KreuBusull

Chanel blen Charvet, markën historike franceze të këmishave luksoze

Chanel blen Charvet, markën historike franceze të këmishave
Shtëpia e njohur franceze e modës Chanel ka zgjeruar portofolin e saj duke blerë Charvet, markën ikonike të specializuar në prodhimin e këmishave, kravatave dhe pizhamave të personalizuara. Vlera e marrëveshjes nuk është bërë publike.

Drejtuesit e Chanel e kanë cilësuar Charvet si një nga emrat më prestigjiozë të modës franceze. Presidenti i sektorit të modës në Chanel, Bruno Pavlovsky, tha se kjo blerje bashkon dy marka me identitete të forta, duke theksuar se kufijtë tradicionalë mes modës për gra dhe asaj për burra po bëhen gjithnjë e më pak të theksuar.

“Chanel ka qenë historikisht e lidhur me modën për gratë, por gjithnjë e më shumë burra zgjedhin produktet tona. Nga ana tjetër, shumë gra i drejtohen Charvet për të porositur këmisha. Dyert janë të hapura për të gjithë,” u shpreh ai.

Sipas Pavlovsky, marrëveshja mund të sinjalizojë edhe një fazë të re për modën luksoze mashkullore. Megjithëse Chanel nuk ka aktualisht një linjë të dedikuar për veshje burrash dhe nuk planifikon ta krijojë një të tillë në të ardhmen e afërt, kompania ka forcuar praninë e saj në këtë segment përmes bashkëpunimeve me figura të njohura si ASAP Rocky dhe Pedro Pascal, ambasadorë të markës.

Me këtë lëvizje strategjike, Chanel synon të ruajë dhe zhvillojë trashëgiminë e një prej emrave më të vjetër të mjeshtërisë franceze në prodhimin e këmishave, duke zgjeruar njëkohësisht ndikimin e saj në tregun e luksit.