
Peshëngritësi italian Antonino Pizzolatto, fitues i medaljes së bronztë në Lojërat Olimpike të Tokios 2020 dhe Parisit 2024, është dënuar me pesë vjet e katër muaj burg, pasi Gjykata e Trapanit e shpalli fajtor për përdhunim në grup ndaj një turisteje finlandeze.
Së bashku me sportistin u dënuan edhe tre të pandehurit e tjerë, Davide Lupo, Claudio Tutino dhe Stefano Monzovì, të gjithë me origjinë nga Agrigento.
Ngjarja u denoncua nga një 27-vjeçare finlandeze, e cila kishte mbërritur në Itali për pushime me dy shoqet e saj. Sipas dosjes gjyqësore, ato u njohën me Pizzolatton dhe miqtë e tij gjatë një darke në qendrën historike të Trapanit, përpara se të vijonin mbrëmjen në një lokal pranë bregdetit.
Më vonë, dy shoqet e turistes u kthyen në hotel, ndërsa ajo shkoi në banesën ku po qëndronin disa prej burrave. Sipas vendimit të gjykatës, pikërisht aty ndodhi abuzimi seksual nga katër të pandehurit.
Gjatë procesit gjyqësor doli gjithashtu se gruaja kishte vënë re se njëri prej tyre, Davide Lupo, po filmonte me telefon një moment intim pa pëlqimin e saj. Ajo kërkoi menjëherë fshirjen e videos, por situata, sipas dëshmisë së saj, u përshkallëzua.
Sipas hetimeve, ngjarja përfundoi vetëm pasi e reja, e tronditur, kërkoi me ngulm të dërgohej në hotel. Të nesërmen ajo iu drejtua policisë italiane, ku bëri kallëzimin që çoi në nisjen e hetimeve dhe më pas në procesin gjyqësor.
Me vendimin e Gjykatës së Trapanit, Antonino Pizzolatto dhe tre të pandehurit e tjerë u shpallën fajtorë dhe u dënuan për përdhunim në grup.
