Nga Nada Biraçi
Fotografia: Andis Rado
Ndonëse shijet janë relative, ajo çfarë është shpesh e vështirë në modë, është krijimi i një stili veshje që të identifikon. Dhe Elios këtë e ka! Për dikë stili i veshjes së gazetarit dhe tekstshkruesit mund të duket i çuditshëm, por duket se Elios Shuli pikërisht këtë ka për qëllim, pasi siç shprehet për “Bordo”, ai nuk ndjek kurrë trendet e modës, por ndjek çudirat e kësaj industrie.
Elios, një folës radiofonik apo tekstshkrues, duket se nuk e ndjen fort presionin e të dukurit ekstremisht i kuruar, apo është përshtypje e gabuar?
Në këto kohë ku duket se “kopertina” është kryefjalë edhe te djemtë, (pa dashur të bëj ndasi gjinore) mund të them se dua të kem dukjen time që më identifikon, por pa u ndjerë nën presionin e “normave estetike”. Po! E pranoj, ka ditë që edhe unë them: -“Ohuuu…një kapele dhe një palë tuta, zgjidhin shumë halle”. Me rëndësi është që kurohem për hir të vetes, jo për hir të presionit mediatik-shoqëror. Ndonëse shijet janë relative, ajo çfarë është shpesh e vështirë është të krijosh një stil veshje që të identifikon. Unë me vite, jo për t’u mburrur, jam etiketuar si një “çun me stil të veçantë”, do guxoja të thosha, edhe të çuditshëm. Personalisht ngulmoj te stili që identifikon, e mendoj se çdokush e ndjen se cili stil veshje, e përfaqëson më së miri. Pastaj…imagjino një grup njerëzish, apo një panel të cilët duken, si të dalë nga një shtypshkronjë, për mua është shqetësuese.
Diçka që ti e ke. Çfarë ta ka diktuar?
Stili im i veshjes dikur ka qenë shumë gotik. Në veshjet e mia dominon ngjyra e zezë, më bën të ndihem i fuqishëm, është ngjyra që më përfaqëson, por sot, kam pësuar një metamorfozë. Eksperimentet me stilin gotik, i kam lënë për veshje skenike, ose për raste të veçanta, ku përfshihen: pelerinat, vatat, kambalet, zinxhirët, varëse të çuditshme, unaza etj... Në përditshmëri preferoj në masë të jem pak a shumë “street style + swag”. Në të dyja rastet shkurt e shqip, më pëlqen të jem “extra” (po fare, fare).
E ndjek modën, trendet? Nëse stili yt i veshjes do të ishte një titull kënge si do të quhej?
Këtu çaloj pak, pasi nuk ndjek trendet, ndjek çudirat. Kënga për stilin tim, do të titullohej: “Me sy, nga mua”.
Çfarë është një element veshjeje që në gardërobën tënde është me shumicë?
Sot, ndihem i dominuar nga ‘hoodie’ me figura pse jo të animuara, xhaketat e lëkurës, ‘jumpers’, ‘cargot’ janë dashuria ime, sa më ekstravagante të jenë aq më mirë, atlete të çuditshme etj..
Shpenzon për veshje?
Kjo është në varësi të ndjesive. Po ma zuri dora të shtrenjtën, do ta blej, një herë ia bëjmë qejfin vetes. Përtej shakave, nuk kam ndonjë shpenzim marramendës në veshjet e mia, por për këpucë, apo veshje extra, nëse m’i do zemra, nuk kursehem.
Veshja për ty është thjesht një kombinim copash e ngjyrash hedhur mbi trup, apo diçka më shumë?
Nëpërmjet veshjeve gjithsecili ka “luksin” të ndihet një kameleon, pra të ndryshojë. E tillë duhet të jetë veshja, një lëkurë e ndryshueshme.
Së fundmi, emri yt po elaborohet gjithmonë e më shumë si tekstshkrues këngësh. Si ndihesh në këtë lëmë?
