KreuCelebrity

Ekskluzive/ Young Zerka: Zemra ime rreh për dikë!

Ekskluzive/ Young Zerka: Zemra ime rreh për dikë!

Një intervistë e sinqertë rreth programit “X Factor”, ku ai shfaqet në panelin e jurisë, por edhe disa të reja mbi projektin e tij më të ri, një album muzikor me 5 këngë, ndryshe nga muzika që ka bërë deri tani. 

Ekskluzive/ Young Zerka: Zemra ime rreh për dikë!

Nga Olsi Kolami

Të njohësh nga afër Young Zerkën, është një eksperiencë më vete. Do të thoni ju, pse çfarë ka ndryshe? Në fakt asgjë më shumë, asgjë më pak, nga sa mund të kuptosh përmes teksteve të këngëve të tij, stilit unik të muzikës që ai bën, por edhe veshjeve, e deri te flokët. Në përshtypje të parë, është një djalosh me sindromën e Piter Panit, që sapo ndien një tingull të lëvizë në ajër, nis e këndon edhe kërcen me shumë stil. Zerka ka një natyrë diellore, me një buzëqeshje që rrezaton mirësi dhe sinqeritet, aq sa të krijon përshtypjen se ke vite që e njeh. Punojmë bashkë në programin “X Factor”, ku tani ai ka një skuadër fantastike me zëra, që me shumë gjasë, në të ardhmen do të jenë kolegë të tij, pse jo edhe në ndonjë bashkëpunim. E shoh sesi është ngjitur dhe është bërë tok me Egzonën, vokal coachin e skuadrës Mix, duke më befasuar me zellin që kanë për të qenë pjesë e një gare, ku talenti është misioni madhor, por nga ana tjetër, duket se ndihen miq e shokë, e kolegë në të ardhmen.

Ekskluzive/ Young Zerka: Zemra ime rreh për dikë!

Edhe pse takohemi thuajse përditë, Young Zerka ka qenë së fundmi në projektin e radhës, atë të një albumi me pesë këngë, i cili do të shohë dritën përgjatë këtij viti dhe kam bindjen që do të ketë sukses. Sepse është unik, bën muzikë të mirë dhe është nga ata artistë që të rrëmben, që në frazën e parë të këngës. Më thotë, që ky album do të jetë ndryshe nga këngët e deritanishme, por sidoqoftë, për një gjë jam i bindur, do të ketë brenda Young Zerkën, artistin i cili na befason në çdo këngë. 

Zerka, si të duket eksperienca në “X Factor”, a e kishe imagjinuar veten në një program televiziv?

Të them të drejtën, nuk e kisha menduar se do të isha pjesë i një formati televiziv me përmasa të tilla. Përjetimet, emocionet janë padyshim të paevitueshme, sidomos kur je në pozicionin e jurisë, ku hera-herës e vendos edhe veten tënde në këpucët e konkurrentit. Sido që të jetë, mendoj se do të jetë një rrugëtim i bukur për këdo, gjithashtu edhe për ne anëtarët e jurisë.

Të shoh shpesh në siklet në përgjigjet e tua, kaq vështirë është të thuash, “Po” ose “Jo”?

Emocionet luajnë një rol të madh, qoftë në përgjigjet pozitive apo negative. Për mua si Zerka, një “Jo” ka qenë gjithnjë një përgjigje e vështirë, por që në rastin e “X Factor” do të mësohemi të japim edhe “Jo-në” me shpresë gjithnjë, pa thyer ëndrrat e askujt prej konkurrentëve.

Gjatë audicioneve, a je prekur për ndonjë “Jo” që ke dhënë, pasi ke parë reagimin e konkurrentit?

Jam prekur jo një herë, por disa deri tani. Madje dhe përpara apo gjatë krijimit të skuadrave, ku duhet të eliminonim ndër më të mirëve. Padyshim që kur sheh edhe reagimin e tyre, bëhet akoma dhe më e vështirë. Por doja t’iu thosha, të gjithë konkurrentëve, që edhe pse marrin për momentin përgjigje negative, nuk duhet të rreshtin kurrë se punuari deri sa të marrin “Po”. “Po” nga ne, “Po” edhe nga publiku.

