Nga Nada Biraçi
Fotografia: Gent Onuzi
Për të gjithë dashamirësit e radios, zëri i saj është mëse familjar, pasi prej vitesh Ksenja është një ndër folëset e njohura të Top Albania Radio. Ndonëse qëndron pas mikrofonit dhe nuk e ndjen presionin e vajzave të ekranit, për t’u dukur gjithmonë e kuruar, brunia simpatike e radios pëlqen të eksperimentojë e të guxojë shpesh me stilin e veshjes. Për ata që nuk e njohin fizikisht, duhet të dinë se pas atij zëri të qartë, të artikuluar e të rrjedhshëm në Top Albania Radio, qëndron Ksenja Shoshaj, e veshur herë si koketë, e herë në stilin ‘old money’.
Ksenja, si ishte kjo verë për ty?
Kjo verë për mua ishte e bukur, e vrullshme, iku disi pa u kuptuar, por mezi pres të vijë vjeshta të them të drejtën. Si një vajzë që kam lindur në dimër, temperaturat e ulëta janë ideale për mua.
Cila është gjëja më e bukur që të ka ndodhur këtë verë?
Të them të drejtën ka qenë një verë me plot evente të veçanta. Një moment special ka qenë një udhëtim triditor me jaht në brigjet e Shqipërisë. Kam eksploruar zona të veçanta dhe të panjohura për mua dhe më duhet të them që vija jonë bregdetare është e mrekullueshme.
Po më pak e bukur?
Një ngjarje jo pak e bukur?! Hmm, po sikur të them që me mbarimin e pushimeve ndihesh disi çuditshëm! Të gjithë duam pushime të gjata dhe sado të gjata të jenë ato, gjithmonë të duken pak.
Ti je pjesë e radios, pra nuk e ke atë presionin që kanë vajzat e ekranit për t'u dukur gjithmonë bukur? Apo s'është kështu?
Më pëlqen gjithmonë të dukem mirë dhe të jem e kuruar. Një dush çdo ditë, flokë të krehur e të rregullt, një veshje me copa të freskëta për këto temperatura të larta, një parfum lulesh ose myshku, është çdo gjë për t’u ndjerë mirë me veten dhe pse jo të marrësh komplimente të këndshme gjatë ditës. Në radio ke komoditetin të shkosh dhe me flokë të çrregullt apo pa makeup e në fakt ka raste që më ndodh dhe e shijoj kaq shumë këtë liri, sa edhe nëse shkoj një ditë me pizhamet e mia të preferuara, sërish do të ndihesha komode.
Sa e vështirë është të krijosh një stil veshjeje që të identifikon?
Nuk mendoj se është e vështirë. Secili nga ne duhet të ndihet i lirë të pasqyrojë karakterin e tij në veshje. Mendoj se me pak fantazi, do ta bënit një krijim veshjeje edhe më unik, prandaj guxoni.
A je ti mikesha që pyetet gjithmonë në WhatsApp për këshilla veshjesh nga mikeshat e tjera?
Edhe pyetem, edhe pyes. Gjithmonë konsultohem me shoqet e mia për veshjet, por gjithmonë përfundoj duke sajuar një fantazi që kam ndërtuar në stilin tim.
Nëse do ta pagëzoje me një emër stilin tënd të veshjes, si do ta quaje?
E vështirë për t’i vënë një përcaktim, por jam tipi i vajzës koketë, ndërsa kur ndihem mjaftueshëm e rritur, stili ‘old money’ ose ‘casual’ në ngjyra pastel është ideali për mua.
Të pëlqen t'i ndjekësh trendët, apo trendet të të ndjekin ty?
Jam modeste si natyrë, por më duhet ta them këtë sa herë sajoj një kombinim dhe e shikoj që më vonë bëhet trend, më duket sikur jam një gjeni, por që edhe po, mundohem ndonjëherë të ndjek trende. Dua të eci me ritmin e kohës.
Për çfarë shpenzon më shumë?
Shpenzoj për gjithçka. Sa shumë gjëra kemi ne gocat! Makeup-e, këpucë, çanta, veshje... Asnjëherë nuk do të kemi para mjaftueshëm për gjërat që duam të kemi apo jo?
Ke përdorur ndonjëherë marka ‘fake’?
Marka ‘fake’ jo. Mundohem që të kem pak dhe saktë. Mundohem që të gjej dhe firma të lira, por edhe cilësore. Do të ndihesha shumë keq nëse do të kisha një mashtrim në trupin tim.
Çfarë është gjëja më e shtrenjtë që ke në gardërobë?
Gjëja më e shtrenjtë është një çantë e një firme të njohur. Mendoj që është një investim që nuk zhgënjen kurrë.
Sa ka kushtuar?
Ka kushtuar sa një makinë.
Po më e lira?
Më e lira mund të jetë ndoshta një bluzë e bardhë, e thjeshtë, pasi vesh shumë të tilla për përditshmëri. Ka kushtuar diku te 15 euro.
Nëse je e pasur, a mund ta blesh stilin?
Mund të jesh dhe i varfër dhe të vishesh si i pasur, nëse bën blerje të zgjuara. Eci me shprehjen ‘më mirë të dish, sesa të kesh’. Kam njohur dhe njerëz me shumë para, që nuk janë veshur asnjëherë bukur.
Ti je folëse radio prej shumë kohësh në Top Albania Radio. Po televizionin e aspiron?
Bashkëjetesa ime me Top Albania Radion tanimë po bën 5 vite. Radio është vendi im i frymëzimit dhe vështirë se mund të më largojnë prej saj. Aventurat e reja i mirëpres, pse jo. Televizioni për mua do të jetë një sfidë, që falë radios mendoj se do të jetë një vend i hapur dhe komod.
Çfarë do të pëlqente të bëje në televizion?
Një ‘podcast’ ose program rinor, sepse mendoj që pak radio në televizion nuk bën keq. Përherë ka vend për energji rinore dhe emisione jo të ngurta dhe ku më mirë sesa në Top Channel.



















