Strasburg nuk është thjesht një qytet i bukur!
Është më shumë se kaq. Emri i tij ka origjinë gjermane, që do të thotë: “vendkalim rrugësh“. Nuk merret vesh nëse je në Gjermani apo Francë; shumë pranë kufirit gjerman (as e kupton madje kur e kalon atë), stilet e vendeve janë gërshetuar, më e mira e mundshme nga të dy vendet duket sikur “ka pikuar” pikërisht në këtë qytet. Shtëpitë janë tipike gjermane me dekore të shumta druri, por Katedralja është franceze, fiks si “Notre-Dame de Paris”, njerëzit flasin lehtësisht të dyja gjuhët dhe vetë tabelat janë dygjuhëshe. Mënyra e të sjellurit të ngjan si gjermane, edhe shkrimi në vitrina, apo disa pjata në menutë e lokaleve, por stili, eleganca dhe sqima të kujtojnë që je në Francë.
Për çfarë është më i njohur Strasburgu?
Në pjesën më të madhe të vitit, Katedralja e lartë 142 metra që të lë pa frymë dhe shtëpitë më shumë se të mahnitshme që mbushin rrugëzat dhe rrethojnë si stoli kanalet e lagjes së vogël franceze, janë pothuajse zgjedhja kryesore për fotot e Instagramit, apo kartolinat, nëse je romantik dhe për kujtimet e ëmbla nuk mjaftohesh thjesht me foto në ekran (siç jam unë, p.sh.). Por në dimër, gjithçka ka të bëjë me “Christmas markets“ (tregun e Krishtlindjeve), dhe është koha e duhur për të adhuruar dekoret e jashtëzakonshme e unike të krishtlindjeve, marketet, zbukurimet, atmosferën, energjinë. Të ngjan se në Strasburg jetojnë njerëzit më të ngeshëm në gjithë globin, përsa i përket dekorimeve të qytetit: mureve, çative, rrugëve, shtyllave të dritave, shesheve, parqeve, pra çdo vendi të mundshëm, çdo qosheje, çdo cepi rruge apo rrugice… Quhet madje “Capitale de Noël”, dhe në dimër ia vlen të vizitohet medoemos.
Strasburg është gjithashtu selia zyrtare e Parlamentit Evropian dhe kjo duket sikur ia rrit edhe mjaft vlerat këtij qyteti që më shumë sesa për takime zyrtare, duket se është i krijuar për ato romantike.
Cila është koha më e mirë për të vizituar Strasburgun?
Padyshim pranvera dhe vera, nga prilli në gusht. Është koha për të vizituar e kënaqur sytë me kanalet e bukura gërshetuar me arkitekturën e shtëpive; me Katedralen “Notre-Dame” që spikat në qendër dhe baret me tavolinat e rregulluara këndshëm e me shije, dyqanet e lezetshme me suvenire, veçanërisht ato me bizhuteri. Koha e bukur e me diell, japin mundësi për ecje dhe arratisje njëditore në natyrë, të shëtitjeve në lumë me tragetet e vogla, të shijimit të muzikës, ushqimit, festivalet e artit, apo të kalimit të mbrëmjeve të gjata në tarracat e bareve të shumta të qytetit.
Kjo është ajo që bëhet në muajt e pranverës e verës dhe ndjesia e kënaqësisë është vërtet e madhe!
Por për romantikët që duan të kalojnë ca ditë vetëm me veten e tyre dhe askënd tjetër, duke shëtitur bri kanaleve, nëpër rrugëzat me dyqanet e vogla, të flenë në hotele me çarçafë të parfumosur të lagjes franceze, të vizitojnë muzeumet, të shëtisin me varkë, apo të hanë drekë në tarracat e mrekullueshme me pamje mbresëlënëse? Po ta mendosh, nuk do të kishte vend më interesant sesa Strasburg, për të kaluar ditë të paharrueshme me ngrohtësi dashurie.
Nëse vizita do të ndërmerrej ditët e Shën Valentinit, zgjedhje më të zgjuar s’do kishte për aq kohë sa Strasburg nuk është edhe aq i lakmuar në shkurt, por ama qetësinë, relaksin dhe energjinë e mirë e ke të sigurt!
Nëse do t’i bësh një dhuratë vetes dhe partnerit për Shën Valentin?
Ndiq zemrën dhe rend drejt e në Strasburg.
Do kaloje ditë thjesht të paharrueshme!
Padyshim që Strasburg cilësohet si një ndër qytetet më romantikë të Francës!
Edlina Losha,
Janar ‘25


Sot Shën Valentin; çfarë duhet të dini!










Parashqevi Simaku në Javën e Modës në Nju-Jork!



GADGET/ Fjala e fundit e teknologjisë!

Shën Valentin: Një darkë për dy!



