Nga Anita Aliaj
Fotografia: Leo Arapaj
Propozimi për të drejtuar një program televiziv duket se erdhi në momentin dhe kohën e duhur për Brikenën, atëherë kur edhe ajo vetë po e mendonte ndryshimin. Folësja simpatike e lajmeve la karrigen statike për të ardhur pranë teleshikuesve me një program, tek i cili ajo do të ketë mundësinë të diskutojë më gjerë mbi tematikat që vazhdimisht do të jenë të lidhura ngushtë me aktualitetin. Brikena Prifti rrëfen për “Bordo” emocionet e kësaj eksperience të re, por edhe detaje e të pathëna rreth programit të pasdites..
Sapo keni mbyllur një kapitull të rëndësishëm të karrierës suaj (atë të lajmeve), si ndiheni?
Nuk do ta quaja një kapitull të mbyllur, por një faqe të re në karrierën time sepse edhe në emisionin e ri që do të drejtoj, informacioni dhe aktualiteti do të zënë pjesën më të rëndësishme. Është kjo arsyeja përse unë e pranova këtë sfidë të re, për shkak se ajo është ngushtësisht e lidhur me informacionin, gjë nga e cila nuk do të heq kurrë dorë. Nuk e mendoj veten larg lajmit.
Të ndryshosh shtëpi nuk është edhe aq e lehtë; Si erdhi propozimi për të moderuar “Vizionin e Pasdites” dhe sa i vështirë ishte ky vendim?
Nuk ishte e lehtë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një shtëpi të madhe ku je rritur dhe je ndjerë mirë, por ideja për të drejtuar një emision ishte mjaft grishëse. Më erdhi në një moment kur në fakt po e mendoja se në një të ardhme të afërt duhet të ndryshoja diçka. Informacioni ka ritëm dhe nuk e pranon rutinën, por në të njëjtën kohë as nuk e ndryshon atë. Nuk jam natyrë që më pëlqen të rri në vend, sado i rehatshëm të jetë një mjedis, ndaj mendoj se ishte momenti i duhur për një lëvizje të tillë.
Mund të ndani me ne detaje rreth programit? Çfarë do t’i ofroni teleshikuesve?
Sezoni i ri i programit është parashikuar të vijë më i plotësuar dhe më i fortë nga pikëpamja tematike. Përtej intervistave me personazhe të dashur të ekranit, rubrikave argëtuese apo historive njerëzore, në fokus do të jenë edhe ngjarjet e aktualitetit. Trajtimi i problematikave të ndryshme në 360 gradë e gjërat utilitare në jetën tonë të përditshme, do të kenë një vëmendje të veçantë. Duam të shkojmë te shikuesit si një emision që u shërben në aspekte të ndryshme, jo vetëm për të vrarë kohën.
E kishit menduar më herët veten nën moderimin e një programi të tillë?
Po. E kam menduar gjithmonë veten, përveç studios së lajmeve, në formate që investojnë në mirëinformimin e publikut apo që janë më pranë tyre. “Vizioni i Pasdites” është një format që i ka rezistuar viteve, me punën e shumë figurave profesionistësh, gjë që më rrit përgjegjësinë për të qenë në nivelin e duhur, jo vetëm për ata që besuan të më jepnin timonin e këtij emisioni, por edhe për të qenë aty ku duhet për shikuesit besnikë të pasdites në Vizion Plus.
Ky është një rrugëtim i ri televiziv për ju, si po e përjeton Brikena këtë eksperiencë të re?
Po e përjetoj me emocionet e diçkaje të re dhe të bukur. Po përpiqem të jem pjesë e çdo procesi, që nga studioja e re, promoja, idetë për emisionet e para. Po e ndjek në detaje, sepse përndryshe do të humbja një pjesë të mirë të emocioneve dhe energjisë që të jep një punë e nisur që në zanafillë. Më duket sikur po e ndërtojmë nga e para edhe pse “Vizioni i Pasdites” është një emision i konsoliduar tashmë dhe që ka shikueshmërinë e tij besnike.
Nëse do të duhej të zgjidhje në mes cilësive që ju karakterizojnë, cilën prej tyre do ta veçoje si çelësin e suksesit?
Siç e thashë, jam shumë kërkuese ndaj vetes dhe për pasojë pres që gjërat të jenë të sakta dhe në perfeksion. Këmbëngulja për të realizuar çdo gjë si duhet dhe e qëna në kontakt të vazhdueshëm me aktualitetin, të cilat, nëse arrin t’i bësh bashkë me korrektësinë, janë një armë e fortë për të mos u ndalur para asgjëje dhe për të mos u dorëzuar kurrë për të realizuar veten profesionalisht, pavarësisht pengesave sporadike që dalin rrugës.
Gara e programeve të pasdites është goxha e fortë, si e shikon Brikena?
Njeriu është gjithnjë në garë, por për të qenë i plotësuar dhe për të patur sukses mendoj se së pari duhet të jemi në garë me veten. Duhet të bëjmë çdo ditë më mirë se dje. Kjo është gara më e fortë dhe vetëm kështu do të arrijmë atë çfarë synojmë. Duhet të punojmë pa ndalur. Dhe me ekipin që kam gjetur në Vizion Plus, besoj se do të jetë gjithçka më e lehtë.
Si e pritën njerëzit e tu të dashur largimin nga lajmet? I dëgjon Brikena këshillat dhe a ndikohesh prej tyre?
Qe një valë reagimesh pozitive. Tek-tuk pati edhe skeptikë. Por të gjithë këto zëra e këshilla, të miksuar bashkë, dhanë këtë rezultat. Dhe në përfundim, të gjithë qenë mbështetës të idesë që unë të merrja drejtimin e “Vizionit të Pasdites”, si një hap përpara në karrierën time. Çdo këshillë është e mirëpritur. Mjafton që ato burojnë nga njerëz pozitivë dhe miqësorë me mua, të cilët duan të më shohin gjithnjë e më mirë dhe më të realizuar në karrierën time.
Ka një mesazh Brikena për të gjithë teleshikuesit?
Kam një të shkurtër: Çdo ditë telekomandën te “Vizioni i Pasdites”, në orën 17:50!
Botuar në revistën “BORDO” (print), dhjetor-janar 2023