KreuBusull

Bilanci tragjik i valës së të nxehtit në Evropë: 3.700 viktima në Francë, Holandë dhe Belgjikë

Bilanci tragjik i valës së të nxehtit në Evropë: 3.700
Vala ekstreme e të nxehtit që përfshiu Evropën në fund të qershorit ka shkaktuar një bilanc të rëndë njerëzor. Sipas të dhënave të publikuara, Franca, Holanda dhe Belgjika kanë regjistruar rreth 3.700 vdekje shtesë të lidhura me temperaturat e larta, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të vijojë të rritet.

Periudha më kritike u shënua nga 20 deri më 28 qershor, një interval që ekspertët e konsiderojnë si një nga valët më të rënda të të nxehtit të regjistruara ndonjëherë në kontinent. Përveç pasojave në shëndetin e qytetarëve, temperaturat ekstreme shkaktuan edhe ndërprerje në prodhimin e energjisë, dëmtuan infrastrukturën dhe vunë nën presion të madh sistemet shëndetësore.

Sipas shkencëtarëve, intensiteti dhe shpeshtësia e valëve të të nxehtit lidhen ngushtë me ndryshimet klimatike, të cilat po i bëjnë këto fenomene gjithnjë e më të shpeshta dhe më të rrezikshme.

Ndërkohë, Agjencia Franceze e Shëndetit Publik raportoi se numri i vdekjeve u rrit me afro 30% në nivel kombëtar gjatë javës që përfundoi më 22 qershor. Situata ishte edhe më e rëndë në rajonin e Parisit, ku vdekshmëria u rrit me 62% në kulmin e valës së të nxehtit.