KreuArt

Rozana Radi: Kë do të imitoj pas Bleonës…

Këngëtarja dhe aktorja e dashur, Rozana Radi është bërë pjesë e formatit televiziv “Your face sound familiar”, i cili transmetohet çdo të hënë në Tv Klan. Deri më tani ajo ka imituar 3 emra të mëdhenj të muzikës, ndërkohë që mbrëmjen e kaluar nuk la pas edhe Bleonën.
Në një intervistë për BORDO, artistja tregon për eksperiencën e saj në këtë format televiziv, personazhet konkurentë dhe ato që do të imitojë në vazhdim.

Nga Sidorela Lepri

E kishit menduar ndonjëherë që do të dilnit në skenë në imazhin e një tjetër artisti?

E kisha menduar që mund të dilja në skenë në imazhin e dikujt tjetër, sepse unë kam interpretuar disa role në teatër, që nuk kanë qenë Rozana. Kështu që nuk ishte risi për mua. Kam intepretuar shumë personazhe botërorë në teatër, por e dija që do të vinte shumë shpejt momenti që do të interpretoja edhe këngëtarë.

Ju jeni aktore. A është ky formati që nxjerr në pah cilësitë tuaja si aktore?

Sigurisht që ky është formati i përshtatshëm për mua. Jam diplomuar për aktore, profesioni im i dytë është këngëtare, kështu që ky është një spektakël që më kompleton nga të gjitha anët.  Kur marr përsipër një personazh e studioj fillimisht atë. Nuk i bëj gjërat kalimthi në skenë, ashtu sikurse nuk i bëj në jetën time. E studioj personazhin dhe jetoj me të deri në momentin që e interpretoj.

Deri tani keni imituar 3 emra të mëdhenj, në petkun e cilit prej tyre jeni ndjerë më shumë vetvetja?

Nuk ndihem asnjëherë vetvetja kur imitoj personazhe të tjerë, qofshin këto personazhe botërorë apo shqiptarë. Kur shkoj për spektakël e heq Rozanën dhe e lë në shtëpi, dhe vesh cilësitë e personazhit që do të interpretoj. Nuk ka Rozanë të hënave, ajo kthehet pas orës 12.

Mbrëmjen e shkuar imituat Bleonën, po Çanin dhe Bojkenin keni në plan ti imitoni? Nëse po, si do ti sillni këto dy personazhe?

Po solla Bleonën. E para, sepse e kam mikeshë shumë të mirë dhe e dua shumë. E dyta, është e vërtetë në atë që bën. Nëse do të ia bëja dikujt tjetër do të mërzitej, por Bleona dje e mori me sportivitet dhe për këtë e vlerësoj shumë. E dua shumë Bleonën, sepse është e vërtetë dhe i urrej artistët fallco.
Nuk e di kë mund të imitoj tjetër, pasi spektakli është i gjatë. Nuk mund të parashikoj se kë mund të imitoj tjetër. Di që do të imitoj këngëtarët që do të më bien në short. Pastaj, le të ia lëmë surprizat spektaklit.

Cilin prej personazheve e shikoni si konkurentë të fortë?

Përtej faktit që ky kast është i mrekullueshëm, i kam të gjithë miq dhe kam punuar me to mendoj që çdo njeri prej konkurentëve ka të veçantat e veta si në pamje dhe në zë. Nuk krahasohem me anjë njeri, sepse jemi të gjithë ndryshe. Pastaj, kjo varet nga publiku që të voton dhe që mendon se fytyra jote i duket më familjare.

E shihni veten fituese?

Une e meritoj çmimin, por me kënaqësinë më të madhe do të ia jepja dikujt tjetër. Sepse unë atë që dua në këtë spektakël, po e realizoj. Çmimin mendoj se e meritoj, por do të doja ta fitonte dikush tjetër.

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF