Nga Anita Aliaj
Fotografia: Leo Arapaj
Gjithmonë kam menduar se një artist është i paplotë nëse i mungon dashamirësia, pozitiviteti, modestia. Sigurisht që këto tipare janë të rëndësishme tek çdo qenie humane, por nuk e di pse kur i mungojnë një artisti/e më duket sikur ia zbehin talentin. Kisha bindjen se Era Rusi, ende pa e takuar dhe komunikuar me të, hynte tek artistët e vërtetë, dhe intuita nuk më zhgënjeu. Era, me sinqeritet rrëfeu për “Bordo” detaje nga rrugëtimi i saj në art por edhe nga jeta e saj private, për të cilën kemi jo pak kuriozitet duke qenë se këngëtarja gjithmonë ka qenë shumë e rezervuar. Do ta cilësoja një rrëfim emocionues nga i cili zbuluam edhe se Era tashmë e ka zemrën plot, dhe është në një fazë të rëndësishme të jetës së saj. Ndoshta shumë shpejt artisten do ta shohim në një dimension tjetër, atë të nënës, pasi sikurse ajo tha dëshira e saj për të patur një fëmijë është e jashtëzakonshme dhe uron të ndodhë shumë shpejt..
Si ishte rikthimi në normalitet për Era Rusin, pas një pauze relativisht të gjatë për shkak të pandemisë?
Rikthimi në jetën artistike ka qenë goxha i vështirë. Muzika ishte biznesi i fundit që u rimëkëmb pas pandemisë madje edhe atëherë me shumë kufizime oraresh disi edhe të pakonceptueshme nga të gjithë artistët. Në fakt ishim mësuar të nisnim punën në orën 23:30 e ta mbyllim thuajse mëngjeseve rreth orës 4:00, ndërkohë që pas pandemisë oraret ishin 20:00-23:00. Në atë kohë kemi qenë të gjithë shumë të frikësuar, nuk e dinim nëse vërtet kishte përfunduar pandemia apo do të kishte një rikthim të dytë, të tretë… Njerëzit ishin të etur për muzikë, për t’u argëtuar dhe për t’u dëfryer, gjithashtu edhe unë u riktheva me shumë mall për muzikën dhe publikun. Situata u normalizua me hapa shumë të ngadaltë, por me shumë sportivitet e menaxhova dhe nuk e lejova veten të demoralizohesha. Ndoshta edhe nga fakti që e kisha menduar një pauzë përpara pandemisë. Kisha nevojë t’i kushtohesha pak vetes dhe familjes. Faktori më i rëndësishëm ishte mësimi që nxora, rëndësia e kohës që i kushtojmë familjes dhe shëndetit. Asnjë çmim, koncert, këngë… asgjë për mua nuk ka kuptim nëse këto të dyja nuk janë mirë.
Një jetë dedikuar muzikës, sa i vështirë ka qenë rrugëtimi juaj?
Edhe një jetë tjetër të kisha, sërish të njëjtin pasion do të zgjidhja. Nuk e kam imagjinuar kurrë veten jashtë skenës. Fillimet nuk janë asnjëherë të lehta edhe atëherë kur mendon se ke arritur diku, duhet të luftosh ta mbash ritmin, madje të luftosh për më lart. Të jesh artist në vendin tonë është shumë e vështirë qoftë nga ana ekonomike (sidomos në fillime ku të ardhurat janë zero dhe investimi është goxha i lartë), qoftë nga mentaliteti lokal ku muzika ‘live’ nuk vlerësohet sa duhet. Ka shumë gjëra që nuk funksionojnë, më marrin më shumë kohë dhe energji se sa duhet për shkak të vetëmenaxhimit, ndërkohë që kur vjen momenti i performancës nuk e shijoj dot ashtu siç do ta doja nga lodhja. Nganjëherë vetëm kur shoh veten në TV, apo nga mesazhet e dashamirësve, kuptoj çfarë impakti ka patur një këngë. Deri në atë moment çdo gjë e përjetoj me shumë emocion. Vështirësitë janë njësoj si në fillim ashtu edhe sot. Ato nisin nga materialet muzikore, ne nuk kemi një strukturë të mirëfilltë si studiot diskografike nëpër botë ndaj dhe më duhet të jem shumë e kujdesshme, të vlerësoj çdo material të propozuar nga çdo studio për këngën që më përshtatet më shumë. Tekstet e këngëve janë një tjetër element i rëndësishëm, shpesh është edhe çështje frymëzimi por, tregu ynë artistik ka pak tekstshkrues cilësorë dhe shumë kërkesë. Megjithatë, sado i vështirë që është ky rrugëtim, është gjithashtu një magji që më mbush shpirtin me ajër, dashuri, shpresë dhe jetë.
