Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ka ndërruar jetë në moshën 44-vjeçare për shkak të një arresti kardiak. Ish-deputeti ndodhej në ambientet e hotel "Rogner" për një konferencë kur pësoi arrestin kardiak. Ai u dërgua me urgjencë në QSUT, por nuk mundi t'ia dilte.
Gerti ishte i martuar me aktivisten e njohur Edlira Çepani dhe është babai i Ajrës dhe Reinartit.
Gerti Bogdani, pasi mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe ‘Medalje Ari’, Gerti Bogdani vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të New York-ut, ku u diplomua me ‘Nderimet më të Larta’ duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Award – ‘Medalje Ari’.
Bogdani karrierën politike e filloi në vitin 2007. Në shtator 2015 ai u zgjodh Kryetar i IYDU, në Kongresin e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar që mban një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.
Ai ishte gjithashtu kryetar i Unionit Ndërkombëtar të Rinjve Demokratë.



















