
Wallis Fuentes Aquino, 23-vjeçarja që ishte finaliste në konkursin Miss Universe Tegucigalpa, është gjetur e pajetë në banesën e saj në kryeqytetin e Hondurasit, Tegucigalpa. Lajmi ka tronditur botën e konkurseve të bukurisë dhe opinionin publik në vend.
Sipas mediave lokale, e reja u gjet nga familjarët pasi për disa ditë nuk kishin arritur të lidhnin kontakt me të. Menjëherë pas zbulimit të trupit, autoritetet nisën hetimet për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Prokuroria po shqyrton të gjitha pistat e mundshme. Hetuesit nuk kanë përjashtuar mundësinë e një vepre penale, ndërsa paralelisht po verifikojnë edhe nëse vdekja mund të ketë ardhur si pasojë e shkaqeve natyrore ose patologjike. Deri më tani nuk është bërë publik një përfundim zyrtar.
Vdekja e Wallis Aquino u konfirmua edhe nga organizata Miss Universe Tegucigalpa, e cila i kushtoi një mesazh prekës në rrjetet sociale. Në reagimin e saj, organizata shprehu ngushëllimet për familjen dhe miqtë e 23-vjeçares, duke e kujtuar si një vajzë me energji pozitive dhe një mbështetëse të vazhdueshme të konkurrenteve të tjera.
Aquino kishte zënë vendin e dytë në edicionin e vitit 2026 të Miss Universe Tegucigalpa, një garë që shërben si fazë kualifikuese për konkursin kombëtar të Miss Universe Honduras. Ajo konsiderohej një nga emrat premtues në botën e bukurisë, ndërsa ndarja e saj e parakohshme ka lënë pas dhimbje dhe pikëpyetje që pritet të marrin përgjigje nga hetimet.
