Alvaro Vitali, aktori dhe komediani italian i dashur nga publiku për rolin e Pierinos dhe për shumë role në filmat e komedisë erotike italiane, ka ndërruar jetë në Romë në orët e pasdites. Ai lindi më 3 shkurt 1950 dhe ishte shtruar në spital dy javë më parë për shkak të një bronkopneumonie të përsëritur, siç kishte bërë me dije ish-bashkëshortja e tij, Stefania Corona, në një intervistë të dhënë disa ditë më parë.
Gjatë karrierës së tij, Vitali mori pjesë në mbi 80 filma, shumica dërrmuese e të cilëve lidhen me personazhin e Pierinos ose me komedi ku luante përkrah ikonave të komedisë erotike si Edwige Fenech, Nadia Cassini dhe Carmen Russo. Megjithëse zakonisht në role dytësore, ai ka luajtur edhe në disa filma të regjisorit të madh Federico Fellini, përfshirë Satyricon, I clowns dhe Amarcord (ku shfaqet si një nga shokët e shkollës së protagonistit Titta).
Përgatiti: Libera Resulaj



















