KreuCelebrity

Ekskluzive/ Ledi Vokshi: Sekretet e të bërit biznes!

Ekskluzive/ Ledi Vokshi: Sekretet e të bërit biznes!

Mama, bashkëshorte, vajzë, trajnere dhe një sipërmarrëse e dy bizneseve, Ledi Vokshi rrëfen për “Bordo” jetën e saj si një mentore me mision fuqizimin e rolit të gruas. “Para së gjithash unë jam një grua, kështu që gjithmonë e nis ditën me veten dhe e mbyll me veten. Nëse unë ndihem mirë, atëherë mund të jem mirë dhe t’u bëj mirë të gjithëve atyre që më rrethojnë”.

Si është të jetosh si një motivuese?

Çdo ditë sapo zgjohem motivoj veten, e pastaj filloj me fëmijët dhe burrin. Më pas shkoj në zyrë dhe filloj menjëherë të shikoj ato që unë i quaj ‘probleme’, për të cilat mund të gjej zgjidhje, kjo duke filluar nga ekipi im e më pas deri te klientët. Rutina ime e përditshme është: si ta përmirësoj veten dhe si t’i ndihmoj të tjerët?.

Nëse Ledi motivon të tjerët, po Ledin kush e motivon realisht?

Mua më motivon vetë jeta, sepse nga aq sfida që kam kaluar, e di që çdo ditë e më shumë tentoj të shijoj jetën sa më shumë. Por një mentore gjithmonë e ka një mentor, i cili ka ecur disa hapa para, që të më mësojë rrugën dhe të mos humbas rrugëtimin që dua ta shijoj. Askush nuk e ka arritur suksesin vetëm dhe nëse ju thotë se e ka bërë vetë, gënjen veten dhe ju.

Ledi, pse njerëzit vijnë te ju për ndihmë, për t’ju dëgjuar apo blerë trajnimet tuaja?

Unë kam një mision në jetë, për të ndihmuar sa më shumë njerëz të jetë e mundur në mënyrë që të fitojnë kontrollin dhe lirinë e jetës së tyre. Kjo arrihet vetëm nëse punoni me mendësinë tuaj, zhvillimin personal dhe gjithashtu të fitoni më shumë para. Fillimisht isha shumë e lodhur, duke qenë një shqiptaro-njujorkeze e fortë dhe e nënshtruar, e cila përplaste kokën pas murit, në vend që të gjeja një derë përmes së cilës duhet të ecja. Sapo kuptova se cilat ishin problemet e mia, munda ta merrja jetën në duart e mia dhe nisa të punoj. Pas çdo problemi që zgjidhja ose çdo derë që hapja, i premtoja vetes se të njëjtën zgjidhje do t’ia shërbeja dikujt tjetër. Unë nuk ia shes kohën time askujt, u shërbej vetëm atyre që kanë nevojë për të.

Nga masterclass, trendi i fundit janë podcast-et, pse vendoset të jeni pjesë e kësaj platforme?

Më pëlqen të jem në gjendje të fuqizoj gratë në mënyrë që ato të jetojnë jetën e tyre më mirë sesa më parë. Qofshin masterclass-e, workshop-e, seminare apo kurse ato janë vetëm mënyra për të arritur dhe për të ndikuar te sa më shumë gra. Podcast-i është në gjendje të afrojë një lloj gruaje tjetër, një dëgjuese të vërtetë dhe jo vetëm një vëzhguese. Dëgjuesi do të dëgjojë realisht, jo vetëm të fokusohet duke të parë. Podcast-i është një mënyrë e shkëlqyer për mua duke e përdorur atë si ditarin tim. Ky është një proces, i cili ndodh hap pas hapi, në të të cilin unë jam shumë e hapur, duke qenë më e ndjeshme si një grua, e cila krijon jetën dhe biznesin e ëndrrave të saj. Kjo jo vetëm që është e dobishme për mua, por dikush mund të zbatojë atë që unë përpiqem të mësoj, në mënyrë që të shohë një transformim edhe në jetën e saj. Besoj se po bëj diçka që nuk e kam bërë kurrë më parë, mund të duket e frikshme, por kështu më pëlqen ta sfidoj veten, duke mësuar.

Cili mendon se është avantazhi dhe disavantazhi i podcast-it?

