KreuFashion

Këndi i kuzhinës/ 7 receta me luleshtrydhe

Hyni në botën e një fruti kaq magjik me të cilin mund të krijoni disa nga recetat më të pabesueshme, të shijshme, por edhe të shëndetshme që mund të përgatiten brenda pak minutash

Aromatike dhe shumë të shijshme. Luleshtrydhet janë një asortiment shumë delikat, por nëse dini t’i gatuani, me to mund të gatuani receta të cilat do t’ju kushtojnë më pak se 30 minuta kohë përgatitje, nga sallatat e shijshme, deri tek ëmbëlsirat apo aperitivët klasikë. Sa i përket vetive dhe vlerave ushqyese, mos harroni se luleshtrydhet janë shumë të pasura me vitaminë C. Ato gjithashtu kanë pak kalori: në 100 g luleshtrydhe gjenden rreth 30 kalori. Po ashtu ato janë të pasura me kalcium, maganez, fosfor, potas, beta-karotinë dhe shumë Vitaminë B. Luleshtrydhet kanë shumë antioksidantë, përbërës të cilët ndikojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare.


Bëni kujdes në zgjedhjen e luleshtrydheve të duhura. Kërkoni në treg luleshtrydhet me ngjyrë të kuqe të shndritshme, sepse ato janë të sapovjela. Luleshtrydhet nuk mund të mbahen më shumë se 2 ditë në frigorifer, ndryshe humbasin ngjyrën e tyre natyrale. Tani a jeni gati për disa receta të shpejta dhe shumë të shijshme? Ne po ju sugjerojmë disa të shpejta dhe shumë praktike.

Luleshtrydhe me çokollatë


Përbërësit: 300 gr luleshtrydhe dhe 80 gr çokollatë e zezë
Përgatitja: Fillimisht grijmë hollë çokollatën dhe më pas me banjomari e shkrijmë atë.
Lajmë shumë mirë luleshtrydhet dhe i thajmë me një letër kuzhine. Duke i mbajtur nga bishti i zhysim në çokollatën e shkrirë deri në gjysmë. I kalojmë të gjitha luleshtrydhet në çokollatë dhe më pas i vendosim duke i mbështetur tek njëra-tjera, në një tavë ku kemi vendosur letër kuzhine. I lëmë për një orë derisa çokollata të ngrijë tërësisht.

Krepa me nutella dhe luleshtrydhe


Përbërësit: 3 Vezë, 1 filxhan çaji qumësht, 2 filxhanë çaji miell, 1 filxhan çaji ujë, 3 lugë vaj ulliri, pak kripë, Nutella, luleshtrydhe dhe biskota
Përgatitja: Rrahim vezët në një tas, më pas hedhim qumështin, ujin, kripën, vajin dhe miellin. I trazojmë mirë dhe e lëme për 30 minuta brumin të pushojë në frigorifer. Mos harroni brumi duhet të jetë tipik për krepa. Nisim me përgatitjen e krepave, të cilat duhet t’i pjekim fort në zjarr të ngadaltë në mënyrë që të mos krijohen flluska. Më pas realizojmë mbushjen: shtrojmë një shtresë nutella, pastaj luleshtrydhet dhe biskotat të cilat duhet t’i grini në blender.

Recel me luleshtrydhe 


Përbërësit: 1 kg luleshtrydhe, 800 gr sheqer, lëng limoni.
Përgatitja: Pastroni luleshtrydhet nga bishtat dhe i shpëlani me ujë të rrjedhshëm dhe lërini të kullojnë.
Shtroni një shtresë me luleshtrydhe në tenxhere, një shtresë me sheqer, e kështu me radhë derisa masat e sheqerit dhe luleshtrydheve të mbarojnë. I lëmë të pushojnë për rreth 6 orë në mënyrë që luleshtrydhet të lëshojnë lëngun e tyre. Vendosni tenxheren në zjarr të ngadaltë. Mos hidhni ujë, pasi luleshtrydhet kanë lëngun e tyre. Gjatë zierjes bëni kujdes të largoni shkumën që krijohet në sipërfaqen e tenxheres.
Ziejini për 30 minuta derisa lëngu i reçelit të trashet. Pak para se ta heqim tenxheren nga zjarri shtoni lëngun e limonit, trazojeni me kujdes për pak sekonda dhe e largoni nga zjarri. Lëreni të ftohet, hidheni në kavanoza të sterilizuar dhe vendosini në frigorifer.

