KreuBusull

Valët e të nxehtit në Europë shkaktuan mbi 10 mijë viktima, ekspertët lidhin tragjedinë me ndryshimet klimatike

Valët e të nxehtit në Europë shkaktuan mbi 10 mijë
Temperaturat rekord që përfshinë një pjesë të madhe të Europës në fund të muajit qershor kanë lënë pasoja të rënda. Sipas të dhënave të publikuara nga EuroMOMO, rrjeti europian që monitoron vdekshmërinë, më shumë se 10 mijë persona humbën jetën gjatë kësaj periudhe, me të moshuarit që përbëjnë pjesën dërrmuese të viktimave.

Raporti, i mbështetur nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), tregon se mbi 9 mijë prej viktimave ishin mbi 65 vjeç, një kategori që konsiderohet më e prekshme nga temperaturat ekstreme.

Situata ishte veçanërisht shqetësuese në Angli dhe Uells. Një analizë e kryer nga studiues të Imperial College London, Met Office dhe London School of Hygiene and Tropical Medicine vlerëson se rreth 2,700 persona humbën jetën si pasojë e valëve të të nxehtit gjatë muajve maj dhe qershor. Sipas studimit, rreth 550 vdekje u regjistruan në fund të majit, ndërsa mbi 2,000 të tjera gjatë valës së fortë të qershorit.

Ekspertët theksojnë se intensiteti i këtyre temperaturave nuk mund të shpjegohet pa ndikimin e ndryshimeve klimatike. Sipas grupit shkencor World Weather Attribution, ngrohja globale ka rritur temperaturat maksimale ditore me 3 deri në 4 gradë Celsius, duke i bërë episodet e të nxehtit më të forta dhe më të shpeshta.

“Ishte një valë e jashtëzakonshme të nxehti për Mbretërinë e Bashkuar dhe për pjesën më të madhe të Europës Perëndimore, sidomos për një periudhë kaq të hershme të vitit”, u shpreh Mark McCarthy nga Met Office.

Në javët në vijim, Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar pritet të publikojë bilancin zyrtar të viktimave që lidhen me temperaturat ekstreme.

Specialistët paralajmërojnë se ndikimi i ndryshimeve klimatike po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një kërcënim serioz për shëndetin publik. Sipas Lea Berrang Ford, drejtuese e Qendrës për Klimën dhe Sigurinë Shëndetësore në UKHSA, të dhënat tregojnë se vendet duhet të marrin masa të menjëhershme për t’u përshtatur me kushtet e reja klimatike.

Edhe Komiteti i Ndryshimeve Klimatike në Mbretërinë e Bashkuar ka ngritur alarmin, duke paralajmëruar se deri në vitin 2050 shumica e banesave në vend mund të përballen me temperatura të rrezikshme gjatë verës. Mes rekomandimeve kryesore janë vendosja e standardeve për temperaturën në ambientet e punës dhe investimet në sisteme ftohjeje për spitalet, shkollat dhe ndërtesat publike.