KreuArt

Armando Likaj: Jetoj çdo ditë me operën

I talentuar dhe energjik, me 45 role në një hark kohor prej shtatë vitesh në skenën operistike, Armando Likaj, rrëfen karrierën, hapat e parë drejt artit dhe emocionet e familjes së re

Ditët e tij tashme kanë ndryshuar kryekëput. Ato kanë më shumë dritë se kurrë. Thuajse çdo mëngjes e nis me një koncert të vogël brenda katër mureve të shtëpisë, para një publiku të privilegjuar. Olta, bashkëshortja e Armando Likaj, së cilës dikur i këndonte opereta të ëmbla dashurie, tani ka kaluar në rreshtin e dytë, pasi në të parin është Natanieli, i biri i sapolindur, të cilit baritoni 33 vjeçar, i këndon çdo ditë.

Ka pak ditë që është kthyer nga Kuvajti, por suksesi që pati aty me “Berberin e Seviljes”, nuk është asesi një arsye për të pushuar. Jeta e tij është e lidhur pazgjithshmërisht me operën, ndaj ngjiti rrëmbimthi shkallët e Teatrit të Operas, ku e pret një tjetër rol. Baritonit Armando Likaj, i kanë besuar rolin e Eskaminos në operën “Carmen”. Edhe pse shumë i ri, energjik, plot talent, ai e di se çdo rol do impenjim. Në vesh i përzihen tingujt nga aria e “Berberit të Seviljes”, e cila hapi koncertin në Kuvajt, po nuk ka kohë të shijojë atë që iku, një tjetër emocion e mban peshë.

Në skenën operistike partnerët e tij janë soprano Eva Golemi, Vikena Kamenica, por veçon bashkëpunimet krah Ermonela Jaho, Inva Mula apo Saimir Pirgu, emra të cilët jo vetëm e frymëzojnë, por edhe i japin një tjetër mision, atë të realizimit me sukses të çdo roli që i besohet. “I përmend këta emra, sepse kanë sjellë nga jashtë eksperiencën e tyre, dhe e ndjej veten të vlerësuar”, pohon baritoni 33 vjeçar, i cili ka dhjetëra role në repertor që nga starti shtatë vjet me parë në Teatrin e Operës. Të mendosh që është vetëm 33 vjeç dhe ka realizuar me sukses 45 role është një arritje. “E jetoj çdo ditë operën. Jam një person modest më shumë se sa duhet dhe këtë ma vënë në dukje shpesh. Mundohem të jem sa më i thjeshtë. E pranoj dhe më pëlqen kjo gjë sidomos në botën shqiptare kur flas për profesionin tim. Janë 45 role që tregojnë punën, kohën, impenjimin tim. Është pasioni dhe dashuria që kam për këtë punë, puna intensive, që më ka mbajtur gjallë, është ai motorri që më thonë ‘je kafshë e punës’. Faleminderit Zotit, sepse më ka dhënë fuqi dhe nuk di të sëmurem. Besoj tek fuqia që duke qenë shpirtërisht mirë arrin qëllimet”-pohon Armando, pa e fshehur se ka kritika ndaj vetes, i bindur gjithmonë se ka dhe më mirë, edhe atëherë kur merr komplimente për personazhet në opera.

Netët kur gdhihej në Opera

Për një bariton si Armando Likaj puna ka qenë e madhe dhe vazhdon të jetë. Për të qenë gjithmonë në formë dhe për të performuar më të mirën para publikut. “Ka pasur raste që e kam gdhirë në Teatrin e Operës, ka pasur raste që për 7 ditë kam përgatitur një rol dhe kam dalë në skenë. Kam punuar në mënyrë të llahtarshme dhe këto janë të sakrificat. Të rrish pa gjumë të studiosh me intensitet nuk është pak. Sakrifica është, por e kam bërë dhe nuk ndihem kurrë i lodhur dhe do vazhdoj ta bëj. Kur e do punën dhe e bën me pasion nuk lodhesh kurrë”. Nuk  është ndalur as kur koha e sakrificave ka qenë e madhe dhe pagesat ishin tmerrësisht të pakta, por falë familjes që e ka ndihmuar shumë, nuk u kthye pas. Ndërsa të tjerë janë djegur profesionalisht për shkak se jeta artistike ka shumë mundim, ai ka bërë sakrifica dhe nuk u dorëzua kurrë. Për artistin shkodran familja ka qenë gjithmonë pranë tij, pa harruar ndihmën e kolegëve. “Në familje më thonë: mbaj qetësinë në punë. Më kanë ushqyer pasion dhe vullnet. Ndërsa profesionalisht kam korepeditoren time Ingrid Pulizo, pianistja që punoj paradite dhe pasdite, një njeri me vullnet të hekurt. Ndihmesë janë dhe kolegët që kanë vite para meje në skenë, kanë një eksperiencë më të madhe se sa unë dhe i mirëpres kritikat e tyre. Ata kanë ecur përkrah meje dhe marr gjithmonë më të mirën në bashkëpunimet me ta”.