Sallatë me luleshtrydhe dhe djathë


Përbërësit: 300 gr djathë i butë, 2 angjinare, 800 gr fasule, 300 gr kungull i njomë, 100 gr sallatë e përzier, 150 gr luleshtrydhe, 3 limona jeshilë, 1 limon, piper, nenexhik, kripë, vaj ulliri i aromatizuar dhe vaj ulliri ekstra i virgjër.
Përgatitja: Shpëlajeni sallatën e përzier dhe thajeni mirë, shtrydhni fasulet nga lëngu dhe futini në ujë të nxehtë për të zierë derisa të zbuten pak. Kullojini dhe hiqini lëvoren. Pastroni angjinaren dhe ndajeni në gjysmë, e më pas priteni në feta të holla për sallatë. Lërini për pak minuta në një enë me ujë të acidifikuar me lëng limoni. Lani kungujt dhe pritini më pas në feta të holla.
Kur të gjithë përbërësit të jenë gati, shtrydhni lëngun e dy limonave jeshilë, hidhini në një tas, ku do të shtoni kripë dhe pak nenexhik dhe përziejini derisa të krijohet një lloj salce.
Pastroni luleshtrydhet dhe tani gati për të bërë përgatitjen e sallatës. Bashkojini të gjithë përbërësit në një tas dhe përziejini të gjitha së bashku. Shtojini sipër salcën e përgatitur, copat e djathit të butë, vajin e aromatizuar si dhe lëngun e limonit jeshil të mbetur.

Rizoto me luleshtrydhe dhe erëza pikante

Përbërësit: 320 gr oriz, 200 gr luleshtrydhe, 60 gr gjalpë, 1 qepë, gjethe borziloku, gjysmë luge spec djegës, 2 lugë uthull balsamike, 3 lugë vaj ulliri ekstra të virgjër, 2 litra supë perimesh
Përgatitja: Hidhni në tigan vajin e ullirit dhe kavërdisni qepën e grirë imët bashkë me 40 gram gjalpë. Shtoni luleshtrydhe të lara dhe të copëtuara, duke i lënë për 5 minuta. Më pas shtoni orizin dhe pak lëng supe. Shtoni uthullën balsamike mbi oriz dhe lëreni të avullojë. Shtoni sërish lëngun e supës dhe lëreni të ziejë për disa minuta. Shtoni gjethet e borzzilokut kur të jetë në përfundim të zierjes dhe para se ta hiqni nga zjarri shtoni piper djegës, duke e përzier të gjithë masën e rizotos. Shtoni luleshtrydhet e grira bashkë me gjalpin e mbetur, fikeni zjarrin dhe lërini të pushojë. Mund ta shërbeni me luleshtrydhe të freskëta.

Cheescake me luleshtrydhe

Përbërësit: 300 g biskota me kakao, 150 g gjalpë, 250 g krem maskarpone, 200 g krem djathi, 80 g qumësht i kondensuar, 200 g luleshtrydhe, gjethe mente dhe limon
Përgatitja: Në fillim në blender bluajmë biskotat derisa të bëhen pluhur, i vendosim në tas ku shtojmë gjalpin e butë dhe e punojmë me duar derisa të bëhet një masë brumi. E shtrojmë në tavë dhe e shtypim derisa të bëhet e gjithë sipërfaqja e njëtrajtshme. Rrahim në tas kremin e maskarpones, qumështin e kondensuar, kremin e djathit dhe lëngun e limonit. E vendosim kremin mbi biskota dhe e lëmë të pushojë 6 orë. Para se ta shërbejmë e zbukurojmë me luleshtrydhe, degë mente dhe lëkurë limoni.

Granita me luleshtrydhe
Përbërësit: 500 gr luleshtrydhe, 200 ml ujë, 100 gr sheqer, 30 ml lëng limoni
Përgatitja: Në një enë hedhim luleshtrydhet e pastruara dhe i përziejmë me pak sheqer dhe lëng limoni. I lëmë të marinohen për 1 orë. Më pas në një enë tjetër hedhim ujin, sheqerin dhe pak lëng limoni. Sherbetin e vendosim në zjarr të ngadaltë për 10 minuta. Pasi të shkrijë dhe të marrë formë të trashë e kullojmë dhe e lëmë të ftohet. Luleshtrydhet i hedhim në mikser dhe më pas në një sitë në mënyrë që pureja të jetë e pastër. Purenë e luleshtrydheve e bashkojmë me sherbetin e ftohur, e trazojmë derisa të krijohet një masë homogjene. Të gjithë masën e krijuar e hedhin në një enë dhe e vendosim në frigorifer për 1 orë. I nxjerrim nga frigoriferi dhe e përziejmë masën e grimcuar. E futim prapë në frigorifer dhe e nxjerrim sërish, derisa të ketë marrë formën e granitës. E shërbejmë me luleshtrydhe të freskëta dhe shurup aromatik.

 

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF