KreuCelebrity

Ekskluzive/ Besim Tula dhe 27 veprat e realizuara nga ai 30 vitet e fundit!

Ekskluzive/ Besim Tula dhe 27 veprat e realizuara nga ai 30 vitet e fundit!

Për shumë, Besim Tula është artisti postmodernist, piktori i cili guxoi me veprat e tij, solli një frymë krejt ndryshe në artin shqiptar, duke sjellë mesazhe jo thjesht përmes pamjes, por edhe fjalës, e cila e projektuar në krijimet e tij, e bëri atë tejet autentik. Kjo ekspozitë vjen si një kujtim nga vajza e tij, e njëkohësisht kolege Era, duke sjellë për publikun plot 27 vepra të realizuara nga ai 30 vitet e fundit, një pjesë e të cilave sjellin nota proteste për fenomene të caktuara të shoqërisë, me ngjyra të forta të cilat përshkruajnë ngjarje që e kanë tronditur emocionalisht artistin, i cili u largua nga jeta në vitin 2024, por duke lënë pas një gjurmë të rëndësishme në galerinë e artë të pikturës shqiptare.

Ekskluzive/ Besim Tula dhe 27 veprat e realizuara nga ai 30 vitet e fundit!

Era, pse zgjodhe titullin “Të ndjesh pamjen” për ekspozitën e babait tuaj dhe sa vepra janë ekspozuar?

Ekspozita e huazon titullin nga një botim i vetë artistit i vitit 2015 për artistët e rinj, që përmbledh vizionin e tij mbi estetikën e artit pamor. Përpara se të ikte nga jeta, im atë ishte duke menduar për një ekspozitë personale, ndaj m’u duk shumë e natyrshme të përdorja një titull të ideuar nga vetë ai. Janë të ekspozuara 27 vepra nga 30 vitet e fundit të krijimtarisë së tij. Është një mundësi e mirë për publikun për të kuptuar evolucionin e tij artistik, duke përfshirë këtu stilin shprehës dhe temat e trajtuara. Ekspozita hapet me veprën “Vdekja e Nënës”, pikturë që sipas kritikut Gëzim Qendro ishte “një nga veprat e fundit të viteve ’80, që shënoi kufirin ndarës midis epokës së Realizmit Socialist dhe periudhës paskomuniste, një vepër ku dallohej më shumë koha që po vinte se ajo që po lihej pas”.

Si u bë përzgjedhja, ishin pjesë e koleksionit privat apo arrite të rigjeje edhe ato që nuk trashëgoje?

Të tëra punët e ekspozuara janë pjesë e koleksionit privat të familjes. Im atë e kishte mjaft të vështirë të ndahej prej veprave të tij dhe kjo ndarje ka ndodhur në pak raste. Ai i shihte veprat që krijonte si pjesë të identitetit të tij, si fëmijë të shpirtit të tij krijues. Nuk e shihte artin si një mundësi fitimi, por si një mjet për të komunikuar mesazhe dhe ndjenja, një proces shpirtëror dhe intelektual, si dhe një mundësi për të lënë një pasuri kulturore që do të jetonte përtej tij, një pasuri që është e vështirë të matet në mënyra tradicionale.

Ekskluzive/ Besim Tula dhe 27 veprat e realizuara nga ai 30 vitet e fundit!

A ka një tematikë mbi të cilën jeni fokusuar dhe cili ka qenë kriteri juaj kuratorial?

Koncepti i saj, siç e tregon dhe vetë titulli “Të Ndjesh Pamjen”, inkurajon publikun jo thjesht të shohë, por të ndiejë thelbin e asaj që po shikon, duke e bërë përvojën e shikimit më personale. Sipas këndvështrimit të kritikut John Berger, “të shohësh nuk është veprim asnjanës, por është zgjedhje”, duke qenë se perceptimet tona nuk janë spontane, por përcaktohen nga një mori ndikimesh të brendshme dhe të jashtme. Ajo çfarë shohim dhe mënyra se si e shohim ndikon te ne dhe përcakton vendin tonë në botë. Veprat e ekspozuara përkthejnë në imazhe një sërë problemesh dhe realitetesh që i përkasin shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe me të cilat është ndeshur kushdo nga ne.

Ju i njihni të gjitha veprat, cilat janë ato më të preferuarat për ju dhe për babain tuaj?

E kam të pamundur të veçoj një vepër dhe jam e sigurt që dhe për të do të kishte qenë po kaq e vështirë. Thënë këtë, do të doja të ndalesha në një vepër të tijën të vitit 1988, “Pushimi i Drekës”, që tashmë i përket koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve, ku dy të rinj aksionistë në vend të paraqiteshin të angazhuar në punë paraqiteshin duke fjetur.

Në fillim e kritikuan shumë si punë dhe e hoqën nga renditja, por më vonë e lejuan të ekspozohej. Pritja që e mirë, por tensioni që u krijua nga trajtimi i kësaj teme ishte mjaft i qartë e i pranishëm. Regjimi i asaj kohe nuk mirëpriste trajtimin e temave që bazoheshin mbi aktivitete të menduara si “të dobëta” dhe që mund të demistifikonin figurën e pamposhtur të të rinjve aksionistë, që shiheshin si ata që po krijonin të ardhmen e lulëzuar shqiptare, falë një pune të palodhur e të paepur. Sipas një rrëfimi të tij, ajo ishte e vetmja punë që i shkaktoi një moment pasigurie në jetë.

