Skena e Teatrit Kombëtar, si rrallëherë, mbrëmjen e djeshme u pushtua nga fëmijët. Një mbrëmje, që do të lërë mbresa për këdo që ishte pjesë e shfaqjes “Rozi dhe kopshti magjik”, por edhe i pranishëm në sallë. Fëmijët, në kërkim të kopshtit të tyre me fruta dhe perime, nisën një udhëtim të magjishëm. Rozi këtë udhëtim e nisi nga kuzhina. Ajo, së bashku me Lugën, Ananasin, Vezën dhe qumështin nisën të kuptojnë se kuzhina nuk mjafton, prandaj duhet të kishin një kopësht. Me këngë dhe lojëra kopshti u realizua me ndihmën e fëmijëve të tjerë. Qëllimi i shfaqjes ështtë që fëmijët të kujdesen për vete, duke u ushqyer mirë.
Skenaristja e pjesës, Rovena Rrozhani, synon të përcjellë këtë mesazh të fortë për fëmijët dhe prindërit: Mos hiqni dorë nga ushqimet e shëndetshme, bio dhe freskëta! Ndërsa, drejtoresha artistike, Monika Lubonja dhe regjisorja Alma Hoti bën thirrje, që këtyre fëmijëve, t’u qëndrohet pranë në realizimin e ëndrrave, sepse nesër do të jenë e ardhmja e këtij vendi.
Janë 23 fëmijë që janë angazhuar në këtë shfaqje. Ndërsa, 10 këngët e realizuara me bashkëpunimin e Adi Hilës, përcollën bukur atmosferën e lumtur të fëmijëve te publiku. Esmeralda Kame është mësuesja, që i shoqëroi në skenë fëmijët, si mësuese. Forumulimi muzikor është realizuar nga Saimir Çili dhe kostumografia nga Elva Bello. Për secilin prej tyre në fund të shfaqjes pati nga një certifikatë mirënjohje.



















