KreuBusull

Ziko shpërthen pas eliminimit të Egjiptit: “Gjithçka ishte e planifikuar për Argjentinën”

Ziko shpërthen pas eliminimit të Egjiptit: “Gjithçka
Eliminimi dramatik i Egjiptit nga Kupa e Botës ka shkaktuar reagime të forta në kampin egjiptian. Pas humbjes 3-2 ndaj Argjentinës, Ziko, autor i golit të dytë për ekipin e tij, sulmoi ashpër gjyqtarin e takimit dhe vuri në dyshim drejtësinë e garës.

Egjipti udhëhiqte 2-0 deri në minutën e 79-të, por Argjentina realizoi një përmbysje spektakolare brenda pak minutash, duke siguruar kalimin në çerekfinale. Ky rezultat ka lënë një shije të hidhur te futbollistët egjiptianë, të cilët pretendojnë se vendimet e arbitrimit ndikuan drejtpërdrejt në fatin e ndeshjes.

Pas vërshëllimës së fundit, Ziko nuk i fshehu akuzat ndaj arbitrit francez François Letexier.

“Na u bë një padrejtësi e madhe. Nuk mund të humbasësh një ndeshje në këtë mënyrë pasi ke qenë në avantazh 2-0. Më duket sikur gjithçka ishte e vendosur. U kërkoj falje tifozëve tanë, por nuk varej më nga ne. Urime Argjentinës për Kupën e Botës, sepse duket sikur fituesi është përcaktuar që tani”, deklaroi ai.

Edhe trajneri i Egjiptit, Hassan, ndau të njëjtin qëndrim, duke sugjeruar se interesat komerciale dhe imazhi i turneut mund të kenë ndikuar në zhvillimin e garës.

“Futbolli nuk luhet vetëm në fushë. Ka interesa të tjera që ndikojnë. Ne besojmë se e meritonim kualifikimin, sepse skuadra jonë ishte më e mirë për pjesën më të madhe të ndeshjes”, u shpreh tekniku.

Polemikat u përqendruan në një episod të ndodhur pak para golit vendimtar të Argjentinës. Sipas kampit egjiptian, Mohamed Salah u pengua brenda zonës nga Julián Álvarez, por arbitri vendosi të mos akordojë penallti dhe loja vazhdoi. Në aksionin që pasoi, Enzo Fernández shënoi golin e fitores për Argjentinën.

Vendimi shkaktoi protesta të forta nga stoli i Egjiptit, ndërsa trajneri i portierëve, Saafan El-Sagheer, u ndëshkua me karton të kuq për kundërshtimet ndaj arbitrimit.

Deklaratat e Zikos dhe stafit teknik kanë ndezur debatet pas një prej ndeshjeve më dramatike të këtij Botërori, duke shtuar polemikat rreth vendimeve të arbitrave në fazën me eliminim direkt.