Prej shumë kohësh mendohej se meshkujt nuk ishin aspak të prekur, madje të imunizuar ndaj komplekseve trupore dhe të kursyer nga presioni social mbi trupin. Krejtësisht të painteresuar ndaj çdolloj produkti estetik. Duke i lënë femrave, një grup aktorësh dhe prezantuesish televizivë, injektimet, ndërhyrjet, heqjen e celulitit, produktet mbushëse dhe llojet e ndryshme të liftingut.
Vrenjtja e famshme e luanit, e vendosur mes dy syve jep një pamje të rëndë. Qepallat e rëna, japin një shikim të lodhur. Brazdat e hidhura përreth gojës, mjekra e dyfishtë, rrudhat te sytë. Krejt fytyra humbet gjallërinë. Të gjitha janë këto shenja të kohës që kalon. Nëse meshkujt deri tani kanë qëndruar në distancë nga sallat e kirurgjisë dhe mjekësisë estetike, janë gjithnjë e më të shumtë ata që mbajnë rradhët për t’u këshilluar për një kurë rinore. Sigurisht që meshkujt nuk kanë pritur vitet e fundit që të kujdesen për veten. “Prej rreth 20 vitesh, po asistojmë në një rritje të meshkujve në estetikën e trupit. Madje vërehet një afrim i mënyrave të jetesës së femrave dhe meshkujve. Kjo tendencë shfaqet më gjerësisht në aspekte si sporti, shëndetësia, argëtimi, por edhe të vihet në dukje që kujdesemi për veten”, thotë Isabelle Queval, kërkuese në Qendrën e Kërkimeve mbi Lidhjet Sociale. Sipas statistikave të Shoqërisë Amerikane të Kirurgëve Plastikë (American Society of Plastic Surgeons), numri i ndërhyrjeve kozmetike për meshkujt është rritur me 273 % që prej vitit 1997. Në vitin 2014, u zhvilluan më shumë se 2,7 milionë ndërhyrje estetike tek meshkujt. Tashmë ata përfaqësojnë rreth 14 % të tregut, ndërsa 12-20 % të konsultimeve bëhen me klientë meshkuj.