KreuCelebrity

Intervistë me Tom Ford: Ndihem bosh!

Intervistë me Tom Ford: Ndihem bosh!

Tom Ford u largua nga moda, pasi la postin e drejtorit kreativ të “Gucci Group”, duke hequr dorë në këtë mënyrë përfundimisht nga industria e cila e ndihmoi në formimin e tij si krijues. Tom kishte sjellë një kuptim të ri të magjepsjes, bukurisë, sofistikimit dhe mbi të gjitha, joshjes seksuale në modë, derisa vendosi të provojë dorën si regjisor filmi, duke ndezur tek ai një identitet krejt të ri. Pas 2 vitesh nga vdekja e bashkëshortit të tij, dhe thuajse një dekadë nga largimi nga moda, ai pranon se ndjen një boshllëk në talentin e tij krijues, por edhe një vetmi të frikshme në aspektin emocional.

Zoti Ford, a keni patur një krizë të moshës së mesme?

Po, sidomos largimi nga Gucci ishte shkatërrues për mua. Shkatërruese sepse i kisha dedikuar gjithçka për 15 vjet dhe krejt papritur nuk pata asnjë identitet. Asokohe pija shumë për të harruar gjithçka, por ky moment kaloi sepse e pashë që po dëmtoja veten, derisa e kuptova se kjo ishte një krizë e moshës së mesme. I vjen të gjithëve, ndoshta në të tridhjetat, dyzetat, ndoshta në të gjashtëdhjetat, por kur vjen kjo orë, duhet të pyesni veten nëse duhet të përfitoni akoma më shumë nga jeta juaj apo të ndaloni. Unë zgjodha të eci para.

Kur ke gjithçka në jetë, a është e lehtë të humbësh veten?

Edhe kur ke gjithçka, mund të humbasësh veten, ndaj duhet të kuptoni cilat janë gjërat më të rëndësishme. Fatkeqësisht, shumë njerëz kur arrijnë në atë pikë, duhet të kuptojnë se kanë ende për të mësuar. Ndaj duhet plotësisht të gjeni ekuilibrat e duhur dhe të mbani gjërat nën kontroll që në moshë të hershme.

Si do ta përshkruanit gjendjen tuaj aktuale shpirtërore?

Ndjej se nuk kam nevojë për asgjë në jetë. Jam rritur në Nju-Meksiko dhe sa më shumë rritem, nuk kam më nevojë për kulturën bashkëkohore dhe qytetet e mëdha. Jam më i lumtur në fermën time në mes të askundit, duke parë një insekt, duke dëgjuar heshtjen apo duke kalëruar, sesa të jem në mes të zhurmës. Jam shumë i lumtur me gjërat e thjeshta, sepse ato janë dhe më të rëndësishme.

Pra, bota magjepsëse e modës, nuk ju intereson?

Pasi qëndrova në Nju-Meksiko për dy muaj, kuptova se vërtet mund të punoja nga kudo. Unë jam me të vërtetë i vetmuar në fund të fundit, edhe pse e di që nuk jam një person social. Për shkak të punës sime, njerëzit mendojnë se jam jashtë çdo natë, por i urrej të gjitha këto. Më pëlqen një jetë vetëm, pranë miqve të ngushtë, sepse jam një person i turpshëm dhe introvert.

A merrni frymëzim nga natyra?

Natyra është gjëja më e afërt me Zotin dhe nuk e kam fjalën për Zotin të asnjë lloj feje, por për universin, të cilën mendoj se e kemi humbur. Në fermën time përjeton një lloj spiritualiteti, kur zgjohem në mëngjes me lindjen e diellit dhe kur shkoj të fle kur perëndon, kjo e vë gjithçka në perspektivë.

A jeni një person shpirtëror?

Po, jam një person shpirtëror. Kam mësuar se lumturia për të gjithë ne është një çelës që lëviz në trurin tonë. Kjo nuk ka të bëjë me blerjen e një shtëpie apo makine të re, një të dashur të re apo një palë këpucë të reja. Kultura jonë ka të bëjë me faktin se ne nuk jemi kurrë të kënaqur me atë që kemi sot, sepse gjithmonë mendojmë se kemi nevojë për diçka tjetër për të qenë të lumtur.

Kjo tingëllon sikur e keni të vështirë të jetoni në Hollivud?

E kam patur të vështirë ta përballoj sepse aty unë kam një performancë, një rol. I dua femrat e bukura, fustanet e bukura, por të gjitha këto gjëra duhet të qëndrojnë në perspektivë. Nuk ka asgjë të keqe të duam, sepse jemi qenie fizike, por dëshirat duhet t’i mbani në perspektivë. Kur të jem në shtratin e vdekjes, nuk mendoj se do të kërkoj një palë këpucë të bukura, por do të kujtoj një mbrëmje që kalova me dikë kur isha njëzet vjeç, ku ndjeva se isha plotësisht i lidhur shpirtërisht me të.

Sa kohë ju duhet çdo mëngjes të bëheni ai Tom Ford për të cilin po flisni?

Më duhet shumë kohë në mëngjes për t’u bërë personi që të tjerët presin të jem. Kur ndihem në depresion, kur kam një ditë të keqe, kaloj një ritual shumë të saktë duke u veshur. Nëse gjithçka në botën time materiale është në rregull, do të jem në gjendje ta kaloj atë. Ky perfeksionizëm vjen nga fakt që jam Virgjëreshë. Bota ime e brendshme është e lidhur me botën time të jashtme. Nëse shtëpia ime është rrëmujë, ashtu jam dhe jashtë, ndaj kërkoj një lloj ekuilibri.

Prej dy vitesh pa të dashurin tuaj Richard Buckley, a ju mungon?

Richard ishte personi që doja më shumë në botë, personi me të cilin kemi qenë së bashku për 23 vjet. Më mungon shumë! Mendoj se është shumë e rëndësishme të kesh në rrugëtimin tënd, një person që të tregon se vlen më shumë sesa shfaqja jote e ardhshme e modës apo reklama që do të shkrepësh. Unë kam ende miqësi me njerëz me të cilët kam qenë në shkollë fillore, madje shumë prej tyre kanë punuar me mua për 18 vite. Këshilla ime më e mirë është: kur takoni njerëz të mirë, mbajini ata në jetën tuaj.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF