
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka folur për emocionet e forta që përjetoi pas kualifikimit historik të ekipit të tij në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026. Pas penalltisë vendimtare që siguroi fitoren ndaj Kolumbisë, mesfushori nuk arriti t’i përmbante lotët, duke e cilësuar atë moment si një çlirim pas presionit të madh që i kishte bërë vetes.
“Për mua ishte një ndjenjë çlirimi. Ata që më njohin e dinë se gjithmonë i vendos vetes shumë përgjegjësi. Thjesht doja ta shijoja atë moment. Nuk e kuptova menjëherë se çfarë kishte ndodhur. Është diçka për të cilën mund të krenohemi të gjithë – lojtarët, stafi, familjet tona dhe i gjithë vendi”, u shpreh Xhaka.
Megjithatë, kapiteni zviceran theksoi se objektivi i skuadrës nuk përfundon me arritjen në çerekfinale. Sipas tij, ekipi ka përmbushur disa synime radhazi gjatë këtij Botërori, por tashmë fokusi është te një tjetër hap historik.
Në fazën çerekfinale, Zvicra do të përballet me Argjentinën, një kundërshtar që rikthen kujtimet e Botërorit 2014, kur amerikanolatinët fituan 1-0 vetëm pas kohës shtesë me golin e Ángel Di Marías.
“Viti 2014 na dhemb ende. Ishim shumë pranë eliminimit të Argjentinës”, kujtoi Xhaka, i cili së bashku me Ricardo Rodriguezin janë të vetmit futbollistë të kombëtares zvicerane që ishin pjesë e atij takimi.
Në fund, mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane rezervoi fjalë vlerësimi edhe për Lionel Messin, rivalin e tij të radhës.
“Është një privilegj të luash në të njëjtën epokë me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon. Ata janë dy nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e këtij sporti”, deklaroi Xhaka.