Të shkruaj tekste, e muzikë, ka qenë një nga pasionet, ëndrrat qysh në fëmijërinë time. Duke qenë se unë koleksionoj shumë CD, sidomos në muzikën shqipe, gjithnjë kam ëndërruar që një ditë të jem unë ai tekstshkruesi i këngëve shqip. E ndiej veten shumë me fat, sepse brenda 3 vitesh, unë kam punuar me emra shumë të rëndësishëm, si: Irma Libohova, Anxhela Peristeri, Vedat Ademi, Eli Fara, Blerina Braka, apo dhe me kompozitorët më në emër, si: Darko Dimitrov (bashkëpunëtori im kryesor), Adrian Hila, Kledi Bahiti, Eriona Rushiti, Enis Mullaj, Genti Lako etj.. A ka konkurrencë? Sa të duash, si të shëndetshme, si të pa shëndetshme! Por mendoj se fakti që unë jam pjesë e medias, gjithashtu është një “as nën mëngë” tek unë.
Muzika shqiptare jo rrallë është në krizë identiteti sa i përket teksteve. E ndjen si përgjegjësi që të japësh kontributin tënd për të ndryshuar diçka në këtë realitet?
Misioni që i kam përcaktuar vetes në këtë mision artistik, është, që në çdo tekst, apo këngë timen, të shkruhet shqip në mënyrë poetike. Fatkeqësisht në tregun tonë kjo quhet, të guxosh, sepse i shmangesh komercialitetit, duke “u etiketuar” më shumë në stilin “festivalor”. Dua që tekstet e mia të jenë kostum në shpirtin e kujtdo që i ndjen. Nuk dua të jenë humbëtirë.
Ti çfarë mendon për realitetin e teksteve në muzikën e tanishme shqiptare?
Nuk gjykoj asnjë krijues, sepse çdokush ka ngacmime që lindin së brendshmi, por mua, si krijues dhe dëgjues i muzikës shqiptare, më mungojnë tekstet poetike, që shprehin mesazhe dhe që kanë një fabul. Jam pak “old-school” në këtë aspekt dhe nuk bëj kompromise.
Në “Këngën Magjike” ishe autor i shumë teksteve. Si ndihesh që ke qenë zgjedhja e shumë artistëve?
Zemra plot! Në “Këngën Magjike” jam prezantuar edhe si autor muzike, sepse disa prej këngëve janë edhe kompozim i imi. Jam i lumtur që mbi të gjitha kam krijuar për këngëtarë që i këndojnë shpirtit. Po ashtu më lumturon fakti që të gjithë këngëtarët që kam punuar, pranuan të guxojnë me tekste që kanë një mbarsje emocionale dhe mesazhe sociale. Ndihem i bekuar.
Një hit e bën teksti apo muzika?
Një hit sot e bën publiciteti dhe forca e të bërit marketing. Sot unë duhet të trokas te ti si dëgjues. Rendi i ngarkuar i ditës nuk të lë hapësirë që ti të ulesh dhe të dëgjosh çfarë këngësh janë krijuar, e më pas të dallosh çfarë të pëlqen. Rrjedhimisht ti dëgjon në 90% atë këngë që është reklamuar më shumë.
Ku e gjen frymëzimin?
DASHURIA!
Më thuaj vendin apo gjënë më të çuditshme që të ka frymëzuar për të shkruar një tekst?
Ok…ma nxorët si me grep. 80% e frymëzimit tim vjen nga një periudhë “post-ndarje”. Tekstin e këngës “As ajo…” nga Elita Reçi, e kam shkruar në metro rrugës për në aeroport, fill pasi u ndava (qesh)! MJAFT TANI…KAQ KISHA! Faleminderit për intervistën, ju duuaaaaa...!!! Mos harroni: Jetoni për çdo buzëqeshje dhe për shkëlqimin e syve tuaj, e këtë shkëlqim ndajeni me bashkudhëtarët tuaj.



