Cili është momenti më i bukur gjatë karrierës suaj që gjithmonë e kujtoni me nostalgji?
Karriera ime ka patur shumë momente të bukura që në vegjëli, mund të veçoj “Festivalin Europian të Fëmijëve”, atë Botëror në Kairo, e deri ditët e sotme (të tjera të bukura na presin). I kam ngjitur shkallët e karrierës një nga një dhe me hapa të sigurt. Natyrisht, ka patur uljet dhe ngritjet e veta si në çdo profesion por kur e dashuron atë që bën, sakrifikon dhe punon shumë, asgjë nuk të pengon dot të realizosh ëndrrën tënde. Një rast që mund të veçoj përpara pandemisë ishte një koncert në USA. Unë shkoja për herë të parë dhe të them të drejtën isha shumë e emocionuar pasi nuk e dija si do të më priste publiku atje. Kur hyra në sallë publiku u ngrit i gjithi në këmbë me duartrokitje (emocionohem edhe tani kur e kujtoj) dhe nuk kanë reshtur një moment së kënduari bashkë me mua, aq sa në fund të performancës nuk më linin të ikja (qesh). Kur dëgjoja brohoritjet e tyre që thërrisnin emrin tim njëzëri, pa e kuptuar filluan të më rridhnin lot gëzimi.
Secili artist ka muzën e vet, po Era ku e gjen frymëzimin?
Ahhh frymëzimi! Në fakt procesi i prodhimit të një materiali muzikor nis si një bisedë në tavolinë për të gjetur fillimisht tematikën. Pastaj në studio bashkë me kompozitorin dhe tekstshkruesin provojmë idetë, tonalitetet, derisa arrijmë të kemi një demo që na pëlqen të gjithëve dhe e zhvillojmë. Unë jam shumë e dhënë pas muzikës së viteve ’80-’90 dhe nganjëherë më quajnë ‘demode’(qesh). Por sinqerisht mendoj që dikur muzika kishte melodi, teksti kishte kuptim dhe mesazhe të forta dashurie apo edhe sociale. Sot kam ndjesinë se gjithçka është kthyer në një prodhimtari të shpejtë, komerciale dhe ndoshta prandaj jo gjithnjë e gjej veten. Mundohem të bëj këngë të mira për ata të cilët vërtet e shijojnë muzikën dhe pastaj të tjera që janë më komerciale të cilat i kërkon tregu.
Çfarë këshille do t’i jepje vetes nëse do të ktheheshe pas në kohë dhe do të ishe në fillimet e karrierës?
Erës së vogël do t’i thosha mos të humbasë kohë duke menduar e stërmenduar çdo gjë, çfarë do të thonë të tjerët, nëse do t’ju pëlqejë apo jo, sepse nuk mund t’ju pëlqesh të gjithëve dhe gjithmonë do të kenë diçka për të thënë. Gjithashtu të mos mërzitet kur nuk merr atë që meriton, sepse jeta i ka këto dhe duhet marrë me sportivitet sado të vështira të jenë situatat. E rëndësishme është të luftosh me dinjitet dhe të qëndrosh stoike.
Thonë se në art është e vështirë të gjesh miqësi të vërtetë, çfarë mendoni për këtë? Mund të veçosh dikë?
Miqësia është fjalë e shenjtë! Shumë njerëz ngatërrojnë një të njohur apo koleg me miqtë. E vërtetë është që në art është e vështirë të gjesh miqësi të vërtetë por jo e pamundur. Unë jam me fat dhe gëzoj shumë miq të mrekullueshëm.
Si është një ditë e zakonshme për Erën?
