
Cristiano Ronaldo ishte protagonist edhe jashtë fushës, gjatë konferencës për shtyp në prag të përballjes mes Portugalisë dhe Spanjës, duke shkëmbyer replika me gazetarin brazilian Marcelo Bechler.
Teksa iu përgjigjej pyetjeve të medias, sulmuesi portugez vuri re praninë e Bechler, një gazetar që prej vitesh ka qenë kritik ndaj tij dhe shpesh ka shprehur vlerësime për Lionel Messin. Ronaldo vendosi t’i drejtohej publikisht.
“Po e sfidoj atë zotërinë atje të më bëjë një pyetje të mirë, sepse e di që nuk më pëlqen,” tha ai duke e treguar me gisht.
Më pas, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” shtoi se nuk i harron njerëzit që, sipas tij, nuk e kanë vlerësuar ndër vite.
“Unë i mbaj mend të gjithë ata që nuk më kanë vlerësuar. Ti je një prej tyre. Fytyrat e njerëzve nuk i harroj lehtë,” u shpreh Ronaldo.
Pas kësaj, Bechler e pyeti se cila është sfida më e madhe për të luajtur në një Kupë Bote në moshën 41-vjeçare. Ronaldo iu përgjigj me një dozë ironie.
“Gjëja më e vështirë është të flas me disa prej jush,” tha ai, përpara se të theksonte se të arrish dhe të qëndrosh në nivelet më të larta të futbollit kërkon sakrifica të mëdha dhe përshtatje të vazhdueshme me kalimin e viteve.
Portugalia do të përballet me Spanjën në një nga sfidat më të rëndësishme të turneut, ndërsa për Ronaldon kjo mund të jetë paraqitja e fundit në një Kupë Bote, duke e bërë ndeshjen edhe më domethënëse për legjendën portugeze.
