë magjepsëse të Francës.

Katedralja Grasse e ndërtuar në shekullin e 12-të, është një shembull mahnitës i arkitekturës romane, me gur relativisht të thjeshtë në pjesën e jashtme, por me ekstravagancë baroke në brendësi. Pranë katedrales ngrihet kulla Saraçen 30 metra e lartë, një pikë referimi dhe ikonë e qytetit. Palais du Kongres e njohur si kazinoja e vjetër, u ndërtua në 1895 nga Alban Gaillandre, me stilin e Belle Époque. Më parë aty kishte një kazino, një sallë koncertesh, dhoma festash private, një restorant dhe një kafene, derisa u shndërrua në hotel në 1908, duke rilindur më pas me hapjen e dhomës Baccarat në 1919 dhe një kinema.

Fshati Plascassier 7 kilometra larg qytetit, është vendi ku vdiq këngëtarja franceze Edith Piaf. Plascassier ka një marrëdhënie të ngushtë me Grasse, sepse furnizon parfumierët me jasemin, pasi vetëm në këtë fshat janë kultivuesit kryesorë të jaseminit. Aty mund të vizitoni Domaine de Manon, një kishë të shekullit të 17-të.

Mund të bëni një shëtitje në Castellaras, e cila ofron një pamje mahnitshme, prej nga mund të shihen fushat me trëndafila dhe jaseminë nga mëngjesi deri në perëndimin e diellit…

 

Ku të rrish në Grasse ?

Ka shumë vende ku mund të qëndrosh në qytet, por ju sugjerojme vilat që ndodhen në pjesën jugore, të cilat kanë një stil unik dhe akomodim tipik francez elitar.

 

Çfarë të shijosh në Grasse ?

Aty mund të shijosh edhe disa restorante me yll Michelin, por ushqimet tipike që duhen provuar janë ëmbëlsirat, padyshim ato me bazë çokollatën që janë mbretëresha e tavolinës

 

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article