Disavantazhi është se podcast-i nuk është një platformë aq e madhe dhe nuk kam shumë ndjekës, por ky është gjithashtu një avantazh. Ata pak ndjekës që kam duan vërtet të përfitojnë. Unë vërtet nuk mund të ndihmoj gjithë botën, por ata që duan të dëgjojnë mund të ndihmojnë veten, duke dëgjuar dhe zbatuar mësimet që marrin.

Podcast-et janë më intime, më personale, si kanë ndikuar në aspektin profesional?

Unë kam qenë gjithmonë autentike dhe personale në mediat sociale për 20 vjet. Kam ndarë herë pas here gjithçka di, ndaj edhe kam patur shumë identitete të ndryshme. Në podcast-in tim kam ndarë gjithçka dhe do të vazhdoj ta bëj. Kjo është pika ime e fortë. Nëse tregoj gabimet dhe arritjet e mia, mund të ndihmoj dikë të shmangë gabimet, por edhe të provojë të mirat dhe arritjet.

Si realizohen një podcast i Ledit?

Kam një ekip podcast-i, nga prodhuesi, inxhinieri deri te dizajni dhe shumë të tjerë. Është si një shfaqje televizive në shtëpinë time dhe njerëzit pas kamerës që bëjnë gjithë punën, por nuk janë në studio.

Takimet tuaja shtrihen në të gjithë globin, jeni më shumë e fokusuar te gratë, pse?

Kur hyra në industrinë e trajnimeve, iu mësoja femrave si të fillonin të ndërtonin një biznes dhe ato i donin trajnimet në gjuhën shqipe. Pasi punova për disa kohë, kuptova se shumica nuk kishin probleme me aftësitë, por me mendësinë dhe zhvillimin e tyre personal. Unë jam një grua, por kam vënë re se shumica e grave nuk e përdorin fuqinë e tyre për ta jetuar jetën në maksimum, ato presin të marrin diçka në këmbim të asaj që kanë ose presin që dikush të krijojë jetën e tyre. Nëse një grua shfrytëzon potencialin e saj, ashtu siç kam bërë unë për veten time dhe klientët, atëherë ju do të ndiheni të lirë dhe do të keni në kontroll jetën tuaj. Mendoj se çdo grua ka mjaftueshëm siguri dhe besim për të siguruar vetë mjaftueshëm të ardhura. Në këtë mënyrë ato do të ndihmojnë veten, por mund të ndihmojnë edhe familjen e tyre.

Si je ndier kur dikush është rikthyer te ju dhe ju ka vlerësuar për mësimet që i keni dhënë?

Ndihem e kompletuar dhe gëzohem që klientët e mi, të vegjël apo të mëdhenj fitojnë, por ajo që më gëzon pa masë është kur njerëzit që kam ndihmuar vijnë dhe më thonë: Nëse nuk do të ishte për ju që e nxisni klientët për ta arritur këtë, sot ndoshta nuk do të kisha qenë gjallë! Ky është një moment i veçantë për mua. Gjithmonë fillon me shërbimin ndaj njerëzve, duke bërë mirë, duke ndikuar tek ata, e pastaj vijnë të mirat, paratë.

Urime për familjen e bukur, të shoh me fëmijët në krahë, si arrin të jesh mama dhe trajnere?

Mama, bashkëshorte, vajzë, trajnere dhe një sipërmarrëse e dy bizneseve. Janë shumë punë dhe sakrifica në një ditë për t’i bërë të gjithë të lumtur. Sekreti: Pse po bëj atë që po bëj, është arsyeja sepse ndihmoj njerëz, misioni im është aq i fortë saqë fokusohem dhe punoj shumë fort. Para së gjithash unë jam një grua, kështu që gjithmonë e nis ditën me veten dhe e mbyll me veten. Nëse unë ndihem mirë, atëherë mund të jem mirë dhe t’u bëj mirë të gjithëve atyre që më rrethojnë.

Si i keni raportet me Shqipërinë, a ktheheni shpesh?

Vij çdo vit për të takuar familjen time, për të vizituar plazhet e bukura dhe provuar disa ushqime të mrekullueshme që vetëm aty i gjej. Këtë vit nuk do të vij vetëm për këtë, por për të fuqizuar më shumë shqiptarë në PowerUP.

Nëse mund t’i jepni ndonjë këshillë një gruaje tani, cila do të ishte?

Ju nuk keni pse ta jetoni jetën vetëm. Kërkoni ndihmë, merrni ndihmë dhe bashkohuni me komunitetin e grave PowerUp, ku ne ndihmojmë të tjerët.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF