Nga Nada Biraçi
Fotografia: Shenoll Zehri
Kur ishte ende fëmijë, udhëtimet e pushimeve verore të Shpatit ishin të mbushura me tinguj dhe zëra të njohur të muzikës rok. I ati, dëgjonte pllakat e disqeve në vinil të artistëve të preferuar, e teksa muzika shpërhapej kudo nëpër shtëpi, tingujt ishin një ushqim shpirtëror për të voglin e familjes Deda, i cili sot, një artist i njohur i muzikës, nuk harron të kujtojë vegjëlinë e tij të mbushur plot me kujtime drite. Më pas, me kuriozitetin e një vogëlushi, teksa shtypte tastierën e një Casio PT1, kishte arritur të ndiente afinitetin me muzikën, atë momentin sesi një tingull nis e merr formë, derisa sot Shpat Deda është një krijues që luan bukur në artin e tij, duke nisur përmes fjalës, e më pas, duke u ngjitur e interpretuar në skenat ‘live’ të muzikës. Në këtë intervistë për “Bordo”, artisti i talentuar nga Kosova, por me rrënjë edhe nga Tirana, rrëfen eksperiencën e tij muzikore, por edhe disa grimca nga jeta personale me Blertën, e cila siç shprehet ai i ka dhuruar ndjenjën më hyjnore dhe është dashuria më e madhe e jetës së tij.
Kur ishit fëmijë, kur ndoshta as që e çonit ndër mend se do të bëheshit këngëtar; ju kujtohet çfarë muzike dëgjohej në shtëpinë tuaj?
Babi ka dëgjuar kryesisht muzikë rok dhe më kujtohen udhëtimet kur shkonim tërë familja për pushime në Ulqin, ndërsa rrugës dëgjohej muzika e Dire Straits dhe Led Zeppelin, bandat e preferuara të babit. Gjithashtu, më kujtohet se si me fascinim i shikoja kopertinat e pllakave të tij vinil, që i kishte nga rinia nga albumet e Pink Floyd, Stevie Wonder, Beatles, Bob Dylan, e shumë të tjerë. Një vend të veçantë e zë edhe muzika polifonike e jugut dhe melodia hyjnore e Laver Bariut, që babi e shoqëronte me raki dhe sot e kësaj dite kjo muzikë më rrëqeth lëkurën më shumë se çdo muzikë tjetër.
Si fëmijë a keni ju një tingull, një këngë që ju ka shënjuar?
Kur kam qenë diku 3-4 vjeç e kam patur një tastierë Casio PT 1 dhe përmes saj e kam nuhatur një afinitet me muzikën. E merrja tastierën dhe me vesh i nxjerrja meloditë e ndryshme që i dëgjoja përreth e që më pëlqenin. Me orë të tëra luaja me atë tastierë. Ndërsa, ndoshta kënga e parë që më kujtohet është ‘Qengji i Vogël’ dhe një ninullë tjetër që nuk ja di emrin, të cilat mi këndonte nana për të më qetësuar. I këndonte ninullat me një ndjeshmëri shumë të bukur dhe, nëse shijen e kam trashëguar nga babi, ndjeshmërinë, zërin dhe talentin e kam nga nana.
Duket se keni një raport tejet intim me muzikën, gati-gati hyjnor. E vërtetë?
E kam një raport shumë shpirtëror, të cilin e ruaj si të shenjtë sepse muzika më është gjendur në momentet e mia më të bukura, por edhe në momentet e vështira. Është një botë e hapur, e cila të pranon ashtu siç je dhe kur ta hap derën e kupton se nuk je vetëm. Sot jam i bekuar sepse kam shumë njerëz përreth, të cilët mi ka sjellë muzika, e pa të cilët unë nuk do të isha ky që jam.
I keni qëndruar besnik muzikës që ju bëni dhe duhet thënë që jo çdo artist e bën së fundmi..
Muzika sot është shndërruar në biznes, dhe biznesi me shpirtëroren nuk ecin mirë bashkë. Kur është fjala për të krijuar, unë përqendrohem te shpirtërorja.
Si do ta përshkruanit publikun e Shpat Dedës? Çfarë marrëdhënie keni krijuar me këtë komunitet?
Ajo që e kam vërejtur ndër vite është se e kam një publik shumë besnik që më ndjek nga fillimet e mia dhe këndon bashkë me mua në çdo koncert. Në anën tjetër, shoh edhe të rinj të cilët sot i zbulojnë këngët nga albumet e mia të para që kanë 10 apo 15 vite prej kur janë publikuar, dhe muzikantë të rinj të cilët e zotërojnë kitarën duke e mësuar një nga këngët e mia. Ky është thesari më i madh për mua, se siç më kanë ata mua, unë i kam patur muzikantët që kanë ardhur para meje. Sa i përket marrëdhënieve me publikun, unë tentoj të jem shumë i afërt me njerëzit që më ndjekin dhe që më afrohen sepse në mesin e tyre mund të gjej edhe shokë e shoqe. Për mua, jeta ka kuptim vetëm kur ke njerëz të dashur përreth.
I këndoni dashurisë në të gjitha format e saj; asaj që të dridh zemrën nga emocioni dhe asaj që të shkund nga zhgënjimi dhe dhembja…Nëse s’janë përjetime personale a është i njëjtë emocioni që përçoni te dëgjuesi?
Unë deri sot jam bazuar në përjetimet e mia personale dhe tre albumet e mia janë secili ditar më vete, që i përket një periudhe të jetës sime. Ndonëse për mua këngët kanë një gjenezë konkrete, në tekste tentoj të jem i hapur dhe të lë hapësirë që dëgjuesit ta gjejnë një pjesë të vetes. Prandaj në tekstet e mia unë nuk përdor emra. Ajo që më pëlqen më së shumti është kur njerëzit e gjejnë një kuptim tjetër në një nga këngët e mia, i cili as që më ka shkuar në mendje.
Partnerja juaj Blerta, sa vend ka zënë në këngët tuaja?
Blerta është dashuria e madhe e jetës sime dhe ajo më ka dhënë ndjenjën më hyjnore që e kam përjetuar deri sot. Besoj se nuk do të habiteni, që për të i kam shkruar më shumë se një apo dy këngë.
Në projektet tuaja artistike, Blerta zë një vend shumë të rëndësishëm. Është ajo që vendos vulën përfundimtare nëse një projekt vlen apo jo?
Vulën përfundimtare e vendos gjithnjë unë, por mendimi i Blertës, njësoj si mendimi i njerëzve të cilëve u besoj, është shumë i rëndësishëm. Në marrëdhënien tonë ne konsultohemi me njëri-tjetrin për vendimet e rëndësishme që duhet t’i marrim, dhe mendoj se ky është thelbi i çdo lidhjeje të shëndoshë.
Por duke e njohur botën e brishtë të artistëve, a është e lehtë për ju ta pranoni një kritikë?
Nuk është gjithnjë e lehtë, por mendoj se armiku më i madh i procesit kreativ është kur ai që krijon, bie në dashuri me idetë e veta dhe nuk lë hapësirë për asnjë koment. Shumë mundësi për ta përmirësuar një vepër humbasin në këtë mënyrë, ndërsa edhe artistët më të mëdhenj konsultohen me dikë kur janë duke krijuar. Unë mundohem të qëndroj i hapur dhe gjithnjë në shërbim të krijimit, i vetëdijshëm se gjithmonë ka njerëz që nuk do t’u pëlqejë ajo që ke krijuar dhe kjo nuk është aspak problem. Mjafton ta dëgjosh këshillën apo kritikën, ta përtypësh, dhe të nesërmen ta vlerësosh, a do ta përpish apo do ta pështysh.
Një djalë nga Prishtina dhe një vajzë nga Tirana shumë vite më parë lidhën jetën bashkë dhe krijuan familjen e tyre…Gjyshja juaj ishte nga Tirana dhe ju ka rritur me një dashuri të madhe për Shqipërinë. Ju keni qenë shumë i lidhur me të…A ka një shije, ndjesi, thënie, që jua rikthen kujtimin e gjyshes?
Më kujtohen shumë gjëra nga gjyshja. Ne flinim bashkë në një dhomë me të dhe me motrën, dhe gjyshja na lexonte përralla çdo natë para gjumit. Ka qenë një tregimtare shumë e talentuar dhe mendoj se kjo e ka mbjellë edhe tek unë tregimtarin që shfaqet në këngët apo poezitë që shkruaj. Më kujtohet edhe kur me fjalor në dorë më ka mësuar italishten, të cilën sot e flas rrjedhshëm falë saj. Sa dhuratë e bukur. Ndërsa shijen e fëmijërisë që nuk e harroj kurrë, është paparja që na e bënte ajo, e që ne i thoshim ‘popara’.
Jeta e gjithsecilit prej nesh është e mbushur plot me kujtime e përjetime të ëmbla e të tharta, njësoj si kënga juaj “Ambël e thartë”. Mund ta ndani me ne më të ëmblin e më të thartin kujtim?
Mundohem të mos përqendrohem shumë në kujtimet e tharta, të cilat normalisht janë të para luftës në Kosovë dhe gjatë saj. Ndërsa kujtimet më të ëmbla janë në muajt e verës kur shkonim në Ulqin me familjen time dhe me miq. Të gjithë qëndronim në kamp me çadra dhe ishim nën hijen e natyrës, të rrethuar me zhurmën e zogjve dhe insekteve për një muaj çdo vit. Deri në moshën 6 apo 7-vjeçare nuk e kam ditur çka është hoteli.
Disa muaj më parë një deklaratë e juaja se në Kosovë duhet të legalizohen martesat brenda së njëjtës gjini, bëri jo pak bujë. Mendoni se është e mundur?
Duke qenë se në shumë vende të botës kjo gjë tashmë është normale, s’ka si të mos jetë e mundur edhe te ne. Askush nuk ka të drejtë ta cenojë lirinë e tjetrit, derisa kjo liri nuk e cenon lirinë e dikujt. Vendimi se me kë do të martohesh apo me kë do ta kalosh jetën është vendim personal i secilit dhe e drejtë bazike njerëzore.
Si do ta quanit fazën aktuale të jetës suaj artistike dhe asaj personale?
Është faza e pjekurisë dhe e rehatisë me vetveten. Kur je rehat me vetveten është më lehtë që dera e dashurisë të qëndrojë e hapur.