
Një tjetër grabitje spektakolare ka tronditur Francën. Këtë herë, objektiv është bërë Muzeu Lalique në Wingen-sur-Moder, ku autorët kanë arritur të vjedhin bizhuteri luksoze me një vlerë që mund të arrijë deri në 4 milionë euro.
Sipas mediave franceze, grabitja ndodhi rreth orës 05:30 të mëngjesit të së dielës, kur autorët hynë me forcë në ambientet e muzeut dhe u drejtuan menjëherë te salla ku ekspozoheshin bizhuteritë më të çmuara.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se janë vjedhur rreth 20 bizhuteri, ndërsa dëmi ekonomik është ende duke u përllogaritur. Vlerësimet paraprake flasin për një shumë prej disa milionë eurosh, që mund të shkojë deri në rreth 4 milionë euro.
Edhe pse sistemi i alarmit u aktivizua, autorët arritën të largoheshin përpara se kontrollet e sigurisë të përfundonin. Një punonjës pastrimi, i cili mbërriti në muze pak më vonë, konstatoi situatën dhe lajmëroi menjëherë policinë.
Pas ngjarjes, drejtuesit e Muzeut Lalique njoftuan se institucioni do të mbetet i mbyllur për disa ditë, ndërsa autoritetet franceze kanë nisur hetimet dhe po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët.
Muzeu, i hapur në vitin 2011 pranë fabrikës historike të markës Lalique, i kushtohet veprës së René Lalique, një prej emrave më të njohur të artit dekorativ francez dhe stilit Art Nouveau e Art Deco.
Kjo grabitje rikthen në qendër të vëmendjes çështjen e sigurisë në muzetë francezë, vetëm pak kohë pas një tjetër incidenti që përfshiu Muzeun e Luvrit në Paris.
