KreuArt

Gazmend Leka sjell ABEL; një dimension i panjohur i luftës së Kosovës!

Gazmend Leka sjell ABEL; një dimension i panjohur i luftës së

Nga Olsi Kolami

Gazmend Leka sjell në ekspozitën e tij një dimension të panjohur të luftës së Kosovës, plagë dhe lot, të cilat ndihen ende, edhe pas mbi 20 vitesh nga ajo gjëmë e madhe e kombit…

“Në katër dekada krijimtari të vrullshme, pakkush si Gazmend Leka ka shkuar kaq larg në udhëtimin drejt dhomave më të errëta të qenies”, thekson kuratori Ermir Hoxha. Ekspozita “Abel” i dedikohet konfliktit më të fundit në Shqipërinë e epërme, në Kosovë, i atij konflikti që u zhvillua në oborrin e shtëpisë sonë. “Abel” ofrohet si kronikë e një morti të asaj pjese të shqiptarisë, të cilës iu desh të paguante një çmim shumë të shtrenjtë lirie. Përtej kufirit të oborrit, “Abel” i dedikohet natyrës njerëzore, që gjeneron gjithnjë konflikte, e paaftë të mësojë nga paqja, nga ajo qetësia e paketuar mijëra herë nga diplomacia. Artisti flet për ndjesitë që e frymëzuan deri në krijimin e këtij cikli me 22 vepra.

Gazmend Leka sjell ABEL; një dimension i panjohur i luftës së

Riktheheni në tetor si gjithmonë në stinën e ditëlindjes suaj. Ka ndonjë arsye?

Po! Është e vërtetë! Këto 10 vitet e fundit, unë jam kthyer çdo tetor apo nëntor në galerinë F.A.B. për të çelur ekspozitën personale të radhës. Ka disa arsye pse e çel në këtë periudhë. Pas disa muajsh pune intensive në studio, formohet një cikël i plotë, le të themi aq sa mbajnë ambientet e galerisë F.A.B. Nuk ka lidhje të forta me datëlindjen time. Është koincidencë e bukur, të cilën unë e përmend me shaka mes miqsh, si një dhuratë që ja bëj vetes. E vërteta është se në tetor fillon shkolla. Është muaji, kur në atelie kthehen studentët dhe kolegët artistë. Është muaji, kur Universiteti i Arteve zgjohet pas një letargjie verore. E kam të nevojshme dhe detyrë, që vizitorët e parë të jenë studentët dhe koleget e mi. Mos harrojmë, që ndër vite F.A.B. është galeria më aktive në vendin tonë, duke lënë në hije edhe Galerinë Kombëtare të Arteve. Është galeria që vizitohet më shumë se çdo galeri tjetër në Tiranë, me një aktivitet të ethshëm. Tetori e nëntori janë piku i fluksit. Nga një këndvështrim personal, ekspozitat e mia në çdo fundvit i konsideroj si semaforë, që më orientojnë qartë e prerë, rrugën e rrugicat nga kam kaluar e ku po kaloj. E gjithë energjia njëvjeçare tokëzon pikërisht, këto ditë tetori. Është dita kur monologu im i brendshëm, hyn në sinkron me dialogun e publikut.

Gazmend Leka sjell ABEL; një dimension i panjohur i luftës së

Pasi pashë të fundit pikturë nga “Abel”, saktësisht numrin XXII, më përshkroi një dhimbje, sikur ajo ndjesia e errët nga një metaforë, u kthye në një makth, ndaj doja të dija si u ngjiz gjithçka ky cikël?

Nga një ekspozitë në tjetrën, gjithmonë ka një periudhë tampon. Është periudhë e rëndë si një gjendje bunace, pasi jam konsumuar shpirtërisht me ekspozitën pararendëse. Ndjej një lloj boshllëku i cili herë-herë më duket sikur nuk do të mbushet, por gjithmonë kapërcehet si periudhë kalimtare shumë e shkurtër. Ndërkohë pikturoj tablo me temë të lirë, për ekspozitat në grup që bëhen çdo vit, sikurse ekspozita “Nëntori” dhe për më tepër ndërtoj cikle me vizatime. Është si një periudhe harlisje. Kur një cikël shkon drejt fundit, unë rishoh temat që janë në formim e sipër. Janë tema që shkojnë në sinkron me gjendjen time dhe me dëshirën për të shkuar përtej asaj, që bëra një vit më parë.

Po përgatitja një cikël mbi ‘Sakrificën’, por një takim fare i rastësishëm më fokusoi te “Abeli”. Në studio me erdhi për vizitë znj. Rudina Jasini, avokate dhe pjesëtare në grupin e avokatëve të z. Selimi në Hagë. Dëshironte që të njihte ambientin tim, pasi është njohëse e pikturës sime dhe një vizitore e rregullt e ekspozitave të mia. Gjatë bisedës, ndërsa e pyesja se çfarë ndodh në Hagë, mu shfaq figura e Vuçiçit që mbretëron në Serbi, e nuk i ka hyrë ende një gjemb në këmbë, por përkëdhelet si një djalë tinëzar e i llastuar. Mu shfaq një Serbi, që jo vetëm nuk e ka njohur Kosovën, por as të falur nuk ka kërkuar për tmerrin që ndolli mes popullsisë civile. Një çast ishte ai, kur gjithë energjinë dhe imazhet për ciklin “Sakrifica” i kanalizova te “Abeli”. Ishte po i njëjti tension, po e njëjta gjuhë shprehje, por e dedikuar. Kaq thjesht filloi. Pastaj piktura ndjek rrugën e vet dhe ka raste, kur edhe ty si krijues të tërheq zvarrë, ndërsa frymon si një organizëm i gjallë.

