
Një gjykatë në Kolumbi ka urdhëruar konfiskimin e një vile në pronësi të ish-portierit legjendar René Higuita, pasi autoritetet dyshojnë se prona është blerë fillimisht me para që lidhen me kartelin e drogës të Pablo Escobarit.
Sipas vendimit të gjykatës, vila, e cila ndodhet në lagjen elitare El Poblado në Medellín, rezulton të jetë blerë me fonde me origjinë të paligjshme përpara se të kalonte në pronësi të Higuitës në vitin 1992.
Çështja është pjesë e një hetimi të nisur nga prokuroria kolumbiane në vitin 2014, me qëllim verifikimin e burimit të pronës. Higuita, i njohur në botën e futbollit me nofkën “El Loco”, ka kundërshtuar vazhdimisht akuzat, duke deklaruar se shtëpinë e bleu me të ardhurat e tij dhe se nuk ka pasur asnjë lidhje me organizatat e trafikut të drogës.
Pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë në Medellín, ish-portieri 59-vjeçar ka bërë të ditur se do ta apelojë konfiskimin e pronës, duke këmbëngulur se ajo është përfituar në mënyrë të ligjshme.
René Higuita konsiderohet një nga portierët më karizmatikë në historinë e futbollit, i njohur për stilin e tij të pazakontë të lojës dhe pritjen spektakolare “scorpion kick”, por tashmë emri i tij është rikthyer në qendër të vëmendjes për një çështje ligjore që lidhet me të kaluarën e errët të Medellín-it.