Në lice për kitarë dhe sot një bariton

Në familje nuk ka artistë, por dikur e motra kishte pasion për të qenë këngëtare, por mes tre fëmijëve, drejt artit shkoi vetëm Armando. “U bëra artist, por ka qenë një ëndërr që e kishte ime motër në fillim, e cila këndonte në Shkodër dhe ma ushqente gjithmonë këtë. Që 5 vjeç kam ditur të këndoj dhe kërcej shumë bukur. Do të kisha dashur shumë të isha një balerin nëse do të kishte shkollë baleti në Shkodër, madje kam qenë në Ansamblin e Shkodrës për 4 vite. U rrita në Shtëpinë e Pionerit në Shkodër, e cila më ndihmoi dhe më frymëzoi të merrem me art”. Ka qenë i madhi Luk Kaçaj i cili e dëgjoi në një koncert në 1998 dhe i tregoi se kishte një potencial vokal, ndaj duhej të merrej me operën. Armando këndonte në koncerte të ndryshme dhe donte të vazhdonte liceun për kanto, por vazhdoi për kitarë. “Akademinë e Arteve e bëra për kanto falë frymëzimit që më dha Luk Kaçaj, por edhe duke punuar me një emër të rëndësishëm si kompozitori dhe dirigjenti Zef Çoba, me të cilin bashkëpunova dy vite me korin e tij në Shkodër”.

Armandos ju desh të braktiste kitarën, kur ‘takoi’ operën. “Me operën sot kam mundësi të kërcej, interpretoj, të këndoj, falë zotit dhe talentit që kam. Jam diplomuar për kitarë në liceun “Prenk Jakova” në Shkodër dhe në Akademi punova vetëm dy javë para konkursit, me profesor Burhan Spahiun, por si duket isha natyrë që dija ti kërkoja gjërat. Roli i parë i plotë ishte Konti Almaviva në operën  “Dasma e Figaros”  në skenën e Akademisë së Arteve në 2008. “Më pas vijuan të tjerë role si Don Xhovani, ndër kryeveprat e baritonëve me të cilin u vlerësova me çmimin “Kult” në 2014, Figaro në “Dasmën e Figaros” Moxart, te “Berberi i Seviljes” në skenë me Figaron e famshme të Rossinit, Papagenon te “Flauti Magjik”, etj. Përgjithësisht janë role të Moxartit dhe Rossinit në aktivitetin tim. Nga Donixet  “Ana Bolena” me rolin e mbretit Henriko. Në Siçili interpretoj Zhermon nga opera “La Traviata”. Por këtë rol në “La Traviata” në skenën shqiptare nuk e ka kënduar ende. “Nuk dua të prek repertor pak më të rëndë se sa mosha që kam. Dua ti bëj pak gjërat me komoditet, që të interpretoj si duhet”, rrëfen baritoni me plot 45 role në skenë.

Një baba i ri

E nis ditën shumë më herët se sa e kam nisur më parë, tregon baritoni. Dita nis duke i kënduar djalit të tij. “Im bir Nataniel ka lindur më 2 dhjetor, në datën e lindjes së sopranos së madhe botërore Maria Callas, një shenjë që tregon dhe për dashurinë që kam për operën. Djali më ka lumturuar nga ana shpirtërore. Diçka që ka ndryshuar për mua, e nis ditën shumë herët, mua më zgjon im bir duke kënduar sepse i këndoj gjithmonë. Kjo është ajo që ka habitur dhe partneren time Oltën, sepse nuk ia merrte mendja që do të isha kaq i përkushtuar”, tregon baritoni. Që nga koha kur djali i erdhi në jetë, baritoni e shikon ditën më me dritë. Edhe kur ka qenë i impenjuar nuk i ka qenë shumë pranë Oltës gjatë shtatzanisë, ndaj asaj nuk ia merrte mendja që ai do të kishte këtë përkushtim me të birin.

Olta është një simpatizuese e artit dhe të dy janë njohur në TOB. “Jeton ajo me mua dhe unë me atë. Kur kemi kohën të lirë tashmë epiqendra kryesore e bisedave tona është djali ynë. Kjo është e bukura që po jetoj krah Oltës dhe tim biri”, pohon Likaj. Raporti i tij me Oltën ka nisur duke bashkëjetuar dhe vijon ende ashtu. Martesën e kanë menduar, por është shumë e kushtueshme, por edhe sepse kanë në mendje një dasëm të veçantë, që do të thotë diçka që u pëlqen të dyve. ‘Shpresoj që nëse do të kemi punë të mirë të mbarë dhe të ardhura, ndoshta pse jo dhe në 1 vjetorin e djalit mund të kemi një dasëm”, shprehet ai.

 

Botuar në revistën BORDO në muajin prill 2017

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF