Papa Françesku ka dalë sot nga spitali Gemelli në Romë, pas më shumë se një muaji trajtim për pneumoni të dyfishtë. Lajmi u konfirmua nga Dr. Sergio Alfieri, kreu i ekipit mjekësor që është kujdesur për të.
Papa, 88 vjeç, ishte shtruar në spital më 14 shkurt dhe gjatë kësaj kohe ka qëndruar larg angazhimeve publike. Vatikani ka bërë të ditur se ai do të ofrojë një bekim dhe përshëndetje për besimtarët në fund të lutjes së Engjëllit të së dielës, duke u shfaqur për herë të parë pas pesë javësh mungesë.
Ky ka qenë shtrimi më i gjatë i Papës në spital që nga zgjedhja e tij në vitin 2013. Megjithëse ka qenë larg publikut, Vatikani ka publikuar mesazhe audio dhe foto të tij, për të siguruar besimtarët mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Sipas njoftimeve zyrtare, gjendja e Papës është përmirësuar, pneumonia është nën kontroll, dhe ai nuk ka më nevojë për frymëmarrje të asistuar, por ka vazhduar të marrë oksigjen për një rikuperim më të shpejtë.



