Ditët nuk janë asnjëherë të zakonshme (qesh). Mund të flasim me sezone më mirë. Në sezonin e verës ditët dhe netët janë më intensive, me muzikë dhe pak pushime të alternuara sipas qytetit ku ndodhem. Në tetor jam pak më e qetë dhe preferoj të qëndroj në shtëpi në shumicën e kohës pasi e quaj një periudhë çlodhjeje. Më pëlqen shumë të gatuaj për familjen apo miqtë madje dhe të eksperimentoj në kuzhinë. Pastaj sa hap e mbyll sytë vjen nëntori dhe deri në mars është sezoni që unë e quaj ‘më shumë në avion se në tokë’ pasi janë koncertet jashtë Shqipërisë. I dua shumë emocionet që më jep diaspora jonë, ma ngrenë shpirtin peshë.
Çfarë vlerësojnë te ju njerëzit që ju rrethojnë?
Kjo është një pyetje që u përket të tjerëve të përgjigjen (qesh). Jam shumë e dashur, mundohem të jem e drejtë, e sinqertë, të ndihmoj njerëzit (nganjëherë edhe më shumë se sa duhet në fakt).
Keni projekte të reja muzikore? Mund të ndani me ne detaje nga to?
Kam shumë projekte dhe dëshira për t’i shndërruar në emocione për publikun, por akoma diçka të përfunduar që të mund ta ndajmë bashkë në këtë moment. E vetmja gjë që mund t’ju them është se materiale shumë të bukura do të vijnë.
Ka një këngë që ju identifikon?
Mendoj se temperamentit tim si artiste i shkon shumë kënga “Ti e di” por nëse do të pyesnit publikun me siguri do të thoshin “Telat e zemrës”, vazhdon të jetë kënga ime më e klikuar dhe e pëlqyer. Dashuria e mban shpirtin të ri gjithmonë.
Në çdo dalje reflektoni pozitivitet me buzëqeshjen që ju karakterizon; A mërzitet ndonjëherë Era? (qesh) Çfarë ju mërzit më së shumti?
Sa shuuumë herë mërzitem (qesh). Jeta nuk është si në Instagram. Mundohem që njerëzve t’ju transmetoj pozitivitet sepse kemi shumë nevojë si popull. Ajo që më mërzit më shumë te njerëzit është mosmirënjohja dhe fasada e shëmtuar që disa shesin për t’u dukur sikur jetojnë një jetë e cila në fakt nuk është e tyre. Unë kam zgjedhur të jem e vërtetë edhe në këtë kohë tranzicioni artistik, emocional dhe vlerash. Jam e qetë gjithmonë brenda vlerave me të cilat jam rritur dhe dua kaq shumë.
Të gjithë e kemi të paktën një person me të cilin ndajmë gjithçka; kush është ai/ajo me të cilin flisni pa dorashka?
Jam e drejtpërdrejtë dhe më pëlqen sinqeriteti. Kam tri motra, një biologjike dhe dy të tjerat i kam zgjedhur vetë (qesh). Jam e bekuar, mendoj se është fat i madh të kesh njerëzit e duhur në jetë.
Gjithmonë shumë e rezervuar për jetën private, mos ndoshta ka ardhur momenti të ndani diçka me ne? Është dikush në zemrën e Erës?
Ju thashë që më pëlqen të gatuaj dhe ajo dëshirë nuk ka ardhur kot (qesh). Kam zemrën plot dhe kjo është një fazë e rëndësishme e jetës sime. Por sërish mendoj se jeta private e një artisti duhet të mbetet private.
Je një teze që ke një marrëdhënie të jashtëzakonshme dhe shumë të bukur me mbesat; po nënë a do ta shohim Erën së shpejti?
I adhuroj mbesat e mia dhe më pëlqen shumë të jem tezja e Lurës dhe e Tarës, i shijoj shumë, janë të mrekullueshme. I kam bërë dhe praktikat e para për kur të kem fëmijët e mi (qesh). Dëshira për të qenë nënë është e jashtëzakonshme dhe uroj të realizohet shpejt. Dëshirat e një artisteje dhe planet e jetës shpeshherë janë kapriçoze, por unë jam stoike në besimin tim për familjen që dua dhe do të kem, uroj së shpejti.
Botuar në revistën BORDO (print), nëntor 2022!



















