
Erling Haaland nuk tërheq vëmendjen vetëm për golat dhe paraqitjet e tij në fushë. Sulmuesi norvegjez është bërë së fundmi objekt diskutimi edhe për stilin e tij të jetesës, veçanërisht për regjimin ushqimor që ndjek për të ruajtur formën fizike.
Në rrjetet sociale janë bërë virale pamje nga rutina e tij jashtë futbollit, ku shfaqet larg luksit tipik të yjeve të mëdhenj. Në vend të makinave të shtrenjta apo jetës ekstravagante, Haaland preferon një mënyrë jetese më afër natyrës: vizita në ferma, produkte vendase dhe ushqime të përgatitura prej tij.
Sipas raportimeve, sulmuesi konsumon rreth 6000 kalori në ditë, me një dietë të bazuar kryesisht te ushqimet e freskëta dhe sa më pak të përpunuara. Në menunë e tij përfshihen mishra të ndryshëm, peshk, vezë, oriz, mjaltë i papërpunuar, qumësht i papasterizuar dhe veçanërisht të brendshme si zemra dhe mëlçia e viçit, të cilat ai i konsideron të rëndësishme për energjinë dhe rikuperimin.
Haaland ka treguar më herët se preferon ushqimet natyrale dhe produktet vendase, duke shmangur sa më shumë ushqimet industriale. Në dokumentarin “Haaland: The Big Decision”, ai ka folur për rëndësinë që ka ushqimi në performancën e tij, ndërsa ka zbuluar se një nga vaktet më të veçanta për të janë lazanjat që përgatit babai i tij para ndeshjeve.
Përveç dietës, një rol të rëndësishëm në suksesin e tij luan edhe rutina e rikuperimit. Norvegjezi i kushton shumë rëndësi gjumit, ekspozimit në dritën natyrale, terapive të ndryshme fizike dhe metodave të rikuperimit si banjat me akull, sauna dhe trajtimet me dritë të kuqe.
Jashtë fushës, Haaland ka një ëndërr të thjeshtë: një ditë të jetojë në një fermë, të drejtojë një traktor dhe të kujdeset për kafshët e tij. Një stil jete që duket shumë larg imazhit klasik të një superylli futbolli, por që sipas tij është një nga sekretet për të mbajtur trupin në nivelin më të lartë.
