KreuCelebrity

Ndahet nga jeta në moshën 35-vjeçare aktorja turke Ece İrtem

Ndahet nga jeta në moshën 35-vjeçare aktorja turke Ece İrtem
Bota e televizionit turk është në zi pas lajmit për ndarjen e papritur nga jeta të aktores Ece İrtem. Artistja, e njohur për publikun nga roli i saj si Işıl në serialin e suksesshëm “Kızılcık Şerbeti”, ka humbur jetën në moshën 35-vjeçare.

Sipas mediave turke, aktorja është gjetur pa shenja jete në banesën e saj. Dyshimet e para flasin për një atak në zemër, ndërsa shkaku i saktë i vdekjes do të përcaktohet pas përfundimit të autopsisë. Ngjarja bëhet edhe më prekëse nga fakti se Ece İrtem kishte festuar ditëlindjen vetëm një ditë më parë.

Lajmi u konfirmua nga avokati i saj, i cili bëri të ditur se aktorja ndodhej në shtëpi së bashku me nënën e saj në momentin e ngjarjes. Ai theksoi se të dhënat paraprake tregojnë për një problem kardiak, ndërsa u bëri thirrje mediave dhe opinionit publik të mos u besojnë spekulimeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale, përfshirë pretendimet për vetëvrasje, deri në publikimin e raportit zyrtar.

Vdekja e saj ka shkaktuar trishtim të madh mes kolegëve dhe admiruesve në Turqi. Rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe ngushëllimi dhe homazhe për aktoren, e cila kujtohet si një artiste e talentuar dhe një person me energji të veçantë.

E lindur më 14 qershor 1991 në qytetin e Sivasit, Ece İrtem kishte një formim në fushën e operës dhe muzikës, përpara se të ndërtonte karrierën e saj në aktrim. Ajo debutoi në ekran në vitin 2014 me serialin “Kaçak Gelinler” dhe më pas u bë pjesë e disa produksioneve të njohura, si “Yasak Elma”, “Mahkum”, “Sandık Kokusu” dhe së fundmi “Kızılcık Şerbeti”.

Ndarja e saj e parakohshme konsiderohet një humbje e rëndë për industrinë e argëtimit në Turqi dhe për publikun që e ndoqi ndër vite në ekran.