Ekskluzive/ Young Zerka: Zemra ime rreh për dikë!

Tani ju keni një skuadër në “X Factor”, a jeni miq më ta apo janë thjesht konkurrentë?

Në një skuadër aq harmonike dhe me energji që kemi, normal që për post faktit që janë në një garë, kanë lindur edhe miqësi, ku dhe për mua janë miqtë e mi të vegjël. Mund të them, që kam një skuadër plot energji të mirë dhe mjaft karizmatike.

Ke parë te ndonjëri prej konkurrentëve veten në fillimet e tua?

Te secili prej tyre, shoh diçka të vetes sime. Është një rrugëtim aspak i lehtë, duke marrë parasysh edhe tregun e egër, që dhe vetë ne si artistë me një karrierë të gjatë muzikore hasim vështirësi, e jo me brezat e rinj që për arsye të ndryshme, ju duhet të çajnë edhe vetë, sikundër edhe unë vetë, ku nga një jetë larg Shqipërisë, vendosa të rikthehesha dhe të nisja çdo gjë nga fillimi.

A kemi vërtet talente, një brez që e meriton skenën e muzikës?

Kemi dhe i bindur them që kemi shumë talente të zhanreve të ndryshëm. Padyshim me talente të tillë do të isha i lumtur, që në të ardhmen të ndaja skenën me ta.

Kënga e fundit me David Dreshajn, mori 5 milionë shikime në YouTube, por ishte ndryshe nga ato që kemi dëgjuar deri tani, pse kjo zgjedhje?

Bashkëpunimet ndonjëherë të lënë hapësirë që pse jo të eksperimentosh dhe të dalësh ndryshe, normalisht gjë e cila vendoset nga të dyja palët, si në rastin me Davidin. Ishte një vendim i marrë nga të dy dhe rezultoi një këngë, e cila pati reagime të mira nga publiku.

Ekskluzive/ Young Zerka: Zemra ime rreh për dikë!

Meqë jemi të bashkëpunimet, a të kufizojnë ato shpesh për të bërë muzikën që do, apo jo?

Për aq kohë sa bashkëpunimet bëhen nga dëshira e jo për arsye të tjera, nuk ka asnjë hapësirë për kufizime.

Mendoj se ju si artist keni një as nën mëngë, zhanrin unik. Ja atribuoni suksesin zhanrit që bën, apo mendon se do të ishe njëlloj i famshëm, edhe duke kënduar një gjini tjetër në muzikë?

Besoj se është zhanri i ndërlidhur me stilin tim, që më fali suksesin. Mund të isha i famshëm, por që nuk do të isha Zerka, është shumë e sigurt.

Shumë bashkëpunime, në shifra ndoshta më shumë sesa solo, a të shqetëson kjo gjë?

Edhe pse numëroj thuajse një shifër të përafërt me njëra-tjetrën, qoftë solo apo bashkëpunime, përkundrazi nuk është diçka që më shqetëson, duke qenë se jemi në epokën e bashkëpunimeve, sikundër po ndodh edhe në tregun muzikor botëror, ku artistët po synojnë që të kenë sa më shumë bashkëpunime. Padyshim që do të vijoj me bashkëpunime, por edhe me shumë solo.

Ekskluzive/ Young Zerka: Zemra ime rreh për dikë!

Cili nga bashkëpunimet tuaja muzikore ka qenë më i suksesshmi?

E kam të vështirë t’i ndaj, duke qenë se janë projekte që të gjitha janë bërë me shumë kënaqësi nga ana ime dhe secila ka veçantinë e saj.

Më mirë krah një partnere në këngë femër apo mashkull, pse?

Nëse kënga është e realizuar mirë dhe garanton sukses, nuk ka rëndësi nëse partneri është femër apo mashkull. Deri më tani nuk më ka ndikuar në zgjedhje për bashkëpunime të kësaj natyre. Kënga që niset për bashkëpunim, më shumë duhet t’i përshtatet këngëtarit e jo gjinisë së tyre.

Kemi folur dhe një ditë për temën e klikimeve, a janë vërtet një vlerësim i mjaftueshëm financiar për një artist në Shqipëri?

Tashmë që ka forma të ndryshme që gjenerojnë klikime nga advertisement, agjenci të ndryshme që merren me kanalet muzikore, mund të arrihet që një pjesë e mirë e të ardhurave të jetë edhe prej klikimeve qoftë YouTube, Spotify apo kanale të ndryshme muzikore.

Ekskluzive/ Young Zerka: Zemra ime rreh për dikë!

Qysh në fillim keni spikatur për stilin, kur ka ndodhur ky transformim, apo kështu keni qenë që pa u identifikuar në muzikë?

Stili ka qenë që i vogël, gjithnjë ndryshe nga moshatarët e mi dhe dua të përmend, që një ndikim të madh ka patur edhe jetesa ime në Angli në një familje Jamaicane, ku padyshim kultura e tyre, që mund të them është e ngjashme me tonën, pati ndikim në atë çfarë unë ofroj sot.

Meqë jemi të stili, kush kujdeset për veshjet e tua?

Për veshjet e mia preferoj të kujdesem vetë. Mund të them që përpara çdo koncerti apo emisioni, shtëpia ime është një pasarelë, derisa të gjendet outfit i duhur. Mendoj se për një natyrë si e imja, është mirë që të vishem vetë, duke qenë se preferoj të ndihem gjithnjë vetvetja, duke nisur që nga look-u im.

A je ndier ndonjëherë keq, që të kanë vlerësuar për pamjen dhe jo për Zerkën e vërtetë?

Keq jo, sepse padyshim kush ka vendosur të më njohë, e ka kuptuar që gjykimi i parë i tyre, nuk ka patur lidhje me atë që unë jam. Aspak mendjemadh (qesh).

Ekskluzive/ Young Zerka: Zemra ime rreh për dikë!

Kam parë që aksesori më i përdorur janë syzet, sa keni dhe cilat janë më të veçantat për ju?

Mund të fle edhe me syze, mund të jem kudo me syze. Ato për mua janë një aksesor, që padyshim i japin një trajtë tjetër look-ut tim. Një shifër të saktë nuk kam, por kam jashtë mase modele të ndryshme, nga më klasiket deri te më ekstravagantet. Ndër to, më të veçantat janë syzet ‘handmade’, të cilat janë unike në llojin e tyre dhe janë të preferuarat e mia.

A i ndjek dhe a të shqetësojnë komentet e publikut në rrjetet sociale?

I ndjek atëherë kur duhet dhe qesh me to.

Cili është vendi, ku kalon më shumë kohë?

Padyshim te fabrika, në studio.

Viti që u mbyll pati disa suksese, por për vitin 2024, çfarë projektesh keni?

Viti 2024 do të vijë me një nga projektet e mia më të dashura, një EP (album) me 5 këngë, për të cilat unë dhe ekipi im jemi duke punuar. Do të jetë një album me këngë ndryshe nga ato që kam sjellë deri më sot në tregun muzikor dhe shpresoj që kushdo të gjejë sadopak vetveten në këngët që do të publikohen. Më besoni, Zerka do të vijë mjaft romantik (qesh).

Zerka, si një djalë nga Korça, përpos dialektit të lezetshëm, çfarë ke tjetër si korçar në karakterin tënd?

Qetësia që ne meshkujve korçarë na karakterizon, për aq kohë sa nuk cenohet diçka e jona.

Thonë që korçarët janë pak kurnacë. Zerka, si është?

Zerka nuk është aspak kurnac, por më besoni ka momente që duhet të jem. 

Prej vitesh në industrinë e muzikës, sa i përket jetës personale ke zgjedhur të mos flasësh, pse?

Sikundër edhe vetë fjala “personale”, mendoj që duhet të jetë e tillë, duke qenë se ka një rëndësi të madhe për mua. Gjithashtu, nuk kam dashur të jem pjesë apo të njihem prej lajmeve të showbizit, se sa për muzikën që unë sjell.

Rreh për dikë, nga ana romantike, zemra e Zerkës?

Edhe mbase, mund të rrahi për dikë…

Nëse e duhura s’ka ardhur ende, si duhet të jetë ajo?

E duhura për mua, është e thjeshtë dhe e sinqertë…

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF