
Mbreti Charles premtoi se do të ndjekë shembullin e nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth, ndërsa u shpall zyrtarisht monarku i ri i Britanisë në një ceremoni historike. Charles u bë menjëherë mbret pas vdekjes së nënës së tij, por sipas një tradite shekullore, ai u shpall zyrtarisht monark në St James – pallati mbretëror më i vjetër në Mbretërinë e Bashkuar. Të premten, ai iu drejtuar vendit – një ditë pasi mori fronin.
Me të mbërritur në Pallatin Buckingham në Londër të premten, Mbreti Charles III dhe gruaja e tij, Camilla, dolën nga makina e tyre për të përshëndetur turmën e dashamirësve. Një bir i trishtuar për humbjen e nënës së tij dhe një komb që ndan dhimbjen me të, thote VOA.
Të veshur me të zeza, ligjvënësit britanikë u mblodhën në një seancë parlamentare të rrallë.
Mbreti Charles zhvilloi takimin e tij të parë me Kryeministren Liz Truss, vetëm tre ditë pasi ajo mori postin. Më pas mbreti iu drejtua vendit nga Pallati Buckingham. “Ashtu sikurse veproi mbretëresha me një përkushtim të palëkundur, edhe unë zotohem solemnisht, që gjatë kohës që Zoti më jep, të mbështes parimet kushtetuese në zemër të kombit tonë”. Mbreti përfundoi fjalimin me një mesazh për nënën e tij.
“Për nënën time të dashur: Ndërsa fillon udhëtimin e fundit për t’u bashkuar me babain tim të dashur të ndjerë, dua thjesht të them: faleminderit. Faleminderit për dashurinë dhe përkushtimin tënd ndaj familjes sonë dhe ndaj familjes së vendeve që i ke shërbyer me kaq zell gjatë gjithë këtyre viteve. U prehsh mes engjëjve”.
Britania ka humbur mbretëreshën e saj – fillin që gjatë shtatë dekadave lidhi brezin e pasluftës dhe botën moderne – që përfaqësonte vlerat dhe imazhin e Britanisë. Dhimbja do të ndihet thellë. Por ndërsa po përfundon epoka e Mbretëreshës Elizabeth, një epokë e re fillon nën Mbretin Charles III.



















