KreuBusull

BE vë në shënjestër Facebook dhe Instagram: Kërkohen ndryshime për veçoritë që nxisin varësinë te përdoruesit

BE vë në shënjestër Facebook dhe Instagram: Kërkohen
Komisioni Evropian ka intensifikuar presionin ndaj Meta-s, duke argumentuar se mënyra se si janë ndërtuar Facebook dhe Instagram mund të nxisë sjellje të varësisë, në kundërshtim me kërkesat e Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA).

Sipas vlerësimit paraprak të Brukselit, kompania nuk ka analizuar dhe adresuar në mënyrë të mjaftueshme ndikimin që platformat e saj mund të kenë mbi shëndetin fizik dhe psikologjik të përdoruesve, veçanërisht të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Autoritetet evropiane veçojnë disa funksione të aplikacioneve, si shfletimi pa fund (infinite scroll), nisja automatike e videove, rekomandimet e personalizuara dhe njoftimet e vazhdueshme, duke theksuar se këto janë krijuar për të mbajtur përdoruesit të angazhuar për periudha sa më të gjata.

Edhe pse Meta ka prezantuar mjete për kontrollin e kohës së përdorimit dhe mbrojtjen prindërore, Komisioni Evropian vlerëson se ato nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme. Sipas gjetjeve, kufizimet mund të anashkalohen lehtësisht nga të miturit, ndërsa konfigurimi i tyre shpesh rezulton i ndërlikuar për prindërit.

Për këtë arsye, Brukseli kërkon që Meta të ndryshojë mënyrën se si funksionojnë platformat e saj. Mes kërkesave janë çaktivizimi si parazgjedhje i veçorive që konsiderohen se krijojnë varësi dhe rishikimi i algoritmeve të rekomandimit, në mënyrë që ato të mos fokusohen vetëm në rritjen maksimale të angazhimit të përdoruesve.

Nga ana tjetër, Meta i ka kundërshtuar këto pretendime, duke deklaruar se ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për mbrojtjen e përdoruesve të rinj. Kompania kujton se që prej vitit 2024 ka prezantuar “llogaritë e adoleshentëve”, të cilat aktivizojnë automatikisht masa mbrojtëse dhe u japin prindërve mundësinë të vendosin kufizime për përdorimin gjatë natës ose të caktojnë limite ditore të kohës së qëndrimit në platformë.

Gjigandi amerikan thekson se mbështet objektivin për krijimin e një mjedisi më të sigurt dixhital dhe se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet evropiane.

Ky zhvillim lidhet me hetimin e nisur në vitin 2024, kur Meta u vu nën lupë edhe për masat e pamjaftueshme në parandalimin e krijimit të llogarive nga fëmijët nën moshën 13 vjeç dhe për mosidentifikimin e profileve të tilla që ishin tashmë aktive.

Nënkryetarja ekzekutive e Komisionit Evropian për teknologjinë, Henna Virkkunen, deklaroi se mbrojtja e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve evropianë mbetet një prioritet i padiskutueshëm.

Meta tashmë ka mundësinë të paraqesë argumentet e saj përpara se Komisioni të marrë vendimin përfundimtar. Në rast se konstatohet shkelje e DSA-së, kompania mund të përballet me një gjobë që arrin deri në 6% të të ardhurave të saj globale vjetore.