Shkencëtarët nga Universiteti i Cambridge kanë zbuluar sinjale intriguese që mund të tregojnë për praninë e jetës në një planet të largët të quajtur K2-18b. Ky planet ndodhet 124 vite dritë larg Tokës dhe është rreth 2.5 herë më i madh se ajo. Përdorimi i teleskopit të fuqishëm hapësinor James Webb ka mundësuar analizimin e atmosferës së tij, duke zbuluar për herë të dytë gjurmë të gazrave kimikë që në Tokë prodhohen vetëm nga organizma të gjallë.
Gazrat e identifikuar, dimetil sulfidi (DMS) dhe dimetil disulfidi (DMDS), në Tokë prodhohen nga mikroorganizma të detit, dhe prania e tyre në këtë planet mund të sinjalizojë ekzistencën e jetës. Sipas drejuesit të studimit, Prof. Nikku Madhusudhan, sasia e këtyre gazrave në atmosferën e K2-18b është mijëra herë më e lartë se ajo që gjendet në Tokë. Nëse kjo lidhet me jetë, planeti mund të jetë i mbipopulluar me forma jetese.
Megjithatë, shkencëtarët paralajmërojnë se këto janë ende rezultate paraprake. Probabiliteti i saktësisë aktuale është rreth 99.7%, shumë më i lartë se më parë, por ende larg standardit shkencor për një “zbulim” të mirëfilltë (99.99999%). Edhe nëse konfirmohet prania e gazrave, nuk mund të thuhet me siguri që ata vijnë nga jeta, pasi ekzistojnë mundësi që të jenë prodhuar përmes proceseve të tjera natyrore ose gjeologjike.
Pavarësisht skepticizmit të kujdesshëm, shumë shkencëtarë e shohin këtë si një hap të madh përpara. Zbulimi rihap pyetjen e madhe që ka preokupuar njerëzimin për shekuj me radhë: A jemi vetëm në univers?
Studimi i plotë është botuar në revistën The Astrophysical Journal Letters.



















