
Olivia dhe Muhammad vazhdojnë të dominojnë listën e emrave më të zgjedhur për foshnjat e lindura në Angli dhe Uells edhe gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS), këta dy emra ruajnë vendin e parë përkatësisht për vajzat dhe djemtë.
Olivia mban kryesimin për të dhjetin vit radhazi, pasi iu vendos 2,386 vajzave të porsalindura. Pas saj renditen Lily me 2,249 regjistrime dhe Amelia, e cila këtë vit zbriti në vendin e tretë me 2,153 regjistrime.
Në mesin e dhjetë emrave më të përdorur për vajza bëjnë pjesë edhe Isla, Florence, Freya, Poppy, Elsie, Ivy dhe Isabella, e cila futet për herë të parë në këtë renditje.
Tek djemtë, Muhammad vijon të jetë emri më i përhapur për të tretin vit rresht, me 5,957 regjistrime. Noah renditet i dyti me 4,075 foshnja, ndërsa Leo ngjitet në vendin e tretë me 3,278 regjistrime. Dhjetëshja plotësohet nga Luca, Arthur, Oliver, George, Oscar, Theodore dhe Freddie.
Statistikat tregojnë se edhe variante të tjera të emrit Muhammad vazhdojnë të jenë shumë të preferuara. Emri Mohammed u rendit në vendin e 20-të, ndërsa Mohammad në vendin e 55-të, duke dëshmuar popullaritetin e vazhdueshëm të këtij emri.
Raporti evidenton edhe hyrjen e emrave të rinj në listën e 100 më të përdorurve. Për vajzat, për herë të parë u përfshinë Eliana, Gracie, Alba dhe Lilah, ndërsa për djemtë debutuan Carter, Ruben, Stanley dhe Vincent.
Në të njëjtën kohë, disa emra humbën terren. Jessica, Ellie dhe Amelie nuk figurojnë më në listën e 100 emrave më të përdorur për vajza, ndërsa tek djemtë dolën nga renditja Grayson, Brody dhe Bodhi.
ONS vuri në dukje edhe emrat që shënuan rritjen më të madhe gjatë vitit. Ada u ngjit me 54 pozicione dhe zuri vendin e 45-të mes emrave të vajzave, ndërsa Roman ishte emri me rritjen më të madhe për djemtë, duke fituar 33 vende dhe duke u renditur i 27-ti.
Të dhënat mujore tregojnë se Olivia ishte emri më i përdorur në shumicën e muajve të vitit, ndërsa Muhammad mbeti emri më i zgjedhur për djemtë në çdo muaj të vitit 2025.