“Abel” ka një anatomi të tejskajshme, forma dhe eshtra të përkthyera në ngjarje, diku pikëzime gjaku të freskëta, i jeni referuar ngjarjeve konkrete apo jo?

Sigurisht që i jam referuar ngjarjeve të zhvilluara atë vit fatkeq për shqiptarët. Sapo vendosa të bëja ekspozitën “Abel”, shfrytëzova materiale që sot i gjen me lehtësi në rrjetet sociale. Kalova nëpër duar shumë fotografi, video dhe intervista të dhimbshme. Lexova materiale të shkruara, siç ishte dhe libri i znj. Sevdije Ahmeti, që ma huazoi Elsa Demo. Çdo gjë e kisha para meje. Mua më ngelej t’i përktheja në gjuhën e pikturës. U përplasën dy pllaka tektonike, Gazi artist dhe Gazi i përditësuar me ngjarjen e rëndë. Nuk ishte e lehtë të shihja e rishihja, çdo ditë pikturat që formësoheshin në sytë e mi. Ishte shumë e rëndë! Nuk di si ma mbajti mideja!

Gazmend Leka sjell ABEL; një dimension i panjohur i luftës së

 

Në mes të sallës pashë Kainin, ndërsa Abeli nën këmbët e tij si qengji i kurbanit, një motiv që nga kohët e lashta, pse kjo simbolikë vëllavrasësish?

Njihet historia e dy vëllezërve, sipas rrëfimit në Testamentin e Vjetër. Nuk është thjesht vrasja e parë e vëllait nga vëllai, por për herë të parë toka u njoh me gjakun që buroi nga krimi. E ndërtova qendrën e ekspozitës, me një kasap që përdor fuqinë e urrejtjes së vrasësit, për të bërë kurban një gjallesë të pambrojtur, siç është qengji. Emri ‘Abel’ shoqërizohet menjëherë me emrin ‘Kain’ dhe një njeri i lexuar, e merr menjëherë kuptimin që rrezaton ky simbol arketipal.

Në çdo pikturë, si një ekspert kriminalistike, vendosni piketa me numra, pse ky detaj?

Mes fotove që gjurmoja, më zunë sytë etiketat me numra, të vendosura në trupin e viktimave. Dikush tjetër do ta kishte anashkaluar këtë detaj, që për mua ishte shumë i rëndësishëm. Aty mpiksej fundi i personalitetit të njeriut. Edhe varret kanë emër për t’u identifikuar! Me numra dikur identifikoheshin kryesisht të burgosurit, të deportuarit, atyre që i humbte emri. Është mallkimi i madh, që lë pas lufta. Kur pikturoja etiketat me numra, ndjeja një dhembje shumë të madhe. Unë me mendje iu vija emra.

Vdekja mbizotëron ngado, por në pikturat e fundit shoh ritualet dhe traditat tona, të gjallët para arkëmortit…, ka një lloj respekti para dhimbjes, pse ky kontrast?

Pak elementë përdora në ekspozitë, për ta identifikuar vendin ku ndodhte ngjarja, pasi nuk doja t’i jepja ciklit tone folklorike. Vajtimi përpara arkivoleve të dy fëmijëve, ishte si një shok që më goditi. E pikturova në periudhën e fundit, sepse nuk mund ta duroja gjatë para syve të mi një gjamë të tillë.

Gazmend Leka sjell ABEL; një dimension i panjohur i luftës së

 

Profesor, a do të udhëtojë “Abel” në Kosovë, në vendin prej nga e morët frymëzimin?

Unë dëshiroj shumë që ekspozita të udhëtojë jo vetëm në Kosovë, por edhe përtej. Nuk di t’i jetë kushtuar kësaj ngjarje, një cikël i madh me 22 piktura. Ka shumë vite që ka mbaruar lufta dhe shqiptarët e Kosovës vuajnë ende praninë e fqinjit të keq. E kanë aty në kufi, me hanxhar ngrehur. Sigurisht që piktorët e Kosovës nuk mund ta preknin këtë temë, pasi ata vetë e kanë pësuar krimin në shtëpitë e tyre dhe duhet pak kohë të ruhet distanca për një vepër arti. Këtë detyrë e mora unë përsipër në emër të tyre. Në ekspozitë ftova dhe ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, z. Skënder Durmishi me të cilin bisedova, që më pas ta nisnim ekspozitën në Prishtinë. Gjithashtu bisedova edhe me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj, për këtë aktivitet që besoj se është i një rëndësie shumë të veçantë. Pata kënaqësinë që ekspozitën “Abel” e vizitoi z. Albin Kurti, të cilin e shoqëroi kuratori Ermir Hoxha. Shpresoj shumë që ky projekt të realizohet.

 

 

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF