KreuKopertina

Ekskluzive/ Jurgen Uldedaj, për boksin dhe jetën jashtë ringut!

Ekskluzive/ Jurgen Uldedaj, për boksin dhe jetën jashtë ringut!

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Andis Rado

Veshjet: Reiman

Sapo ka siguruar fitoren e 16-të në karrierën e tij, ku në sallën e legjendave të boksit elitar “York Hall” në Londër, Jurgen Uldedaj shfaqi gjithë potencialin e tij ndaj kundërshtarit. Me këtë fitore, boksieri 26-vjeçar është nisur tashmë drejt së pakthyeshmes rrugë: atë të shpalljes kampion bote!

Jurgen, urime! Pak ditë më parë, fituat një ndeshje shumë të vështirë dhe të rëndësishme për karrierën tuaj. Si ndiheni?

Faleminderit! Është ndjesi e paharrueshme. Çfarëdo përshkrimi t’i bëj unë momentit të një fitoreje, nuk mund t’ua përçoj dot me fjalë atë ndjesi.

Ekskluzive/ Jurgen Uldedaj, për boksin dhe jetën jashtë ringut!

Kujt ja dedikoni fitoren?

Fitoren ia dedikoj familjes sime, njerëzve të zemrës dhe skuadrës sime, për mbështetjen e tyre të palodhur, si dhe dashamirësve të mi.

Çfarë kalon në kokën e një boksieri, sapo vë këmbën në ring?

Në momentin e hyrjes në ring, më vijnë në mendje si mirazhe të gjitha imazhet e vështirësive, që më është dashur të kaloj për të ardhur deri aty, dhe ky është pikërisht çasti që shpirti im është i fokusuar, i përgatitur dhe i gatshëm për sfidë.

Ekskluzive/ Jurgen Uldedaj, për boksin dhe jetën jashtë ringut!

A keni ndonjë ritual para ndeshjes, mbani ndonjë hajmali apo bën ndonjë lutje?

Patjetër që po! Unë jam besimtar dhe përpara çdo ndeshje marr kohën time, për të bërë lutjet e mia.

Për pjesën më të madhe të boksierëve, ky sport ka lindur në rrugë, gati-gati si mënyrë mbijetese për vetëmbrojtje. Për Jurgenin, si ka nisur?

Fillimisht, edhe për mua boksi nisi si një mjet vetëmbrojtjeje, pasi kam qenë një fëmijë i prapë dhe mbipeshë. Boksin e shikoja dhe si një rrugë për t’u përmirësuar dhe rënë nga pesha.

A keni një idhull në boks?

Boksi ka shumë yje dhe figura të mëdha, por inspirim i madh për mua ka qenë Usyk, Canelo dhe Roy Jones Jr.

Ekskluzive/ Jurgen Uldedaj, për boksin dhe jetën jashtë ringut!

Ky sport kërkon gjakftohtësinë, për të mos lejuar keqardhjen të ‘ndërhyjë’ në lojë, teksa godet kundërshtarin! Si arrihet kjo psikologjikisht, nga një boksier?

(Qesh) Për këtë kam një shprehje, që më pëlqen shumë: “Më mirë të qajë nëna jote, sesa e imja”! Për të patur gjakftohtësinë e duhur në ring, përqendrohem tek objektivi im, duke mos lejuar emocionet të ndikojnë në performancë.

Ju ka ndodhur të përdorni teknikat e boksit, jashtë ringut?

Teknikat e boksit zakonisht përdoren brenda ringut për ndeshjet zyrtare. Megjithatë, ndonjë teknikë edhe është aplikuar, kur është dashur për vetëmbrojtje (qesh).

Si ndikon te ju personalisht, prezenca e familjarëve në një ndeshje?

Në fillimet e mia e kam patur presion shumë të madh, dhe mundohesha të mos ndeshja shikimet e tyre gjatë ndeshjes, për të mos u shpërqendruar. Por tani jam mësuar dhe prezenca e tyre në ndeshje, më është kthyer në forcë.

Ekskluzive/ Jurgen Uldedaj, për boksin dhe jetën jashtë ringut!

Ka patur ndonjë familjar, që ju ka thënë “mos e bëj këtë sport”?

Në fillimet e karrierës sime në boks, prindërit kanë qenë shumë të shqetësuar dhe nuk donin që të futesha në këtë sport, për shkak të vështirësisë dhe rreziqeve që ky sport mbart. Por me kalimin e kohës, duke parë pasionin, përkushtimin dhe vendosmërinë time, ata u bënë mbështetja ime më e madhe, të cilët përpos merakut që sigurisht e kanë gjithmonë, janë gjithmonë me mua për të më dhënë forcë për fitoret e mia.

Sot jeni vetëm 26 vjeç, në një të ardhme cila do të ishte ajo arritje, që do të të plotësonte në këtë sport?

Synimi im në të ardhmen, është të bëhem një nga boksierët më të mirë në nivel botëror dhe të mbroj titullin tim. Sigurisht dhe ca miliona në bankë, nuk bëjnë keq (qesh).

Duket se grintën e ‘dyluftimit’ e lë për në ring, pasi së jashtmi të jepni përshtypjen e një djali paqësor dhe shumë kavalier?

Faleminderit, po e marr si kompliment! Gjithsesi dhënia e imazhit të një djali paqësor dhe kavalier jashtë ringut, është një zgjedhje personale për mua, pasi jam rritur në një familje ku kultura, mikpritja dhe normat shoqërore janë thelbësore.

Çfarë bën Jurgeni në kohën e lirë, cilat janë pasionet e tua?

Në kohën e lirë preferoj të dal shëtitje në natyrë me qenin tim, i cili është terapia ime më e mirë, kuptohemi me sy (qesh).

Udhëtoni më shumë për punë apo për qejf?

Me se shumti udhëtoj për punë, por kur kam mundësi më pëlqen të eksploroj vende të reja.

Cili është vendi më impresionues që keni parë?

Hmm, Las Vegas më ka lënë mbresa të shumta. Ky qytet është konsideruar si kryeqyteti i boksit, pasi ka arenat më të njohura në botë, si MGM Grand Garden Arena. Atmosfera dhe spektakli i krijuar në këtë qytet, bën që çdo ndeshje të jetë një ngjarje e paharrueshme për boksierët dhe tifozët e tyre.

Ekskluzive/ Jurgen Uldedaj, për boksin dhe jetën jashtë ringut!

Jeni i dhënë pas modës? Cilat janë brandet që pëlqeni më shumë?

Nuk jam shumë i përfshirë në modë, por pëlqej veshjet e rehatshme dhe pa shumë logo.

Cili është gatimi juaj i preferuar?

Preferoj një supë shumë të thjeshtë, por me shumë vlera ushqyese dhe shumë dashuri. Ajo është supa e pulës, e gatuar nga duart e nënës sime.

Më thoni një mesazh për djemtë e vegjël, që e pëlqejnë boksin. Çfarë duhet të dinë dhe të kenë parasysh ata?

Për djemtë e vegjël që pëlqejnë boksin, do t’ju thoja kujdesuni për shëndetin tuaj, disiplinoni veten dhe ndjehuni të lirë, të ndiqni ëndrrat tuaja. Boksi është shkollë për jetën.

 

 

 

 

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF