E kam ditur gjithmonë që do të shkoja njëherë të shihja nga afër ujëvarën e Niagarës. Që kur në klasë të gjashtë, në orën e gjeografisë, mësova për herë të parë rreth ujëvarave, ku mua më mbeti mendja te kjo ujëvarë, nuk e di as vetë përse, por ndoshta sepse ndjeja se kishte madhështi në gjithë përshkrimin që i bëhej asaj.
Pra mbeta me mendje aty, dhe dëshira ime për ta parë e vizituar gjatë viteve, vetëm sa rritej. Mirëpo ky moment nuk po vinte.
Shpesh e kam menduar që ato që ne i dëshirojmë më së shumti, një ditë prej ditësh realizohen. Mua më ka ndodhur. Por nga ana tjetër gjithashtu edhe duhet pranuar, se si “pa dashje“, edhe ne e çojmë vetë drejtimin e busullës sonë nga ai “shteg“.
Kisha disa vite që i vija “rrotull” këtij udhëtimi. Por nuk më dilte viza kanadeze. Ishte pjesa kanadeze e Niagarës ajo që më tërhiqte, ndaj ndoqa atë ëndërr. Kurrë nuk i hoqa shpresat. Dhe në fund, dëshira ime u plotësua. “Nëse do të vizitosh Ujëvarën e Niagarës, mundohu të shkosh nga maji në shtator,” më pat thënë konsulli i ambasadës kanadeze në një ndër tentativat e mia të pafata për vizë. “Dhe mos harro të flesh medoemos atje, madje në një nga hotelet me pamje nga ujëvara”, kishte vijuar ai. Si një nxënëse shembullore, asnjëherë nuk i harrova fjalët e tij.
Kur pas disa vitesh mu dha rasti, zura hotel me pamje nga ujëvara. Nuk ishte e vështirë pasi pothuajse të gjithë hotelet aty janë të tillë. Qyteti i Niagarës, si qytet në kufi me Amerikën, është një qytet befasues në fakt! Ti kujton se aty do të shohësh një ujëvarë dhe kaq. Por jo. Niagara qytet është si një “mini Las Vegas”.
Dhjetëra e qindra argëtime nga më të larmishmet të shpalosen para syve si ditën dhe natën, dritat dhe reklamat shumëngjyrëshe, lojërat e fatit, kazinotë, dyqanet e mëdha të dhuratave, çokollatave, muzeumet e horrorit, ato të “Madame Tussaud”, me njerëz prej dylli e personazhe filmash, klube nate, me këngëtarë, pista makinash, karusel… drita, drita, drita pa fund dhe “mbretëresha“ e çdo mbrëmjeje në orën 22:00, rituali i fishekzjarrëve. Një spektakël ngjyrash, dritash mbi ujëvarë çdo natë duket sikur sjell Vitin e Ri dhe dritat shumëngjyrëshe e bëjnë ujëvarën më të bukur se e bukura.
Gjatë ditës, anijet nuk rreshtin se lundruari poshtë ujërave si shi të ujëvarës. Janë dy lloj anijesh: ato ku njerëzit veshin mushama blu- që janë amerikanë, dhe ato me mushama të kuqe, pjesa kanadeze. Është edhe një anije tjetër e mbuluar krejtësisht me xham dhe që i afrohet edhe më shumë ujëvarës poshtë saj. Ndërkohë që ujëvara është thjesht e mrekullueshme në madhështinë e vet.
“Zip line” është një tjetër atraksion që i ofrohet turistëve: lidhur në një kabull, të shohësh ujëvarën që rrjedh pranë teje teksa rrëshket, është plot me adrenalinë. Në qytetin e vogël kanadez jeta gumëzhin edhe gjatë ditës: klubet rrinë përherë hapur, dyqanet e suvenireve, kazinotë, por ka edhe gjëra të veçanta, siç është pista “Speed limit“, ku i bie qark një piste të vërtetë makinash, parku i dinozaurëve, treni i çmendur, karuseli, dhe ajo që më pëlqen aq shumë: shtëpia “The Upside Down”.
Por këshilla e konsullit ka vlerë edhe për një arsye tjetër: duke zënë hotel pranë ujëvarës, e shijon pamjen në mbrëmje, mëngjes; e sheh teksa mbi të lind dielli në mëngjes, apo gjatë netëve kur spektakli i dritave e lartëson.
Udhëtim në ujëvarën e Niagarës, i pashlyer në kujtesë. Ndër më të bukurit në jetë.