Detaje tronditëse janë bërë të njohura nga vrasja e 44-vjeçares shqiptare në Selanik ditën e djeshme, 12 mars.Autor i ngjarjes është bashkëshorti i saj, 53-vjeç, i cili u hodh nga ballkoni dhe humbi jetën gjatë transportimit për në spital.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, 44-vjeçarja ka marrë mbi 40 goditje me thikë, në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa autori dyshohet se ka përdorur katër thika të ndryshme për t’i marrë jetën, shkruan vizionplus.tv.Thika kishte gjurmë gjaku mbi to dhe u sekuestrua nga policia.
Goditjet që i ka shkaktuar gruas së tij, në qafë dhe fytyrë, ashtu edhe në krahë dhe në bark, kanë qenë aq të forta, saqë njëra nga thikat është përkulur. Sipas informacioneve, varrimi i gruas do të bëhet në ditët e ardhshme në Shqipëri. Edhe 52-vjeçari do të prehet në vendin e lindjes. Ndërkohë dy vajzat e familjes, 16 dhe 21 vjeçe, të cilat humbën papritur prindërit, mbeten në gjendje shoku dhe mësohet se nuk kanë mundur të dëshmojnë në polici.
Për momentin nuk ka informacione që gruaja të ketë bërë denoncim për dhunë në familje. Duke folur për protothema.gr, një mikeshë dhe kolege e ngushtë e gruas tha se nuk mund ta besojë atë që ndodhi, pasi ajo shkonte në punë çdo mëngjes me viktimën dhe nuk e imagjinonte dot fatkeqesine që do të ndodhte.
“Ajo ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Ishte e qetë dhe kujdesej vetëm për fëmijët e saj”, tha gruaja, duke theksuar se është në gjendje shoku nga lajmi tragjik. “Ajo më thoshte se kishte probleme me burrin e saj, por nuk më dha asnjë detaj”, shtoi gruaja. Në momentin e vrasjes, dy fëmijët e familjes, 16 dhe 21 vjeç, ndodheshin larg banesës.



















