Xhensila Myrtezaj ka folur për herë të parë për ndarjen nga bashkëshorti, aktori Bes Kallaku. Ajo rrefeu për Arbana Osmanin se përse e mori vendimin për t’u ndarë. Xhensila thotë se raporti me Besin kishte vite që ishte në krizë edhe në mënyrë që fëmijët e saj të kishin qetësi në të ardhmen, vendosi që të kërkojë divorcin.
“Ka disa vite që ishim përpjekur të sistemonim pakënaqësitë në martesën tonë me dëshirën për të mos i dhënë fund. Por kriza ka gjithmonë në çift. Ne nuk e kishim ndarë akoma nëse donim të ishim ndarë apo bashkë. Por mendoj se në çdo marrëdhënie kur veprat me fjalët nuk kanë shumë përputhshmëri, kur në marrëdhënie ka debate, bëhet toksike. Bëhet e dëmshme për mua, fëmijët, edhe për të. Kështu unë mora vendimin për t’u ndarë. Në çift duhet bashkëpunim, duhet punë nga dy partnerët. Kam kuptuar që nuk duhet të luftojë veç njëra palë, por nga të dyja. Ishte një vendim i marrë nga unë. Më duhej mua ta bëja si hap pasi nuk shihja asnjë mundësi tjetër. Nuk është i lehtë divorci. Disa hapa sado e vështirë të jetë, duhet gjetur guximi për t’i marrë.
Unë e gjeta forcën te fëmijët e mi, sepse doja që në të ardhmen fëmijët të kishin qetësi. Shumë barrë kam marrë mbi supe. Çfarë nuk është thënë për mua, çfarë nuk kam lexuar. Por unë nuk e ndryshoj dot boten, nuk e ndryshoj dot mendësinë e tyre", tha Xhensila
Teksa tregoi se së bijës ia ka shpjeguar ndarjen sa mund t’i tregohet një fëmijë në moshën e saj, këngëtarja kujton e përlotur se, për ironi të fatit, edhe ajo ka pasur moshën e Ajkës kur iu desh të përballonte divorcin e prindërve. Nuk ka folur kurrë për këtë, por ndoshta, siç tha, mund të ishte kjo koha për ta rrëfyer.
“Si për ironi të fatit, historia sikur u përsërit…” – tregon Xhensila duke u ndalur te mbështetja e së ëmës, megjithëse ajo ishte munduar të ishte e kujdesshme për t’ia thënë atë që po ndodhte: “Frika e saj më e madhe ishte çfarë do ndodhte pas, duke qenë se mami është divorcuar në një kohë që gjërat nuk kanë qenë të lehta dhe sot nuk janë të lehta…”
“E mbaj mend, sigurisht. Ka qenë shumë më traumatike, është një periudhë tmerrësisht e rëndë e jetës sime, por mund të ketë ardhur koha ta them… E di pse e dua shumë mamin tim dhe e vlerësoj, por në të njëjtën kohën edhe e gjykoj që nuk pati mundësi t’i jepte fund asaj martese përpara se të ndodhte ajo që sytë e mi panë… Im atë nuk pranoi që t’i jepte divorcin nga ime më dhe mami im është rasti i asaj gruas që u plagos me shtatë thika dhe humbi njërën nga duart. E gjitha kjo ka qenë një veprim që është bërë në sytë e mi. Unë kam parë nënën time të therej për këtë vendim dhe gjithmonë e kam ruajtur shumë këtë sekret dhe nuk e di pse e thashë, se nuk dua të lëndoj as babain tim…”