Besim Tula është një përfaqësues i postmodernizmit shqiptar, si e sheh sot veprën që ai ka lënë pas?

Postmodernizmi refuzoi çdo formë autoriteti. Stili i tij shprehës tejet i veçantë tregon më së miri që punët e tij e ruajnë këtë tipar kaq të rëndësishëm të veprave postmoderne. Përtej kësaj, këto vepra janë ende të fuqishme dhe domethënëse edhe sot, pasi vazhdojnë të ofrojnë një kritikë të thellë ndaj fenomeneve problematike që fatkeqësisht i rëndojnë ende shoqërisë shqiptare. Vepra e tij është një testament i fuqisë së artit për të pasqyruar dhe sfiduar botën që e rrethon, duke përdorur imazhe që jo vetëm reflektojnë realitetin, por gjithashtu krijojnë hapësirën për ndryshim dhe përballje me të vërtetat e hidhura.

Ekskluzive/ Besim Tula dhe 27 veprat e realizuara nga ai 30 vitet e fundit!

Në piktura, krahas figurave ka dhe tekst, duke krijuar një stil mjaft identifikues. Si ka qenë pikënisja për krijimin e këtij stili?

Kur qe i vogël, te shkolla e lagjes shkonte një autokinema për të shfaqur filma. Në momentet kur operatori lëvizte në errësirën e sallës, duke rregulluar fokusin apo këndin e videoprojektorit, mbi shpinën e tij projektoheshin germat e titrave ose imazhe të aktorëve apo peizazhit. Ky efekt i fortë, ku mbi një figurë reale pranohej si e vërtetë dhe një tjetër pamje, i kishte mbetur në mendje dhe qe një pikënisje për të formuar një stil shumë personal. Mbivendosja e tekstit në imazh, e lejonte të paraqiste më fuqishëm subjektin e punës së tij.

Ngjyrat kanë forcë në piktura, por edhe tematika, si balancohen këto komponentë në krijimet e z. Tula?

Një shprehje e vetë artistit thotë "dëshira ime është që shikuesi të tërhiqet nga ngjyrat dhe pastaj të shikojë subjektin”. Ngjyrat ishin ato që sipas tij duhet të hapnin derën drejt përjetimit të një pikture, ndërsa subjektet duhet të jepnin ndjeshmërinë dhe ta bënin përvojën sa më kuptimplotë. Edhe pse, sidomos pas viteve 2000, veprat e tij flisnin për padrejtësi e plagë sociale, përsëri ngjyrat ishin të ndezura e shumë të hareshme, duke krijuar një kontrast shumë domethënës, i cili përfaqëson mjaft mirë energjinë dhe intensitetin e jetës, sidomos domosdoshmërinë që individi t’i tejkalojë këto vështirësi, si dhe nevojën e tij për të parë dritë në fund të tunelit.

Si ishte të rishihje krijimet e babait në një ekspozitë, kjo ishte e para pas largimit të tij?

Ka qenë një proces i mbushur me ndjenja të forta për mua. U ndjeva krenare kur e pashë të ekspozuar pak më të plotë krijimtarinë e tij, por njëkohësisht dhe e hidhëruar duke patur parasysh kontributin që mund të vazhdonte të jepte në art dhe botën përreth tij. Mbi të gjitha, kjo ekspozitë, ishte një tjetër mundësi për mua për të reflektuar mbi trashëgiminë e tij, jo vetëm si artist, por edhe si njeri. Kuptova se trashëgimia e tij është shumë më e gjerë se sa thjesht një koleksion veprash.

Ekskluzive/ Besim Tula dhe 27 veprat e realizuara nga ai 30 vitet e fundit!

Era, si e kujton raportin me babain, ju keni qenë atë e bijë, por edhe kolegë?

Raporti ynë baba e bijë ishte i bazuar mbi një dashuri, kujdes dhe mbështetje emocionale të pakufishme. Falë konceptit të tij të të qenurit prind, më ka mësuar se sa e rëndësishme është liria e të shprehurit të individualitetit tënd në çdo aspekt të jetës. Ai ishte mentor dhe mbështetës i vazhdueshëm për mua, duke më ofruar një perspektivë mjaft të gjerë mbi dashurinë për jetën dhe përballimit të vështirësive që hasen rrugës.

Përveç ADN-së, çfarë keni trashëguar nga babai në këndvështrimin artistik?

Im atë punonte në shtëpi, gjë që krijoi kushtet që unë të rritesha duke e parë atë të krijonte. Ai ngrihej shumë herët për të pikturuar, madje kohët e fundit në orën 5 të mëngjesit. Gjëja kryesore që kam mësuar nga procesi i tij krijues është se, përveç frymëzimit, asaj shkëndijës së parë që bën të mundur lindjen e një krijimi, çka është më e rëndësishme është puna e vazhdueshme. Im atë përpiqej të pikturonte çdo ditë. Një shprehje që më përsëriste në vazhdimësi ishte “Pasioni vjen duke punuar”.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF