KreuCelebrity

Në lëkurën e Resul Sinanit!

Në lëkurën e Resul Sinanit!
Nga Nada Biraçi

Është një ndër figurat më familjare në Kosovë, ndërsa programi i tij “Libero” e ka kaluar fare lehtësisht kufirin, duke bërë kështu që Resul Sinani të jetë po aq familjar edhe në Shqipëri. Si specialist i komunikimit, mjeshtërisht dhe me delikatesë, Resuli ka ditur të ruajë fort mirë integritetin e medias, edhe kur në studion e tij nuk kanë munguar personazhe të prodhuar nga komerçi. Njohës i mirë i të gjitha lëmeve mediatike, Resuli rrëfen për “Bordo” cilin rol ka më shumë nën lëkurë dhe si është jeta e tij pas ekranit, si bashkëshort dhe baba i tre fëmijëve.

Jeni mësuar të jeni ju ai që intervistoni, por kësaj here në “Bordo” kemi dëshirë t’ju vendosim në pozicionin e të ftuarit. Në cilin rol ndiheni më komod?

Nëse do të përgjigjesha para disa vitesh në këtë pyetje, pa dyshim që do të përgjigjesha ‘në rolin e moderatorit’, por sot mund të them se komod jam në të dy pozicionet, e shpesh sikur më shijon më shumë edhe të qenit i intervistuar. Roli i moderatorit të jep mundësi që të bësh pyetje e të ngresh çështje, por të kufizon që të japësh përgjigje për çështje të ndryshme, e ndonjëherë njeriu ka nevojë edhe të flasë, të japë opinione ose të shprehë qëndrimet për tema të ndryshme, pra me një fjalë ka nevojë që të shprehet. Formati i emisionit tim, ma jep edhe këtë mundësi, që të shprehem, por përsëri brenda disa kufijve që t’i përcakton roli i moderatorit, ndërsa kur je si i intervistuar atëherë je plotësisht i lirë që të shprehesh mendimin tënd.

Në lëkurën e Resul Sinanit!
Ju i keni provuar të gjitha lëmet mediatike; që nga folësi i lajmeve, gazetarinë, moderimin deri edhe ‘showman-in’. Cili prej roleve është ‘lëkura’ e Resulit?

Kur po e mendoj, paskan kaluar 25 vjet, pra një çerek shekulli që jam pjesë e medias. Gjatë këtij çerekshekulli gjithçka ka ndryshuar në botën e medias dhe gazetarisë. Teknologjia ka qenë nxitëse dhe përcaktuese e ndryshimit. Bashkë me median, ka ndryshuar edhe forma e të ushtruarit të profesioneve, që lidhen me median e të cilat përgjatë rrugëtimit tim i kam provuar e ushtruar edhe unë. Nëse dikur, këto role ishin më të largëta dhe kishin kufij ndarës, me kalimin e kohës, ata kufij janë zbehur dhe kanë shkuar drejt një profesioni që kërkon shumë më shumë shkathtësi. Ashtu siç flitet për gazetari multimediale, mund të them se bëhet fjalë edhe për profesionist të kësaj fushe me shkathtësi multidimensionale. Sot nuk mund të jesh vetëm lexues, vetëm spiker, vetëm gazetar, vetëm moderator i një lloj emisioni, sot duhet të jesh ‘të gjitha në një’, pra duhet të jesh i kompletuar. Unë për vete, ndihem njësoj dhe i shijoj po njësoj secilin prej roleve që më bie t’i bëj, por së fundmi pjesa e moderimit të emisionit tim “Libero” po më shijon më shumë dhe po më përmbush më shumë në aspektin profesional.

Si pedagog në Fakultetin e Gazetarisë të Kolegjit AAB, cila është këshilla më e shpeshtë që ju i jepni studentëve të gazetarisë?

Gjatë leksioneve të mia me studentët, aspektet teorike të literaturës shkencore ua gërshetoj edhe me aspektet praktike, që rrjedhin nga përvoja ime në media. Sigurisht në formë këshillash ua përcjell edhe shumë përvoja të miat. Duke patur parasysh kontekstin në të cilin jemi si shoqëri dhe si media, theksin e vë në dy aspekte, së pari në aspektin etik dhe së dyti në aspektin e përshtatjes me trendet profesionale. E para, që ta ushtrojnë profesionin në të mirë të shoqërisë dhe të mos kenë devijime të cilat herët a vonë ju kthehen në bumerang profesional dhe e dyta që të jetojnë sa më gjatë me këtë profesion, sepse vërtetë është prej profesioneve të bukura dhe të jep shumë gjatë ushtrimit të tij. Të biesh pre e komerçit dhe mediokritetit në televizion duket se së fundmi po bëhet një sfidë e humbur. Por personalisht ju ja keni dalë t’i ruani kufijtë e misionit të medias vizive...

Në lëkurën e Resul Sinanit!
Sipas jush, pse shumë drejtues mediash dhe kolegë bëjnë ‘trash tv’?

Edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, por edhe në Maqedoninë e Veriut (te shqiptarët), ka tepër shumë televizione në raport me numrin e popullsisë dhe sidomos në fuqinë ekonomike që ka tregu për t’i mbajtur ato. Ky numër i madh i televizioneve, pa dyshim që reflektohet edhe në cilësinë e të bërit televizion. Sot kemi televizione që transmetojnë 24 orë program, por i kanë vetëm 7-8 punëtorë, sepse këtë ua ka mundësuar teknologjia, ama prej tyre nuk mund të presim cilësi dhe sidomos gazetari cilësore. Kjo shumësi e madhe e televizioneve, krijuesit e përmbajtjeve televizive i ka vënë para një situate ku shpesh duhet të shkojnë në ekstrem. E keqja është që jo vetëm nëpër televizione të vogla, por edhe nëpër televizione të fuqishme ka një tabloidizim të përmbajtjeve televizive, sepse edhe ato televizione po e ndiejnë trysninë e viralitetit të përmbajtjeve televizive që prodhohen nga të vegjlit. Pra, të vegjlit duke mos patur pardon dhe kufij, as etikë e as profesionalizëm, po ju bëjnë presion edhe të mëdhenjve që hyjnë në vallen e njëjtë të mediokritetit. Shpresa ime është se me kalimin e viteve gjërat do të vijnë në vendin e tyre, por nuk duhet të kemi iluzione se do të kthehemi në periudhën para mediave sociale!

Degradimi i televizionit por shpesh edhe medias në përgjithësi është përgjegjësi e kujt? Dëgjojmë shpesh të thuhet se ‘publiku këtë do’?

Do të thosha është përgjegjësi e kohës në të cilën po jetojmë, jo vetëm e medias, e as vetëm e publikut. Sot interaktiviteti i medias me publikun është përcaktues dhe nuk mund të mohohet e as të anashkalohet. As media nuk mundet që të imponojë gjithçka te publiku e as publiku nuk mundet të imponojë te media. Mesi i këtij interaktiviteti është algoritmi i rrjeteve sociale, që pasqyron atë që prodhon media dhe atë që konsumon publiku. Natyrisht, derisa publiku nuk ka përgjegjësi dhe nuk mund të bëhet përgjegjës duke thënë ‘publiku këtë do’, media ka përgjegjësi për përmbajtjet që krijon dhe ia servon publikut, e në këtë pikë, media ka përgjegjësinë që ndër të tjera, ta edukojë dhe ta kultivojë shijen e publikut dhe të mos e lejojë degradimin. Në të kundërtën, kur publiku është përcaktues, në një shoqëri si e jona degradimi është rezultat i pritshëm, çfarë edhe është duke ndodhur prej vitesh!

Televizion bën më mirë Kosova apo Shqipëria? Ku ndahen dhe ku takohen këto dy stile mediatike?

Në përgjithësi televizioni ka një nivel të admirueshëm në të dy shtetet tona. Kam përshtypjen se sikur të ishin edhe segmente të tjera të shoqërisë apo edhe të institucioneve në nivelin që janë televizionet, do të qëndronim më mirë si shoqëri. Ajo që dallohet është se në televizionet në Shqipëri kanë nivel shumë më të lartë spektaklet televizive, ndërsa në Kosovë janë më të rralla dhe nuk janë në nivelin e njëjtë. Në televizionet në Shqipëri vërehet një influencë e modelit të televizionit italian, ndërsa në Kosovë një influencë të televizionit kontinental që identifikohet me modelin anglez.

Keni ju një muzë në gazetari?

Një individ ose një person të tillë nuk e kam, por kam disa modele që më frymëzojnë, ama për të mos përmendur ndonjë emër të përveçëm, po them se muza ime është ndikimi që ka puna jonë te njerëzit, të cilët ma shprehin në forma të ndryshme qoftë në rrugë, qoftë përmes mesazheve të shumta që na i dërgojnë sidomos në rrjetet sociale.

Jeni baba i tre fëmijëve, sa i përfshirë jeni në prindërim? Si janë ndarë rolet në familjen tuaj?

As unë e as Zana nuk jemi nga Prishtina, ndërsa familjen tonë e kemi krijuar në Prishtinë, ku edhe jemi shkolluar dhe punësuar e ku kemi ndërtuar jetën tonë. Prandaj, familja jonë gjithmonë ka qenë familje nukleare, pa gjyshërit apo të afërmit e tjerë. E kjo ka bërë që roli jonë në prindërim të jetë i domosdoshëm. E them me shaka se për 13 vjet radhazi kam qenë ‘taxi driver’, sepse çdo mëngjes i kam çuar dhe çdo pasdite i kam marrë, fillimisht nga çerdhja, kopshti e pastaj nga shkolla. Për mua ndër momentet më të bukura të ditës përgjatë jetës sime janë momentet kur i kam përgatitur fëmijët për shkollë dhe bisedat me ta në veturë gjatë rrugës. Do të doja që momentet e tilla të mos përfundonin kurrë, por tashmë dy të mëdhenjtë janë rritur, Luela shkon në vitin e parë në fakultet, Anuari është maturant, ndërsa më ka mbetur që në mëngjes të bëj gati Azalean, e cila është në klasën e tretë!

Kosova e ka ruajtur traditën e familjes së madhe. Ju e keni në plan një pjesëtar të ri në familje?

Jam shumë i lumtur që më ka bekuar jeta me tre fëmijë. Lutem që të rriten me shëndet dhe të realizojnë dëshirat dhe ëndrrat e tyre. Për fëmijë të tjerë, nuk kemi menduar, por ndonjëherë ndodhin edhe befasi, përtej planeve!

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF