
Mbi 100 pasagjerë dhe 23 anëtarë të ekuipazhit në kroçerën “Ruby Princess” janë prekur nga një shpërthim i dyshuar i norovirusit, sipas njoftimit të Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Anija e kompanisë Princess Cruises u nis më 12 qershor nga San Francisko për një udhëtim drejt Alaskës dhe Kanadasë, me rikthim të planifikuar më 2 korrik. Rreth dy javë pas nisjes, autoritetet shëndetësore raportuan shpërthimin, i cili klasifikohet si i tillë kur preken të paktën 3% e personave në bord.
Në momentin e incidentit, në kroçerë ndodheshin 3.032 pasagjerë dhe 1.144 anëtarë të ekuipazhit.
Anija u ankorua në San Francisko të enjten, ku nisi menjëherë procesi i dezinfektimit të plotë. Ndërkohë, personat që shfaqën simptoma janë izoluar për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.
Norovirusi është një virus shumë ngjitës që shkakton kryesisht të vjella, diarre dhe shqetësime gastrointestinale. Ai përhapet përmes kontaktit me sipërfaqe të kontaminuara, ushqimit ose ujit të infektuar, si edhe nga kontakti i drejtpërdrejtë me persona të sëmurë.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë masat bazë të higjienës, veçanërisht larjen e shpeshtë të duarve me ujë dhe sapun, për të ulur rrezikun e infektimit.
Anijet turistike konsiderohen ambiente me rrezik të lartë për përhapjen e sëmundjeve infektive, për shkak të numrit të madh të pasagjerëve dhe kontaktit të vazhdueshëm në hapësira të përbashkëta.
